Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Borxh i mundshëm shtesë / Qeveria po paguan kreditë që bizneset morën nga bankat

Borxh i mundshëm shtesë / Qeveria po paguan kreditë që

Ministria e Financave ka nisur që të paguajë kreditë për bizneset që morën hua në bankat e nivelit të dytë, ku garant doli Qeveria përmes 211 milionë eurove të vëna në dispozicion si garanci sovrane në dy paketa.

Skema e përfitimit të kredive ku shteti del garant te bankat në emër të biznesit u mbyll për paketën e dytë në fund të qershorit. Sipas të dhënave nga 211 mln euro, bizneset kanë tërhequr rreth 100 mln euro në formën e kredive, ku shteti del garant në 100 për qind të kredisë për paketën e parë dhe 60 për qind të principalit për paketën e dytë.

Paketat u prezantuan si formë ndihme që bizneset t’i mbijetonin periudhës së vështirë të pandemisë dhe për të nxitur bankat që të kreditonin sektorët më të prekur nga kriza, me shpresën se bizneset do të rimerrnin veten dhe më pas do të shlyenin këto detyrime.

Paketa e parë parashikonte kredi dhënie me garanci shtetërore për bizneset në vështirësi për të mundësuar pagat e të punësuarve. Vlera e miratuar është 11 miliardë Lekë. Deri tani kjo paketë është lëvruar në masën rreth 48 për qind, në vlerë 5.33 miliard. Për këtë paketë, shteti garanton përmes Ministrisë së Financave 100 për qind të principalit të huasë në rast mos shlyerje nga biznesi, si dhe merr përsipër shlyerjen e interesave të huamarrjes.

Paketa e dytë garanton me vlerën deri 15 miliard lek huadhënien për biznesin e madh, që kanë nevojën për kapital qarkullues dhe investime. Afati për aplikim për këtë kredi me garanci sovrane u shty deri në fund qershor 2021. Deri Korrik 2021 kjo lloj kredie është lëvruar me 8.33 miliard lek, masa 56% e planifikimit. Në këtë paketë, Qeveria garanton 60 për qind të principalit të huasë, ndërkohë nuk merr përsipër garantimin e interesave, kamatëvonesave, penaliteteve apo çdo lloj detyrimi tjetër monetar, që mund të burojë nga huatë që bankat u lëvrojnë bizneseve. Afati i huasë nuk duhet të tejkalojë 5 vite.

Por, nisja e pagesave nga shteti sugjeron se paketat e garancisë sovrane nuk e kanë ndihmuar biznesin që të tejkalojë krizën dhe ai aktualisht është në kushtet e pamundësisë së shlyerjes së kredive të marra në bankat e nivelit të dytë.

Pra, për një pjesë të bizneseve ndodhemi në situatën ku X huamarrës nuk ka shlyer huanë sipas termave të kontratës dhe banka huadhënëse pas shterimit të periudhës 120 ditore për rikuperimin e kredisë, ka të drejtë t’i drejtojë Ministrisë së Financave kërkesën që pagesa të shlyhet nga buxheti i shtetit. Pas marrjes së kërkesës dhe verifikimit të saj në përputhje me termat e Marrëveshjes së Huasë, Ministria autorizon transfertën e pagesës brenda 15 ditëve pune.

Nëpërmjet këtij ilustrimi, Open Data Albania thotë se shpjegohet shuma e garantuar prej 5.33 miliardë lekësh janë detyrime të mundshme për shtetin shqiptar. Krahas kësaj shumë, kosto të mundshme shtesë për buxhetin e shtetit mund të rezultojnë nga interesat e huave dhe penalitetet për kamatëvonesa, por këto deri në momentin e ndodhjes së detyrimit, nuk llogariten si borxh dhe kosto reale për financat publike.

Ministria e Financave i kategorizon pagesat që ka nisur të kryejë si detyrime “borxhi”, ndërsa Open Data Albania thotë se detyrimet e mundshme totale mund të shkojnë sa 93 për qind e buxhetit të alokuar për rindërtimin për këtë vit, ose 21 për qind e shpenzimeve kapitale të buxhetit 2021.

“Këto detyrime të mundshme të garancisë shtetërore nuk janë kosto borxhi aktualisht, por nëse do të shikonim çfarë peshë zënë ndaj totalit të borxhit që shteti ynë ka akumuluar, shikojmë se këto dy garanci përbëjnë 30 për qind të borxhit të garantuar shtetëror, ose 2.1 për qind të borxhi publik. Gjithashtu nëse detyrimet e mundshme që rrjedhin nga garancitë sovrane i shohim në terma të Prodhimit të Brendshëm bruto konstatohet një detyrim sa 1.7 për qind e PBB-së për 2021”, thotë Open Data Albania.

Megjithatë, pavarësisht rrezikut se këto kredi të dy paketave të para të garancisë sovrane mund të shndërrohen në borxh shtesë për taksapaguesit, Ministria e Financave planifikon edhe 100 mln euro të tjera në dy paketa. Sipas deklaratës së bërë në fund të muajit qershor nga ministrja Anila Denaj, qeveria do të mbështesë me 50 mln euro si garanci sovrane sektorin e fasonerisë dhe me 50 mln euro të tjera turizmin.

Bizneset që kanë përfituar këto kredi mbeten “mister”

Borxh i mundshëm shtesë / Qeveria po paguan kreditë që

Ministria e Financave nuk ka publikuar emrat e bizneseve përfituese nga Garancia Sovrane. I vetmi detaj që zbardhet është vlera sipas bankës së nivelit të dytë, të cilës i është miratuar garantimi i shumës në kreditim. Konkretisht është Raiffeisen Bank me vlerën më të lartë të kredive të akorduara me garanci shtetërore në favor të bizneseve. Për kreditim përmes kësaj banke është miratuar 22.3 për qind e fondeve të garantuara, ose 5.8 miliardë lekë për t’u disbursuar si hua të garantuar nga sheti.

Banka e dytë sipas shumës më të lartë të garantuar për huadhënie është Banka Credins, e cila përbën 13.5 për qind të totalit të shumë së garantuar, apo 3.5 miliardë lekë në total nga dy garancitë. Më pas është Banka OTP Albania me 12.7 për qind të totalit të huave të garantuara, me BKT me 10 për qind të totalit. Ndërsa pjesa tjetër e bankave, pra për tetë të tilla, përbëjnë pjesën tjetër të shumës së garantuar për huadhënie tek bizneset, peshat përkatëse vijojnë në 10 për qind të totalit.

Sektori që ka përfituar mbështetje më tepër nga ky instrument, sipas Open Data Albania, rezulton Tregtia, pra bizneset në këtë sektorë kanë përfituar 38 për qind të shumës së disbursuar nga të dy garancitë. Ndiqet nga sektori i Prodhimit me 24 për qind të shumës së disbursuar, sektori i Shërbimit me 18 për qind, sektori i Ndërtimit me 12 për qind dhe sektori që ka kërkuar më pak mbështetje rezulton sektori i shëndetsisë me 3 për qind të shumës totale të disbursuar dhe kjo vetëm nga garancia e parë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore