Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

BE "ngulet" në Ballkan/ Pas Merkel, Presidentja e KE-së vizitë në Tiranë

BE "ngulet" në Ballkan/ Pas Merkel, Presidentja e KE-së

Shqipëria ka marrë një vëmendje të madhe nga Bashkimi Evropian, ku pas vizitës së kancelares gjermane Angela Merkel, në Tiranë pritet të vijë një tjetër gjermane, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.

Zyrtarja e lartë e BE pritet të vizitojë Shqipërinë më 28 shtator, dy javë pas vizitës së Merkel.

Lajmi për vizitën në Tiranë të Von der Leyen u bë me dije nga Ambasadori i BE, Luigi Soreca, pasi Presidentja e KE njoftoi nisjen e një turi në Ballkanin Perëndimor në fund të këtij muaji.

"Presidentja Von der Leyen planifikon të vizitojë Shqipërinë më 28 shtator. Mezi pres ta mirëpres!", shkruan Soreca.

Von der Leyen, e cila ka mbajtur postin e ministres së Mbrojtjes në Gjermani, cilësohet si nga personat më të afërt me kancelaren në ikje, Angela Merkel.

Ky tur i zyrtares së lartë vjen para samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të mbahet në tetor në Slloveni, ku zgjerimi trajtohet si një prioritetet i Bashkimit Europian dhe pjesë e vizionit të përbashkët të institucioneve kyçe dhe shteteve anëtare të kësaj organizate.

Ballkani e ka vendin në BE

Gjatë fjalimit vjetor në Parlamentin Europian, presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen është ndalur dhe te perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor.

Ajo deklaroi se integrimi në BE i vendeve të Ballkanit është detyrim ndaj të rinjve që besojnë në të ardhmen europiane. 

“Para fundit të muajit, do udhëtoj në Ballkan për të përçuar angazhimin tonë për anëtarësimin e këtyre vendeve në BE. Ne ia kemi detyrim të rinjve, që besojnë në të ardhmen europiane. Ndaj, ne po rrisim mbështetjen tonë për planin ekonomik dhe të investimeve në Ballkanin Perëndimor me një të tretën e prodhimit kombëtar bruto të rajonit. Investimi në Ballkanin Perëndimor është investim për Bashkimin Europian” deklaroi ajo.

Pavarësisht deklaratave në Bruksel, procesi i integrimit në Ballkanin Perëndimor ka ngecur prej disa vitesh.

Së fundmi, vetoja bullgare për Maqedoninë e Veriut bllokoi edhe Shqipërinë për hapjen e negociatave./Gazeta SHQIP

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore