Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Arsyet dhe pasojat e ndryshimeve të Ramës: Qeveri politike për 25 prillin

Arsyet dhe pasojat e ndryshimeve të Ramës: Qeveri politike për 25

Ishte paralajmëruar që në fund të verës një konfigurim i qeverisë nga ana e Edi Ramës, që natyrisht është analizuar edhe nga Gazeta “Shqip” në atë kohë.

Por duket se axhenda u devijua si shkak i përplasjes së fortë ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit pas miratimit të ndryshimeve Kushtetuese që çuan në prishjen e modelit të koalicionit tren.

Ndaj dhe Rama mori pozita mbrojtjeje, duke u menduar si të mbrohej nga sulmet e opozitës, e në veçanti të Metës, i cili premtoi se do të ketë “revolucion”. Kërkesa zyrtare e Presidentit për t’i kërkuar opinion Komisionit të Venecias mbi ndryshimet në Kod afroi një skenar të frikshëm, ku brenda ishte që nga pezullimi apo dhe shtyrja e 25 prillit e deri në përplasje edhe më të ashpra.

Çdo ndryshim i mundshëm qeverie do të bllokohej nga Meta dhe do të përdorej si mekanizëm për të bërë politikë, ku nismën do ta kishte natyrisht kreu i shtetit.

Ndaj dhe gjithçka ishte në planet politike të mëzhorancës u arkivua, duke nxjerrë në fushë armët e luftës së ashpër, natyrisht me propagandë. Por këtu gjërat për zgjedhjet mbeten pezull dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka kryer as 10% të përgatitjet për betejën e dekretuar elektorale të 25 prillit. Në ajër nisen të thuren e të shpallen skenare të ndryshme.

Rama jep idenë që nuk do t’i kryejë ndryshimet në qeveri, duke bërë që pala tjetër të flejë mendjen. Por pikërisht kur s’e priste askush, ditën e parë të nisjes së vitit shkollor, “jep dorëheqjen” ministrja e Arsimit, Besa Shahini për “arsye personale” dhe Rama e zëvendëson menjëherë me Evis Kushin, deputete e Elbasanit, qarku që nuk kishte përfaqësues në qeveri. Por vetëm kaq dhe thotë që nuk do të ketë lëvizje të tjera. Sërish, pala tjetër e beson.

Më 2 dhjetor, Komisioni i Venecias solli opinioni që ndau çështjen në mënyrë të prerë; “ndryshimet në Kod nuk ndikojnë në rezultat” ndaj nisni punën për zgjedhjet.

Atëherë kur u prit që gjërat u qartësuan dhe po daraviteshin problemet për të hyrë në një klimë elektorale më të qetë, gjithçka përvijoi me një tragjedi njerëzore. Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie galvanizoi tej mase situatën dhe vendi u përfshi në protesta në disa qytete. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj jep dorëheqjen. Një zhvillim politik, që edhe në kushte ekstreme, hapi rubinetin e një plani që Edi Rama kishte që në shtator.

Por në vend që ta zbatonte ‘en block’ përdorin taktikën e pikave. Në fillim emëroi Blendi Çuçin e Milva Ekonomin, e më pas, pikërisht në atmosferën e festave të fundvitit nxori nga sirtari dy lëvizjet e tjera që siç duket i kishte gati që nga fundi i verës.

Në zgjedhje, Edi Rama shkon thuajse me të gjithë drejtuesit politik të PS-së në qarqe ose në qeveri ose në institucione të larta si kreu i Kuvendit apo kryebashkiakët. Në Tiranë: Erion Veliaj; në Fier, Gramoz Ruçi e Erion Braçe; në Vlorë vetë Rama; në Durrës, Milva Ekonomi; në Dibër Olta Xhaçka, në Korçë, Peleshi; në Kukës Gjici, në Elbasan, Balla; në Berat, Klosi; Shalsi në Pogradec.

Vetëm Shkodra është e pambuluar nga ekzekutivi, pasi Beqja nuk është as ministër e as zyrtar i lartë.  Të gjithë qarqet e tjera kanë drejtuesit e tyre si pjesëtar në kupolën e lartë shtetërore. Ky është një sinjal i qartë politik që Rama dhe mazhoranca shkon në zgjedhje si një ekip i plotë qeverisës. Pra do të kërkojë një mandat të tretë më 25 prill si qeveri e pastër politike.

Por edhe opozita ka përpara një rast të pastër politik për të zhvilluar luftën e vet elektorale: ka përballë mazhorancë, e tëra në qeveri. Ka mundësinë qëfushatën ta kthejë në një betejë klasike, ku do të përballen si idetë e programi, por edhe ekipet e qeverisjes.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore