Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Arsyet e lëvizjeve frenetike të Metës në Presidencë

Arsyet e lëvizjeve frenetike të Metës në Presidencë

Ilir Meta sot ka marrë disa vendime të rëndësishme për njerëzit më të rëndësishëm të stafit të tij, duke bërë ndryshime esenciale në kabinetin presidencial.

Këshilltari i deri sotëm i Sigurisë Kombëtare Bahri Shaqiri dhe ai i sapoemëruari, Spiro Koçi, i lidh së bashku një vijë e përbashkët; eksperienca në shërbimin sekret. Ndërsa Shaqiri ka qenë për një kohë të gjatë në krye të SHISH, në vitin 2016 u bashkua me LSI dhe u emërua zv.ministër i Transporteve, e më pas shkoi si këshilltar i Ilir Metës në kryesinë e Kuvendit.

Meta, në një njoftim në faqen e tij të Facebook ka bërë të ditur se do të vijojë marrëdhënia me “Arin”, siç e quan ai ish-kreun e SHISH.

“Kënaqësi të bashkëpunoja me z.Bahri Shaqiri, për më shumë se tre vite, në detyrën e Këshilltarit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare. Gjithmonë korrekt, luajal, profesional dhe atdhetar.  E pranova dorëheqjen e tij duke i uruar suksese për të ardhmen.  Do të na mungojë këtu në Institucion, por shpresoj që me Arin, do vazhdojmë të dalim për ecje nga liqeni”, shkruan Meta.

Pak ditë më parë presidenti postoi edhe një foto me ish-shefin e shërbimeve sekrete përgjatë ecjes në liqenin artificial të Tiranës.

Kurse Spiro Koçi, i cili është këshilltar në Presidencë nga 2019, për 4 vjet ka qenë kreu i sektorit të Analizës në Shërbimin Informativ Kombëtar, i emëruar në atë post nga Visho Ajazi Lika, në kulmin e përplasjeve ndërmjet SHISH dhe qeverisë së Edi Ramës.

Ndërkaq, ardhja e Panaritit si njeriu kryesor në Presidencë pas Metës, jep një sinjal që kreu i shtetit po përgatitet për një përplasje të fortë me qeverinë, ndaj ka përgatitur një “kabinet lufte” me njerëz të përgatitur dhe besuar.

Panariti, një profesor i Universitetit Bujqësor  dhe që ka shërbyer si ministër i Bujqësisë në koalicionin PS-LSI, është edhe një nga drejtuesit e hershëm të LSI-së.

Në kabinetin e Metës, ai duket se do të shërbejë për t’i dhënë Presidencës një rol më të rëndësishëm në çështjen e Covid-19, gjë që e shpreh edhe Meta në njoftimin për shtyp.

“Sfidat e pandemisë COVID-19 dhe shëndetit publik, Sfidat me të cilat përballet faktori shqiptar; Shpopullimi i vendit, Sfidat në Arsim, Sfidat në Mjedis” renditen në njoftimin e Presidencës.

Nëse Panariti është një drejtues i LSI prej vitesh, ambasadori Koçi, i cili është një diplomat karriere u bë pjesë e përplasjes ndërmjet qeverisë dhe Presidentit, kur këtë sektor e drejtonte Bujar Nishani, i cili refuzoi që të firmoste largimin e Koçit nga përfaqësia shqiptare në OSBE.  Më pas u punësua në SHISH, kur ky institucion nisi përplasjen e fortë me qeverinë, sidomos për çështjen e kanabisit.

Ndërsa ka zbritur "në gradë" Arben Cicin, duke mos e lënë më shef kabineti, por ta dërgojë njeriun e tij deri dje të besuar si këshilltar diplomatik.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore