Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Armiku i përbashkët është Kina! A po shkon SHBA drejt krijimit të "NATO-s aziatike"?

Armiku i përbashkët është Kina! A po shkon SHBA drejt

Harrojeni Francën, AUKUS dhe nëndetëset bërthamore, e ardhmja e ndikimit amerikan në Azi do vendoset sot në Uashington.

Presidenti amerikan, Joe Biden do mbajë takimin e parë të Dialogut Katërpalësh të Sigurisë, i njohur më mirë si “Quad”, një forum strategjik joformal i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Australisë, Japonisë dhe Indisë, të gjitha të interesuara për të kundërshtuar forcimin ushtarak të Kinës në Azi.

Sipas CNN, presidentit Biden do t’i bashkohet në Uashington kryeministri japonez, Yoshihide Suga, lideri indian, Narendra Modi dhe kryeministri australian, Scott Morrison, për të diskutuar “promovimin e një Indo-Paqësori të lirë dhe të hapur”.

Takimi vjen në një kohë të ndryshimeve të mëdha për politikën amerikane në Azi. Ndërsa administrata e Biden lëviz për të forcuar partneritetet e saj diplomatike në rajon, Japonia po shqetësohet ggjithnjë e më shumë nga forcimi i ushtrisë së Kinës. Në të njëjtën kohë, pakti australian i mbrojtjes "AUKUS" me SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar ka forcuar angazhimin e Uashingtonit për Azinë, ndërsa i shqetëson disa partnerë të rëndësishëm të Azisë Juglindore.

Analisti Malcolm Davis tha se në krahasim me rrënjët e tij të hershme nën administrimin e George W. Bush, Quad kishte evoluar nga një "dialog i ulët politik dhe ekonomik" në një lojtar shumë domethënës në rajonin e Azisë Paqësorit.

"Quad nuk është një NATO aziatike ... por në të njëjtën kohë ajo po lëviz qartë në drejtim të një qasjeje bashkëpunuese të sigurisë," tha Davis.

Duke kundërshtuar Kinën

Quad u propozua fillimisht në vitin 2007, por u pezullua për një kohë të gjatë derisa u “ringjall” nën udhëheqjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump për shkak të rritjes së Kinës si një superfuqi ekonomike dhe ushtarake. Mjedisi diplomatik në Azi ka ndryshuar ndjeshëm dhe Quad ka marrë një rëndësi më të madhe.

Në Prill 2020, marrëdhëniet midis Australisë dhe Kinës përjetuan një ngërç të madh, pasi Kryeministri i Australisë bëri thirrje për një hetim të pavarur mbi origjinën e koronavirusit. Pekini është kundërpërgjigjur duke vendosur kufizime për mallrat australiane dhe marrëdhëniet nuk duket se do të përmirësohen së shpejti.

Ndërkohë, lidhjet midis Uashingtonit dhe Pekinit, të cilat janë përkeqësuar nën drejtimin e Trump, janë përkeqësuar më tej edhe nën presidencën Biden.

Komunikimi i ri amerikan u mirëprit me entuziazëm në Australi, dhe në fillim të këtij muaji të dy qeveritë iu bashkuan Mbretërisë së Bashkuar për të shpallur "AUKUS", një marrëveshje sipas së cilës të tre vendet do të shkëmbejnë informacionin dhe teknologjinë ushtarake për të formuar një partneritet më të ngushtë mbrojtës në Azi.

Japonia gjithashtu përshëndeti përfshirjen më të madhe të SHBA në rajon. Pasi u përpoq të ndiqte një politikë më të butë kineze në vitet e para, ndërsa Presidenti kinez Xi Jinping ishte në krye, Japonia është bërë gjithnjë e më e kujdesshme ndaj Pekinit. 

Të bashkuar në Tajvan

Tajvani ka të ngjarë të jetë një nga pikat kryesore për diskutim. Gjatë vitit të kaluar, Pekini ka rritur aktivitetin ushtarak rreth ishullit.

Partia Komuniste Kineze e shikon Tajvanin - shtëpinë e rreth 24 milionë njerëzve - si një pjesë të pandashme të territorit të saj, pavarësisht se nuk e kishte kontrolluar kurrë. Presidenti Xi gjithashtu ka paralajmëruar më parë se Pekini nuk do të përjashtojë përdorimin e forcës për të "ribashkuar" Tajvanin me Kinën kontinentale.

Nën Trump dhe tani Biden, SHBA ka forcuar lidhjet e saj me Tajvanin në vitet e fundit, I ka shitur armë dhe ka dërguar diplomatë të profilit të lartë në ishull.

Australia i është bashkuar rregullisht Shteteve të Bashkuara për të shprehur mbështetjen e saj për Tajvanin dhe gjithashtu, në korrik, zëvendëskryeministri i Japonisë, Taro Aso, tha në një fjalim të raportuar nga mediat lokale, se Tokio duhet të bashkojë forcat me Uashingtonin për të mbrojtur ishullin nga çdo pushtim./ CNN-Gazeta SHQIP

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore