Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Deklarata e bujshme/ Lidhja mes mafias siçiliane në vitet 1970 dhe Elbasanit në 2020

Deklarata e bujshme/ Lidhja mes mafias siçiliane në vitet 1970 dhe

Që Elbasani është një prej 4 zonave me kriminalitetin më të lartë në vend nuk është më një “lajthitje” mediatike dhe as deklaratë politike. Kjo tashmë është thuajse zyrtare, kur artikulohet edhe nga vetë kryeprokurori Olsian Çela, që e krahason Elbasanin me Siçilinë e viteve ’70.

Por, pse ky krahasim?! Prej javësh Elbasani është kthyer në kryefjalë e të gjitha lajmeve të kronikës së zezë. Në hartë pas Elbasanit me shifra të larta të kriminalitetit janë Shkodra, Tirana e Vlora. Por, për shefin e hetimeve shqiptare, kryeqendra e Shqipërisë së mesme është problemi më i mprehtë dhe që kërkon zgjidhje radikale, për të mos lejuar kthimin e saj në Siçilinë e 5 dekadave më parë.

Në një farë mënyre kjo do të thotë se në ditët e sotme, pra në vitin 2020, Siçilia ka ndryshuar shumë dhe është “riedukuar”. Ndërsa Elbasani ka marrë huqet e saj të 50 viteve më parë.

Pas ditëve relaksuese të pandemisë dhe karantinës së detyruar, krimi pati një rritje të menjëhershme. Ishte koha kur shqiptarët u çliruan si “këlyshët nga zinxhiri”, dhe zbrazën çfarë kishin akumuluar gjatë ditëve kur Hummer e ushtrisë, me mitrolozët ngrehur për luftë, demonstronin forcë nëpër rrugët e vendit.

Prej asaj kohe qetësia quhet e prishur dhe herë pas here rendi kërcënohet nga aktet terroriste. Sepse të vrasësh shënjestrën, por dhe ca të tjerë që janë ulur në kafe, për hesap të tyre, vetëm se t’u drodh dora e të luajti tyta e automatikut është një akt i pastër terrorist. Mafia italiane nuk ishte aq e marrë, sa të ndizte zjarrin në Romë. I mjaftonte një qytet periferik si Siçilia për të mbaruar punët e veta.

E njëjta gjë po ndodh edhe me Shqipërinë. Edhe pse Tirana nuk është më pak me kriminalitet për autoritetet e hetimit, Elbasani është Siçilia.

Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet zhvendosje e organizatave kriminale me struktura hierarkike në zonat rurale.

Duke filluar nga viti 2003, strukturat e organizuara kriminale në Elbasan filluan të sofistikohen në përgjigje të forcimit gradual të institucioneve shtetërore. Disa tregues të sofistikimit janë diversifikimi i veprimtarive të paligjshme në të cilat ata përfshihen, përshtatja e trajtave horizontale në formën e rrjeteve kriminale, përdorimi gjithmonë e më tepër i një gjuhe të koduar, përdorimi i numrave celularë të posaçëm, të cilët aktivizohen vetëm për kryerjen e trafiqeve si dhe përdorimi i korrierëve të ndryshëm.

Më vonë, nga viti 2008 e më pas vihet re se grupet shqiptare forcuan ndjeshëm pozitat e tyre në rrjetet ndërkombëtare të trafikut, sidomos atë të narkotikëve. Shihet se në rrjetet e trafikimit përfshihen role që nuk konstatoheshin përpara vitit 2003, siç është rasti i garantuesit apo dhe financuesit.

Por të gjitha hesapet ndër vite me drogë po lahen tashmë mes bandave kriminale, që nuk po kursejnë askënd, madje duke shkuar edhe tek të afërm, në pamundësinë për të gjetur shenjëstrën.

 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore