Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Bilanci i 2020/ COVID shkaktoi 1 181 të vdekur në Shqipëri, Tirana drejt imunitetit të tufës. Ja qarqet më të prekura

Bilanci i 2020/ COVID shkaktoi 1 181 të vdekur në Shqipëri,

Viti 2020 ka rezultuar tragjik për gjithë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Sipas të dhënave zyrtare deri më 31 dhjetor, 1 817 363 persona kanë humbur jetën në gjithë globin, ndërsa në total janë infektuar 83 331 374 persona, ku 59 079 485 prej tyre janë shëruar tashmë.

1 181 të vdekur në Shqipëri

Por COVID rezultoi tragjik edhe për Shqipërinë. Sipas shifrave të bëra publike nga Ministria e Shëndetësisë, në vendin tonë 1 181 persona nuk e fituan dot betejën me virusin, 7 prej të cilëve në ditën e fundit të vitit. Sipas shifrave të raportuara, Tirana rezulton të jetë qyteti me numrin më të lartë të vdekjeve.

58 316 të infektuar në total

Po sipas ministrisë së Shëndetësisë, në vendin tonë rezulton se u infektuan me COVID 58 316 persona, ku fatmirësisht 33 634 prej tyre janë shëruar tashmë.

Në vendin tonë vijon të mbetet i lartë numri i rasteve aktive,  me 23 501 të tilla.

Situata në spitale

Aktualisht në 4 spitalet COVID duket se është e stabilizuar. Referuar të dhënave zyrtare, në të 4 spitalet COVID po trajtohen 284 pacientë, 26 në terapi intensive, nga të cilët 8 pacientë janë të intubuar.

Qarqet më të prekura, Tirana fiton imunitet

Tirana rezulton të jetë qarku më i prekur, e rrjedhimisht edhe qarku që ka fituar imunitet të lartë. Akademia e Shkencave deklaroi një ditë më parë se gjysma e popullsisë së Tiranës ka zhvilluar anti-trupa ndaj COVID-19.

Sipas studimit, 50 % e kryqytetit ka fituar imunitet, ndërsa në rang kombëtar, imuniteti ndaj Covid-19 është rreth 25%.

“Në Shqipëri niveli i imunitetit dhe i kontaktit me virusin duket se është 25%. Imuniteti është ende i ulët përvec Tiranës ku presim valë më të ulta. Në Tiranë imuniteti ëhstë 50%, por ende popullata e pergjitshme ka potencial te qarkulloje virusin. Është lajm i mirë imunizimi në kryeqytet, por nuk ka arsye të festojmë”, u shpreh dje prof. Alban Ylli.

Gjithsesi, Tirana aktualisht kryeson me infektime, pasi numëron 13 547 raste aktive e ndjekur nga Fieri me 1 632 raste, Shkodra me 1289 raste dhe Durrësi me 1235 raste. Më pas vijnë Korça, Vlora, Lezha, Elbasani, por nuk i kalojnë 1 mijë raste aktive.

Testime, relativisht të ulëta

Vendi ynë bën pjesë tek vendet që kanë numër të ulët testimesh. Kjo është ngritur si shqetësim vazhdimisht edhe nga opozita, e cila ka akuzuar gjithashtu se ka edhe fshehje të numrit të vdekjeve. Konkretisht, sipas të dhënave në Shqipëri janë realizuar262 910 testime.

Vaksinimi në janar

Por viti 2021 pritet të jetë edhe viti i shpresës. Zhvillimi i vaksinave dhe nisja e procesit të vaksinimit, pavarësisht se shpërndarja po bëhet në mënyrë disproporcionale ku fillimisht po përfitojnë të pasurit, ka ndezur një dritë.

Edhe Shqipëria, edhe pse nuk ka ende një vaksinë në dispozicion, pritet që brenda janarit të marrë dozat e para.

 Kryeministri Edi Rama deklaroi dje se procesi i vaksinimit pritet të nisë në 15 janar, ndërsa qeveria po negocion me tre kompani, ku marrëveshja me Pfizer duket se është drejt finalizimit.

“Në kushtet skajshmërisht të vështira si pasojë e kërkesës globale marramendëse dhe sasisë ende tejet të vogël të prodhimit, kemi dakordësuar në parim pas kontaktesh intensive nga të katër anët, tekstin e marrëveshjes me Pfizer për të nisur vaksinimin në janar”.

Pasi kritikoi BE-në për diferencimin e Ballkanit, kryeministri theksoi se “nuk do të ndalemi deri në sigurimin e dozës së fundit”

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore