Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Bodigardë, identitet i ri dhe dhe para cash, kosto marramendëse e dëshmitarëve të Drejtësisë

Bodigardë, identitet i ri dhe dhe para cash, kosto marramendëse e

Që prej vitit 2009, Shqipëria u është bashkuar vendeve që përdorin dëshmitarë, apo autorë të penduar për zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme kriminale e sidomos të atyre që rrezikojnë të shoqërohen me të tjera krime. Por, për çdo dëshmi ka një kosto që e përballon shteti shqiptar dhe paguhet nga taksapaguesit.

Ligji me numër 10173 i dekretuar në datë 22 tetor të vitit 2009 nga ish-presidenti Bamir Topi “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë” në 31 nenet e tij ka të specifikuar deri në detaje përfitimet e dikujt që përfiton statusin e të penduarit.

Në rastet e marrjes së statusit, ai, por edhe familja gëzojnë benifite si kurrë më parë. Të ardhura për familjen, roje sigurie që paguhen nga shteti, shoqërime me makina shtetërore të familjarëve, apo fëmijëve në rastet kur është kryefamiljar. Vetë i penduari nuk ka ato kushte në burg si të dënuarit e tjerë. Programi për mbrojtjen e dëshmitarëve parashikon jo vetëm garantimin e jetës së personit dhe familjes së tij, por edhe strehimin, trajtimin financiar, mjekësor, arsimimin e deri te trajtimi psikologjik. Pavarësisht kësaj kostoje, ky program është vlerësuar si i suksesshëm duke garantuar vazhdimësinë dhe zgjerimin e tij.

Ndryshimi i vendbanimit është nga veprimet e para që zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve ndërmerr ndaj bashkëpunëtorit të Drejtësisë që ka fituar këtë status. Agjentë të zyrës kujdesen për të gjetur një banesë në një qytet tjetër, ku akomodohet personi që ka fituar trajtimin e posaçëm, së bashku me familjen e tij. Shpenzimet e banesës, e cila duhet të ketë minimalisht kushtet e banesës që familja e marrë në mbrojtje ka pasur më parë sigurohen dhe paguhen nga vetë zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve. Vendndodhja e banesës mbahet sekret dhe atë e dinë vetëm agjentët që kujdesen me ruajtjen fizike të personave të marrë në mbrojtje. Në raste të veçanta, përveç ruajtjes me agjentë në banesën e bashkëpunëtorit mund të montohen edhe kamera vëzhguese, në rast se këtë masë e pranon edhe vetë bashkëpunëtori.

Lëvizjet e personit të marrë nën ruajtje dhe familjarëve të tij kryhen nën vëzhgimin dhe shoqërimin e agjentëve të zyrës për mbrojtjen e dëshmitarëve. Për raste të veçanta, kur shkalla e rrezikut vlerësohet e lartë, strehimi i personit të marrë nën mbrojte dhe familjes së tij realizohet edhe jashtë vendit, siç është vepruar në dy raste. Trajtimi financiar i personave të marrë nën mbrojtje është një tjetër detyrim i shtetit ndaj këtyre personave.

Burime pranë Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, thonë se para zbatimit të programit ekonomistët e zyrës përllogarisin të ardhurat e personit ose familjes që do të merret në mbrojtje.

Sipas ligjit në bazë të të cilit funksionon kjo zyrë, trajtimi financiar nuk duhet të jetë më i madh se të ardhurat që personi ose familja siguronte më parë. Qëllimi i këtij programi sipas burimeve është mbrojtja e bashkëpunëtorëve të Drejtësisë dhe jo rritja e të ardhurave ekonomike të tyre. Ndryshimi i identitetit është një tjetër trajtim që zyra për mbrojtjen e dëshmitarëve realizon ndaj personave që fut në program. Ndryshimi i identitetit bëhet në raste, kur shkalla e rrezikshmërisë që i kanoset dëshmitarit vlerësohet tepër e lartë. Por në asnjë rast, identiteti nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin edhe të vetë personit dhe familjarëve të tij që janë marrë nën mbrojtje.

Ky është statusi i veçantë për të gjithë ata individë, të cilët me dëshmitë, deklarimet apo informacionet e tyre do të ndihmojnë sadopak strukturat hetimore në zbulimin e aktiviteteve të organizuara kriminale.

Drejtoria për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe luftës kundër krimit të organizuar, e ngritur prej vitesh në Ministrinë e Brendshme ka tashmë një “check list” me personat që janë pjesë e atyre që përfshihen në programin e Mbrojtjes.

Nëse gjykohet se dëshmitari apo bashkëpunëtori me dëshminë e tij luan një rol deçiziv në zbardhjen e një ngjarjeje apo aktiviteti kriminal, atëherë ai do të përfitojë një sërë favoresh dhe privilegje. Të njohur ndryshe si “të penduarit” e drejtësisë, ata mund të përfitojnë edhe shmangien e përgjegjësisë penale në qoftë se u japin strukturave hetimore informacione të rëndësishme me anë të të cilave mund të zbulohet veprimtaria e organizatave të ndryshme kriminale.

Dhënia e statutit të të pandehurit të drejtësisë nuk është morale, por një gjetje ligjore që në Italinë e mafies së fortë të viteve ‘80-‘90 funksionoi duke i dorëzuar drejtësisë shumë kriminelë. Edhe në sistemet demokratike me drejtësi më të konsoliduar, ky instrument funksionon, por nuk përfaqëson gjithë sistemin, sepse është vetëm një mekanizëm i tij.

Kush është dallimi mes dëshmitarit dhe bashkëpunëtorit

“Dëshmitar i drejtësisë” është personi, i cili, në cilësinë e dëshmitarit ose të personit të dëmtuar, bën deklarime ose dëshmon për fakte e rrethana, që përbëjnë objekt prove në një procedim penal dhe që, për shkak të këtyre deklarimeve a dëshmive, ndodhet në gjendje rreziku.

 “Bashkëpunëtor i drejtësisë” është personi, i cili vuan dënimin penal ose është i pandehur në një procedim penal për krime të kryera në bashkëpunim, që ndodhet në gjendje rreziku, për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, të deklarimeve apo dëshmive për fakte e rrethana, që përbëjnë objekt prove në të njëjtin procedim penal ose në një procedim të lidhur.

“Persona të lidhur” janë personat, të cilët ndodhen në gjendje rreziku, për shkak të lidhjeve të gjakut, të martesës, të bashkëjetesës së faktit ose marrëdhënieve të ngushta personale, që kanë me dëshmitarin ose me bashkëpunëtorin e drejtësisë.

 “Persona të mbrojtur”, bashkërisht ose veçmas, janë dëshmitarët, bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe personat e lidhur me ta, sipas përcaktimeve të bëra në pikat 2, 3 e 4 të këtij neni.

 “Gjendje rreziku” është gjendja aktuale, konkrete dhe serioze, për shkak të së cilës jeta e shëndeti janë në rrezik, si pasojë e dëshmimit të dëshmitarit apo të bashkëpunëtorit të drejtësisë në procesin penal, për veprat penale të parashikuara në këtë ligj.

©?Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore