Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

Dilemat e një pakti PS-PD, pa Bashën në tryezë: Kush janë kartat e Ramës?!

Dilemat e një pakti PS-PD, pa Bashën në tryezë: Kush

Takimi i paralajmëruar për nesër në Këshillin politik ofron dy panorama të ndryshme nga kampet respektive të mazhorancës dhe opozitës.

Edi Rama, i zhgënjyer në maksimum nga njeriu i tij në Këshillin Politik që nuk arriti të vendosë heqjen e koalicioneve në marrëveshjen e 5 qershorit, ka vendosur të shkojë vetë në takim, duke e “zhdukur” virtualisht daljen e kreut të komisionit të reformës zgjedhore nga publiku prej kohësh.

Kryeministri, i cili heqjen e koalicionit “tren” e ka vendosur në çështjet “e panegociueshme” pas negociatave, duket se do ta ketë të vështirë, thuajse të pamundur që t’i tërheqë Gazmend Bardhit “PO”-në për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme me një listë të përbashkët unike për çdo koalicion.

Vetëm nëse Rama nxjerr një kartë edhe më të madhe e më joshëse sesa ajo e koalicionit “tren” për Lulzim Bashën, e cila mund ta shtyjë që të hyjë në kompromis.

Po cila është ajo kartë që mund ta bëjë Bashën të ndërrojë mendje? Mund të jetë më shumë se një, ekzaktësisht dy!

E para, që mund të joshë PD-në është natyrisht e ngjashme me lëvizjen që bëri Zaev përpara zgjedhjeve parlamentare të parakohshme në vend. E që është, një kabinet teknik që të përgatisë zgjedhjet e 2021-shit. Pra shkuarja në zgjedhje pa Edi Ramën-kryeministër, një kauzë që Lulzim Basha e ka në axhendë që në vitin 2015.

E dyta që natyrisht mund të jetë në një rëndësi sa e para, madje edhe më e çmuar për opozitën, është një marrëveshje paraprake që Lulzim Bashës mund t’i japë një status ëin-ëin edhe nëse nuk del parti e parë, ose nuk fiton zgjedhjet.  Në një farë mënyrë, ajo që u përfol edhe në 2017-n, por që Basha tha se ishte Edi Rama që e prishi.

Panorama tjetër e takimit të së hënës ofrohet nga pala tjetër. Lulzim Basha shmangu dhe e refuzoi ftesën e Ramës për t’u ulur në tryezë, duke dërguar atje, sekretarin e Përgjithshëm të PD-së. Ky qëndrim i tij vjen si pasojë e një zotimi që nuk do të ulet më në një tryezë me rivalin e tij politik. Shija e hidhur e paktit të 17 majit, duket se ka ndikuar në këtë qëndrim të liderit të opozitës, i cili nuk do të jetë i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Politik.

Ndërkaq, në lidhje për ndërhyrjen e mundshme të ndërkombëtarëve për të lehtësuar komunikimin, Edi Rama deklaroi në parlament të enjten, se “5 qershori është hera e fundit që ai arrin një marrëveshje me opozitën të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, të paktën në kohën kur ai është kryetar i PS-së”.

Që të ndodhë e kundërta, ose Rama duhet të hajë fjalën, e cila është ende e freskët, ose duhet të largohet nga drejtimi i PS-së, që natyrisht pa u mbajtur zgjedhjet e 2021-shit, duket si diçka e pamundur të paktën tani për tani.

Megjithatë, qarqe pranë opozitës, kryesisht pranë Ilir Metës, po i bëjnë publikisht presion ambasadores Yuri Kim që të futet në lojë, ose duke denoncuar prishjen e “5 qershorit” nga Rama, ose të ndikojë në tërheqjen e kryeministrit për të hequr “koalicionin-tren”. Ndryshe e kanë kërcënuar me “prishjen e besueshmërisë si e njëanshme”. Në fakt këto qarqe, këtë e bëjnë shpesh, sa herë që qëndrimi amerikan nuk u konvenon…

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore