Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Dosja në SPAK/ U shkarkuan nga Vettingu, gjyqtarët e Kushtetueses nën hetim për 6 vepra penale (EMRAT)

Dosja në SPAK/ U shkarkuan nga Vettingu, gjyqtarët e Kushtetueses

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca riktheu në vëmendjen e publikut një fakt, për të cilin ende ka shumë pak të dhëna. Kjo për faktin se çështja nuk është edhe aq e lehtë e për më tepër kur bëhet fjalë mbi hetimet e SPAK ndaj gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të shkarkuar nga vettingu, për shkak të tri kritereve të vlerësimit.

Thuajse të gjithë ata janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit për probleme që lidhen me pasurinë. Ligjërisht, komisionet e vlerësimit nuk kanë të drejtë të bëjnë kallëzim penal në SPAK, apo organe të tjera të hetimit.

Reforma në Drejtësi nuk e ka të përcaktuar një gjë të tillë, por ngarkon me përgjegjësi ligjore instanca të tjera që duhet të merren me verifikime të këtij lloji. Gjithsesi, në SPAK është regjistruar dosja me numrin 91, e cila mban si datë regjistrimi 28 prillin e këtij viti.

Kallëzimi është firmosur nga avokati Fran Dashi kundër 20 shtetasve me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë pranë gjykatave të shkallës së parë, të Apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe prokurorive te ndryshme për 6 veprat penale.

Sipas burimeve nga SPAK, hetimet janë duke u kryer për 6 vepra penale. Akuza e parë bazohet në nenin 143 që bën fjalë për përvetësimin e pasurisë private ose publike nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme, ose duke fshehur fakte të vërteta, gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, për vete ose persona të tjerë. Kjo vepër penale është e dënueshme me burgim deri në pesë vjet.

Akuza e dytë e gjyqtarëve të lartë, prokurorëve, apo anëtarëve të Kushtetueses të shkarkuar nga vettingu është po neni 143, pika a. Në këtë nen të Kodit Penal thuhet se organizimi dhe vënia në funksionim e skemave mashtruese dhe piramidale të huamarrjes, me qëllim fitimi material, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.

Akuza e tretë është e bazuar në nenin 180 që bën fjalë për fshehjen e të ardhurave. Konkretisht në ligj thuhet se fshehja apo shmangia nga pagimi e detyrimeve tatimore, nëpërmjet mosdorëzimit të dokumenteve ose mosdeklarimit të të dhënave të nevojshme, sipas legjislacionit në fuqi, dorëzimi i dokumenteve të falsifikuara, apo deklaratave ose informacioneve të rreme, me qëllim fitimin material, për vete apo për të tjerët, përmes përllogaritjes së pasaktë të shumës së tatimit, taksës, apo kontributit, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në tre vjet.

Akuza e katërt është bazuar në nenin 181, ku flitet për mospagimin e taksave. Mospagimi i taksave dhe tatimeve brenda afatit të caktuar, me gjithë mundësinë e pagimit të tyre, nga personi ndaj të cilit janë marrë më parë masa administrative për këtë qëllim, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Akuza e pestë dhe që po hetohet është bazuar në nenin 248 që bën fjalë për shpërdorimin e detyrës dhe në të cilin thuhet se kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike  dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Dhe akuza e gjashtë është ajo sipas nenit 257, pika a që përcakton refuzimin për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë dhe që dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Disa prej emrave janë: Shkëlzen Selimi, Admir Thanza, Tom Ndreca, Gani Dizdari, Fatos Lulo, Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, Artan Broci, Artan Zeneli, Xhezair Zaganjori, Edmond Islamaj dhe Bashkim Dedja.

Sipas shifrave nga shkurti 2018 e deri në qershor të vitit 2020 janë shkarkuar nga detyra 101 magjistratë. Nga Gjykata e Lartë janë shkarkuar 7 anëtarë, ndërsa nga Gjykata Kushtetuese 5 anëtarë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore