Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Do t’u merret pasuria, apo do arrestohen?! Shumë prokurorë e gjyqtarë largohen me dorëheqje para vettingut

Do t’u merret pasuria, apo do arrestohen?! Shumë prokurorë e

Vettingu, pavarësisht kritikave që mund të ketë pasur nga prokurorë e gjyqtarë që janë larguar nga sistemi është ndër të vetmit që deri më tani po pastron Drejtësinë nga elementë të korruptuar, të cilët nuk e kanë justifikuar pasurinë ndër vite, bazuar në Reformën në Drejtësi dhe monitorimin ndërkombëtar.

Vettingu ose siç njihet ndryshe rivlerësimi kalimtar i gjyqtarëve dhe i prokurorëve është procesi reformues i drejtësisë që ka tërhequr më shumë vëmendjen e publikut dhe në mënyrë të veçantë të qytetarëve, të cilët në këto 28 vite demokraci janë përballur me zvarritje, praktika korruptive dhe të padrejta në proceset hetimore apo gjyqësore.

Deri më tani janë më shumë se 30 prokurorë e gjyqtarë nga të tre nivelet e Drejtësisë që kanë zgjedhur të japin dorëheqjen për të mos u përballur me trupat e rivlerësimit KPK e KPA.

Para se të nisin të parat seanca dëgjimore tre vjet më parë pranë KPK-së, u publikuan dy raste të dorëheqjes nga funksioni, përkatësisht nga një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish Prokurori i Përgjithshëm, të cilët bëjnë pjesë në kategorinë e subjekteve që kanë pasur përparësi në procesin e vettingut.

Për këto subjekte mund të jetë kryer hetim administrativ dhe KPK mund të disponojë nga ky hetim prova. Pyetja që lind natyrshëm dhe ka interes për publikun është, çfarë ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët që dorëhiqen gjatë procedurës administrative, kjo veçanërisht në kohën mes përfundimit të hetimit administrativ dhe para seancave dëgjimore?

Ligji për vettingun nr. 84/2016 parashikon në nenin 56, pika 1 të tij se subjekti i rivlerësimit ka të drejtë të japë dorëheqjen nga detyra jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Dorëheqja i paraqitet me shkrim Presidentit të Republikës dhe publikohet në faqen zyrtare të internetit të këtij institucioni.

Në rastin e dorëheqjes, Komisioni merr vendim për pushimin e procedurës së rivlerësimit. Mënyra se si është formuluar kjo dispozitë, çon në përfundimin se procedura e vettingut pushon automatikisht, nëse subjekti dorëhiqet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Nëse procedura e vettingut pushon, KPK nuk mund të konkludojë në vendim nëse gjyqtari ose prokurori i dorëhequr ka probleme ose jo me pasurinë, figurën dhe aftësitë profesionale. Çështja e dhënies së dorëheqjes brenda afatit tre mujor nga hyrja në fuqi e ligjit të vettingut ka qenë objekt kundërshtimi në Gjykatën Kushtetuese, ku një grup deputetësh kërkuan shfuqizimin e këtij ligji si antikushtetues. Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzojë kërkesën. Ndër argumentet e paraqitura pranë kësaj gjykate ishte se afati 3-mujor për t`u dorëhequr, parashikuar në nenin 56 të ligjit, bie ndesh me nenin G të Aneksit të Kushtetutës.

Sipas nenit G të aneksit kushtetues, subjekti i rivlerësimit mund të japë dorëheqjen nga detyra dhe në këtë rast procesi i rivlerësimit ndërpritet. Subjekti i rivlerësimit që dorëhiqet sipas kësaj dispozite, nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.

Duke qenë se dispozita e aneksit kushtetues nuk përcaktonte afate për aktin e dorëheqjes, subjekti kërkues argumentoi se, akti i dorëheqjes është një akt vullnetar dhe nuk mund të kufizohet në kohë, pasi do të cenonte të drejtën e subjektit për të zgjedhur punën e tij sipas nenit 49 të Kushtetutës. Në pjesën arsyetuese të vendimit të saj, Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh as pro dhe as kundër këtij pretendimi, por vlerësoi se kërkuesi nuk ka paraqitur argumente të mjaftueshme për ta konsideruar këtë çështje në nivel kushtetues.

Dorëheqja e subjekteve përpara se të ndodhë vettingu mund të përmbushë qëllimin madhor të këtij procesi, nëse largohen pikërisht njerëzit e drejtësisë që janë të korruptuar, me lidhje të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe të paaftë profesionalisht. E parë në këtë këndvështrim, atë që do duhet ta bënte një proces me natyrë administrative sikurse është ai i vettingut, realizohet në fakt në një kohë të shkurtër, me vetë vullnetin e gjyqtarit/prokurorit, me anë të dorëheqjes.

Dorëheqja mund të vijë, por jo detyrimisht, për shkak të efekteve të pritshme që ka vettingu te gjyqtari/prokurori, i cili mund të synojë të shmangë vendimin e organeve të vettingut për shkarkim nga detyra dhe vendosjen e tij/saj në qendër të vëmendjes dhe kritikave të medias dhe publikut.

Megjithatë, ajo që mbetet e paqartë për publikun dhe për të cilën kanë marrë shkak për të sjellë këtë artikull tek lexuesi është nëse personat që largohen nga sistemi me dorëheqje kanë pasur ose jo të meta të rënda lidhur me pasurinë, figurën dhe aftësitë e tyre profesionale që përbëjnë tre komponentët bazë të vettingut.

Një prej qëllimeve po aq të rëndësishme që vettingu ka, është të rikthejë besimin e publikut tek institucionet e sistemit të drejtësisë. A do të mund të përmbushej ky qëllim në kushtet kur subjektet dorëhiqen dhe organet e vettingut e pushojnë procedurën e rivlerësimit pa vendim përfundimtar?

Në këto raste publiku nuk është i qartë nëse dorëheqja është vetëm për arsye ngushtësisht personale apo për shkaqe të lidhura me ushtrimin e funksionit të gjyqtarit dhe prokurorit (për tre komponentët e vettingut).

Interesi publik në rastin konkret mund të jetë njohja e publikut me fakte dhe prova, të cilat vërtetojnë se ka pasuri të pajustifikuara të gjyqtarëve ose prokurorëve, fshehje të pasurisë ose deklarim të rremë, se gjyqtarët dhe prokurorët e kanë ushtruar funksionin në situatën e konfliktit të interesit, se kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, etj, që e kanë bërë të papërshtatshëm qëndrimin e tyre në detyrë.

Vettingu mund të perceptohet nga publiku se nuk i ka përmbushur krejtësisht qëllimet e tij, në kushtet kur gjyqtarë dhe prokurorë të caktuar, të cilët kanë probleme me pasuritë, figurën apo aftësitë e tyre profesionale largohen vetë nga sistemi dhe kur organet përgjegjëse të vettingut e ndërpresin ose e pushojnë vettingun.

Nëse procesi ndërpritet, këto organe, për shkak të hetimit administrativ mund të kenë marrë dhe mbledhur prova që vërtetojnë shkelje dhe abuzime të rënda me detyrën të këtyre gjyqtarëve ose prokurorëve të dorëhequr.

Si do të veprohet më tej me të dorëhequrit, ose të shkarkuarit?

Për këta të fundit, ka një mundësi që është Strasburgu, e ku janë drejtuar më shumë se 80 për qind e tyre, ndërsa për të dorëhequrit frika e ndonjë arrestimi të mundshëm, apo marrjes së pasurisë pas hetimeve që do kryhen për zyrtarë e ish-zyrtarë ka më shumë gjasa të ndodhë.

Por ajo që bie ne sy më së shumti kohët e fundit ka të bëjë me dorëheqje që i motivojnë për arsye shëndetësore, apo familjare. Juridikisht deri më tani, ata konsiderohen të toleruar me pasurinë, por a do të jetë pafundësisht kështu. Kjo pritet të shihet në vijim, kur Shqipëria të mos ketë kriza politike, e ku Drejtësia si në çdo vend të botës të jetë e barabartë për të gjithë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore