
Dekomunistizimi i PD dhe sovranizmi i Sali Berishës
Sipas përllogaritjeve të INSTAT, janari i këtij viti e ka gjetur popullsinë shqiptare me një moshë mediane rreth 38 vjeç, që do të thotë se kur u shemb komunizmi, 30 vite më parë shumica e shqiptarëve ose nuk kishin lindur ende, ose ishin minorenë.
Megjithatë, tre dekada nga rrëzimi i regjimit politika në Shqipëri flet ende për “dekomunistizimin” e shoqërisë. Një shprehje e urtë popullore thotë “më mirë vonë se kurrë”, por a mund të vlejë kjo shprehje për temën në fjalë?
Duke iu referuar të dhënave të INSTAT përgjigja anon nga “Jo”-ja. Pse? Shumica e qytetarëve shqiptarë nuk e kanë përjetuar në vetë të parë atë regjim dhe për një pjesë të mirë është një temë e pakuptueshme sot.
Me kartën e antikomunistit Sali Berisha udhëhoqi të gjitha fushatat e Partisë Demokratike, nga 1992 deri në 2013-n dhe ironikisht, tani që Sali Berisha ka marrë flamurin e “antikolonializimit amerikan”, Partia Demokratike ngre kartën e antikomunizmit, megjithëse e nxitur nga dy deklarata të deputetit socialist, Bujar Çela.
Mbase këto dy “filozofi” të politikëbërjes do të përplasen në dy Kuvendet e thirrur më 11 dhe 18 dhjetor. Berisha po valvit kartën e sovranitetit në vendimmarrje dhe premton që t’i rikthejë Partisë Demokratike këtë sovranitet, që sipas tij, me Bashën e ka humbur.
Lulzim Basha nga ana tjetër ka thirrur Kuvend për të mbrojtur vendimin e marrë për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar, duke deklaruar se ish-Kryeministri synon që ta vendosë partinë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Këto zhvillime duket se përforcojnë se si flamuri i parë, ashtu edhe i dyti ngrihet për efekt të politikës së ditës. Për të parin, pra për flamurin e antikomunizmit dhe nismën e prezantuar nga Enkelejd Alibeaj për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare, ndoshta tani është shumë vonë, sepse pas tre dekadave, natyra mund të ketë bërë të veten dhe shoqëria të jetë “natyralisht” e dekomunistizuar.
Shprehja tjetër e urtë popullore thotë se “hekuri rrihet sa është i nxehtë”. Për dekomunistizimin e shoqërisë, ai ishte i nxehtë në mandatin e parë qeverisës së Partisë Demokratike, nga 1992 deri në 1996, kur vendi drejtohej nga Sali Berisha.
Në të gjitha vendet ish-komuniste të Lindjes, në ato vite nisi një proces dekomunistizimi masiv. Dikush vendosi masa më të ashpra, një tjetër më të lehta. Por, hapi i parë që ndërmorën të gjithë ishte hapja e dosjeve të bashkëpunëtorëve të agjencive të spiunazhit të komunistëve.
Kështu ndodhi në Gjermaninë Lindore. U hapën dosjet e STASS-it famëkeq dhe u identifikuan të gjithë bashkëpunëtorët e komunizmit, të cilëve iu ndalua në bazë të përmasave të bashkëpunimit dhe përfshirjes në krime ushtrimi i detyrave publike.
Në Shqipëri, ende pas 30 vitesh, pas dhjetra nismave, disa agjencive e komisioneve ende flitet për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit. Nismat në të shkuarën shpesh janë kritikuar brenda dhe jashtë vendit se ndërmerren për përfitime politike të ditës, siç ishte ligji i lustracionit.
Lustracioni është kritikuar gjithmonë si një proces që shpesh është ndërmarrë nga qeveritë postkomuniste për të hequr konkurrencën qafe, për të ndaluar konkurrentët e vet politikë nga garat politike dhe për të shantazhuar punonjësit e drejtësisë.
Shqipëria ka patur një ligj të tillë të miratuar në vitin 1995, i cili u shfuqizua pas ardhjes së socialistëve në pushtet më 1997. Një përpjekje tjetër për ligj lustracioni në vitin 2008 u ndërmor sërish nga Berisha. Në të dyja rastet, duket se synimi i ligjeve qe ruajtja e pushtetit të Berishës dhe jo vendosja e drejtësisë.
Një kabllogramë e ish-ambasadorit John L. Withers, publikuar nga Wikileaks, shpjegonte se si Berisha përdori projektligjin e lustracionit, të cilit ai vetë i referohej si “ligji i dosjeve”, për të shantazhuar prokurorët dhe gjykatësit që po hetonin mbi disa skandale të mëdha të qeverisë së tij.
Tani Berisha e ka tejkaluar veten dhe nga “antikomunisti më i flaktë” është shndërruar në sovranistin më të zjarrtë që ka marrë në dorë flamurin e luftës “kundër forcave të errta të Perëndimit, që s’i duan të mirën as të djathtës shqiptare dhe as Shqipërisë”.
©Copyright Gazeta Shqip
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.




Një “shqiptar” bëhet kryeministër i Australisë
Historia e plotë >




A është feja vija e re ndarëse, midis Rusisë dhe perëndimit?
Historia e plotë >Denonco
Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Një tjetër i arrestuar "kërcënon" të kthehet në të penduar: Do rrëfej li...
Historia e plotë >
Enesi dhe Sonjela në gjendje të rëndë/ Top Channel merr përsipër të fina...
Historia e plotë >
Sëmundja që po frikëson Europën/ Lija e majmunit vjen në kufi me Shqipërinë

Ekspertët kundër publikimit të pagave: Është e kundërligjshme dhe do nxisë konflikt social

Tirana në 'shtetrrethim' më 25 maj / Mbyllen edhe shkollat e universitetet, ja vendimi
Aktualitet




