Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Dosja e plotë e “Tërmetit”/ 8 vdekjet e familjes Lala, Prokuroria shpall fajtorin e akuzon për vrasje me dashje

Dosja e plotë e “Tërmetit”/ 8 vdekjet e familjes Lala,

“Nisur nga sa më sipër dhe mbështetur në faktet dhe provat e administruara në funksion të hetimeve të procedimit penal nr.2466 viti 2019 rezulton se me veprimet dhe mosveprimet e tij shtetasi Ramiz Shehu ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal tetë herë, në dëm të viktimave të veprës penale Marjeta Lala, Amelja Lala, Emiljo Lala, Enis Lala, Dionisa Lala, Sahadete Lala, Ilir Lala dhe Grisilda Lala”.

Ky është konstatimi i prokurorisë së Durrësit pas mbylljes së hetimit njëvjeçar për tragjedinë e 26 nëntorit të vitit 2019. Tragjedia më e rëndë ishte për famljen Lala në lagjen 17 të Durrësit, ku humbën jetën tetë pjesëtarë të saj dhe vetëm një shpëtoi.

Gazeta Shqip ka siguruar edhe argumentet e prokurorisë së Durrësit për hetimet për shkaqet e shembjes së kësaj godine më 26 nëntor, ku humbën jetën tragjikisht 8 persona. Sipas akuzës Ramiz Shehu kreu punimet pa marrë lejen përkatëse dhe se ndërhyrja në këtë godinë shkaktoi dhe shembjen, e cila kishte pësuar goditje fillimisht në tërmetin e 25 shtatorit.

Pjesë nga raporti i Prokurorisë

Nga hetimet e zhvilluara për çdo objekt ndërtimor të shembur ka rezultuar si më poshtë:

1. Objekti banesë private katër katëshe e familjes “LALA”, lagjia nr.17, rruga “Mihal Rama”, Durrës, nga shembja e të cilit kanë humbur jetën shtetasit Marjeta Lala, Amelja Lala, Emilio Lala, Enis Lala, Dionisa Lala, Sehadete Lala, Ilir Lala dhe Grisilda Lala. Ky objekt ishte ndërtuar pa lejen e organeve kompetente dhe për të cilin pronarët e tij me përfaqësuese të ndjerën Sehadete Lala kishte aplikuar duke plotësuar formularin e vetëdeklarimit për legalizim në vitin 2005 dhe më pas edhe me një formular shtesë në vitin 2006. Nga ana e ALUIZNI-T Durrës, objekti është legalizuar me datë 30.10.2015.

1.1. Nga ana e policisë gjyqësore është administruar pranë ASHK Durrës praktika e të gjithë dokumentacionit që ka shërbyer për legalizimin e ndërtimit pa leje pranë ALUIZNI-T Durrës. Nga verifikimi i dosjes së Aluizni-t janë marrë në cilësinë e provës materiale dokumentat si më poshtë vijon:

Dosja e objektit pa leje me reference me Nr. 0010575, ZK.8511, Nr. Pas. 18313, vol. 48, fq. 64, me pronar Sahadete Lala.

Leje Legalizimi nr. 151151 datë 30.10.2015 godinë banimi katër kate mbi tokë me sipërfaqe të parcelës ndërtimore 427.78 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 118.8 m2, sipërfaqja totale e banimit 676.8 m2.

Kontratë shitje pasurie midis ALUIZNI-T dhe Sehadete Lala. Kalimi i pronësisë për pasurinë me nr. 18/167, me sipërfaqe 427.78 m2, në Zk. 85.11, sipas VKM nr.1481 datë 12.11.2008.

Gentplani i pregatitur nga Sektori i Hartografisë dhe Përpunimit të Informacionit Gjeografik në ALUIZNI Durrës.

Plan Rilevimi.

Akt Kualifikimi Nr.8907 datë 06.08.2015,

Formulari i Vetëdeklarimit Nr. 776 datë 24.02.2005, përpiluar nga Sehadete Lala.

 Vetëdeklarim për legalizimin e objektit nr. 815 datë 29.08.2006, ku është pasqyruar viti i ndërtimit të objektit 06/2002. Gent Plan i datës 09.08.2008 për të katër katet e ndërtesës.

 Procesverbal Verifikimi në terren i datës 08.10.2014. Ortofoto digjitale datë 14.04.2007.

Formularët e pagesave sipas deklaratave dhe mënyrës së pagesës së bërë nga aplikuesi. Deklaratë Personale e datës 08.201.2014 e firmosur nga deklaruesi Sehadete Lala e cila sipas formularit deklaron se mbart mbi vete koston e dëmtimeve qe vijnë si pasojë e punimeve të kryera në objekt per shkaqet natyrore, kur nuk janë respektuar kushtet teknike, përdorimit të objektit ndërhyrjet ne rikonstruksionin mbajtës të objektit.

Më tej, në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore si:

Këqyrja e vendit të ngjarjes së bashku me tabelat fotografike përkatëse.

Marrja e mostrave te hekurit dhe betonit në rrënojat e këtij objekti.

Analizat laboratorike të cilësisë së hekurit dhe betonit.

Informacion nga Instituti i Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit lidhur me lëkundjet e tërmetit të datës 26.11.2019: Studimi Sizmiologjik; Studimi Gjeologjik i sheshit të ndertimit; Dokumentacioni tekniko-ligjor i objektit.

Në kuadër të hetimit të kësaj çështje penale, nga ana jonë janë thirrur dhe janë pyetur shtetasit Blerim Lala, Albert Lala, Ilir Ibraj, Shefqet Bego, Serjan Mazrreku, Sefer Cenga, Ardian Nuho, Vasil Gjoni, Nevjana Isufi, Ilirjan Keci, Farie Gaxha, Naim Imeraj, Luiza Lala, Shkelqim Lala, Blerim Gaxha, Gerti Aleksi, Elvis Pengili, Rovin Zeqo, Nadir Kapaj, Gerlad Kaci, Lefter Terova, Kastriot Kapllani, etj.

Nga deklarimet e personave që tregojnë rrethanat e hëtimit dhe kryesisht të anëtarëve të familjes Lala, por edhe të shtetasve Ardian Nuho, Naim Imeri, Blerim Gaxha, Farie Gaxha, etj, rezulton se objekti nuk është ndërtuar nga ndonjë kompani ndërtimi, por është ndërtuar nga një grup punonjësish ustallarë të paliçensuar në punimet në ndërtim të drejtuar nga ana e shtetasit Ramiz Shehu, i cili është paraqitur si teknik ndertimi. Rreth viteve 2002 – 2003, shtetasi Ramiz Shehu në cilësinë e një sipërmarrësi ka rënë dakord me shtetasit Blerim e Albert Lala për të kryer projektimin dhe zbatimin e punimeve të ndërtimit për objektin me katër kate sipas kushteve teknike të ndërtimit.

Nga hetimi nuk konstatohet hartimi i ndonjë kontrate apo marrëveshje me shkrim, por sipas deklarimeve marrëveshja është lidhur me fjalë dhe ata i kanë paguar punën e bërë shtetasit Ramiz Shehu, i cili për disa vite ka kryer ndërtimin e objektit. Për ndërtimin e banesës Ramizi ka bërë gjithëçka vetë, që nga blerja e materialeve e deri në fund, sa ata kanë hyrë familjarisht në këtë banese.

Pagesa mesa i kujtohet ka qenë me metër katrorë. Në lidhje me projektin e banesës është marrë Ramiz Shehu, sipas porosisë që ata i kanë bërë që të ndërtonte një banesë me katër kate, me qëllimin që secili nga tre vëllezërit Lala të kishte nga një kat për banesë dhe kati i parë të shërbente si garazh pasi mendohej se mund të kishte lagështi. Në lidhje me ndërtesën ata i kanë dhënë lekët për aq sa Ramizi ju ka kërkuar dhe i kanë kërkuar që ti garantonte për cilësinë (hekur, çimento dhe beton). Të gjithë ndërtimin e banesës e ka kryer Ramiz Shehu, ndërsa disa persona të tjerë në një kohë të mëvonëshme kanë bërë suvatimin e objektit.

 

Nga ana jonë me qëllim sqarimin e fakteve nëse, Projektimi, Zbatimi, Mbikëqyrja dhe Kolaudimi i ndërtesës godinës ish-objekt banesë katër katëshe e familjes “LALA”, lagjia nr.17, rruga “Mihal Rama”, Durrës, ka qenë në përputhje me kushtet teknike kombëtare dhe kuadrin rregullator ligjor për ndërtimin në RSH si dhe për të përcaktuar shkaqet që kanë sjellë shembjen e ndërtesës është marrë vendim për kryerjen e ekspertimit teknik në fushën e ndërtimit.

 

Nga Akt Ekspertimi Teknik në lidhje me ish-objektin banesë katër katëshe e familjes “LALA”, lagjia nr.17, rruga “Mihal Rama”, Durrës, ka rezultuar ndër të tjera se: Në lidhje me objektin “Ndërtesë 4-kat në pronësi të familjes Lala, lagjia nr.17, Durrës” i shembur nga tërmeti i datës 26.11.2019, nuk gjendet asnjë dokument tekniko-ligjore në zbatim të Ligjit Nr. 8405 dt. 17.09.1998 “Për Urbanistikën” i ndryshuar dhe Ligjit Nr.8402, dt. 10.09.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” ndryshuar.

Këto mangësi në dokumentacion, të cilat me sa kuptohet nuk kanë ekzistuar asnjëherë, nxjerrin si konkluzionin që kjo ndërtesë nuk është Projektuar, Zbatuar dhe Kolauduar në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi në vendin tonë në kohën e kryerjes së ndërtimit. Sa i përket zbatimit të KTP dhe KTZ të pacaktuara në VKM Nr. 68, dt. 15.2.2001 “Për miratimin e standardeve dhe te kushteve teknike te projektimit dhe te zbatimit te punimeve te ndërtimit” të ndryshuar, grupi i ekspertëve shprehet qartësisht që ato nuk janë marrë në konsideratë.

Si konkluzion: Shembja e “Ndërtesës 4kat në pronësi të familjes Lala, lagjia nr.17, Durrës”, ka ndodhur nga disa faktorë të cilët jane parqitur ne aktin e ekspertimit por kryesisht nga:

Dëmtimet paraprake të tërmetit i 21 Shtator 2019 me Magnitudë 5.6;

Cilësia e dobët e materialeve (betonit) të përdorura për ndërtimin e objektit;

Mos zbatimi i KTP dhe KTZ në fazën e projektimit dhe zbatimit të ndërtesës.

Nisur nga sa më sipër, rezulton se gjatë kryerjes së ndërtimit të objektit banesë katër katëshe e familjes “LALA”, lagjia nr.17, rruga “Mihal Rama”, Durrës, shtetasi Ramiz Shehu në cilësinë e projektuesit dhe zbatuesit të punimeve të ndërtimit pa leje me veprimet dhe mosveprimet e tij ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, në dëm të tetë viktimave dhe konkretisht të të ndjerëve Marjeta Lala, Amelja Lala, Emiljo Lala, Enis Lala, Dionisa Lala, Sahadete Lala, Ilir Lala dhe Grisilda Lala.

Shtetasi Ramiz Shehu ka marrë përsipër dhe ka kryer ndërtimin e objektit katër katësh, pa respektuar rregullat dhe normat ligjore në fushën e ndërtimit për sa i përket studimit, projektimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit të objektit ndërtimor, gjë e cila ka sjellë si pasojë shembjen e objektit nga tërmeti i datës 26.11.2019 dhe vdekjen e tetë shtetasve të sipërpërmendur që gjendeshin në këtë objekt, nga i cili fatmirësisht  shpëtoi vetëm shtetasi Ram Lala pas ndërhyrjes së forcave të kërkim shpëtimit.

Nga ana e shtetasit Ramiz Shehu pavarësisht se po ndërtonte një objekt ndërtimor katër katësh me funksion të banimit të qytetarëve (kërkuesve të investimit), në kundërshtim me ligjin, pasi ai nuk ka patur liçensë në asnjë nga fushat e ndërtimit sikurse janë ato të studimit, projektimit, mbikëqyrjes, zbatimit apo kolaudimit të objekteve të ndërtimit.

Dosja e plotë e “Tërmetit”/ 8 vdekjet e familjes Lala,

Por, edhe në cilësinë e sipërmarrësit ai nuk ka pajtuar asnjë specialist të fushës së projektimit dhe ndërtimit me qëllim kryerjen e studimit gjeologjik, sizmik dhe më pas hartimin e projektit konstruktiv të objektit. Po kështu, edhe gjatë zbatimit të punimeve nuk është mbajtur asnjëlloj dokumentacioni që lidhet me cilësinë e materialeve të ndërtimit, cilësinë e punimeve dhe mbi volumet e punimeve të kryera në këtë objekt, (libër masash mbi punimet e kryera dhe cilësinë e materialeve te ndërtimit të përdorur, situacionet e punimeve, akt kolaudimi apo ekspertimi teknik lidhur me qëndrueshmërinë e objektit).

Shtetasi Ramiz Shehu me dashje direkte e ka kryer ndërtimin e objektit në mënyrë të kundraligjshme dhe pa lejen e organeve kompetente, duke besuar tek aftësitë e tij apo personave që kanë marrë pjesë në ndërtimin e këtij objekti, se objekti mund të jetë i qëndrueshëm nga pikëpamja teknike, por pasojat e ardhura nga shembja e ndërtesës së ndërtuar nga ai kanë ardhur nga pakujdesia, pasi ai nuk i ka parashikuar pasojat që mund të vinin, megjithëse sipas rrethanave në të cilat është kryer ndërtimi ai duhet ti parashikonte. Shtetasi Ramiz Shehu, nuk i është përmbajtur legjislacionit në fushën e ndërtimit lidhur me KTP e KTZ, pasi nuk ka respektuar asnjë nga rregullat dhe normat në fushën e ndërtimit në fuqi në kohën e kryerjes së këtij ndërtimi.

Nisur nga sa më sipër dhe mbështetur në faktet dhe provat e administruara në fuksion të hetimeve të procedimit penal nr.2466 viti 2019 rezulton se me veprimet dhe mosveprimet e tij shtetasi Ramiz Shehu ka konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal tetë herë, në dëm të viktimave të veprës penale Marjeta Lala, Amelja Lala, Emiljo Lala, Enis Lala, Dionisa Lala, Sahadete Lala, Ilir Lala dhe Grisilda Lala./ Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore