Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Ali Ahmeti, drejt koalicionit me pasuesin e Gruevskit? Gati oferta e drejtimit të qeverisë me rotacion

Ali Ahmeti, drejt koalicionit me pasuesin e Gruevskit? Gati oferta e drejtimit

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm duket se po ndodh në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve parlamentare ku u vu re një rritje e mandateve të shqiptarëve në Parlamentin e këtij vendi.

Kreu i partisë nacionaliste VRMO-DPMNE, Hristo Mickoski, ka bërë gati një ofertë të bujshme për Ali Ahmetin, që të pranojë ndërtimin e një kabineti qeveritar me të. Këtë e ka bërë të ditur, Vasko Evtov, gazetari i njohur maqedonas, i cili bëri bujë me dokumentarin kur e nxori Nikolla Gruevskin me origjinë greke.

Evtov, bën të ditur se Mickovski gjendet mes dy zjarresh; nëse humb, i duhet t’i lirojë vendin një lideri tjetër pranë rrymës së Gruevskit, i cili i bën presion nga Hungaria, pasi e urren edhe që nuk e mbrojti.

Ndërkaq, ndërkombëtarët që e konsiderojnë Mickovskin një properëndimor, nuk duan që kjo forcë politike të rrëshqasë në duar filoruse.

Evtov, thekson se ka një variant, ku mund të sigurohet një drejtim qeverie me rrotacion 2+2 ndërmjet BDI-së dhe VRMO-DPMNE-së, i cili më pas mund të vijohet edhe për kreun e shtetit.

Sipas gazetarit maqedonas, për Mickovskin, aleanca me Ali Ahmetit do të ishte jetike për të, ndërkohë që edhe SHBA e BE, janë të interesuara që të shohin që partia nacionaliste maqedonase të shkëputet përfundimisht nga influenca filoruse e grupit të Nikolla Gruevskit.

VRMO-DPMNE ka 44 deputetë në Parlamentin e ri dhe ka nisur menjëherë bisedimet për të siguruar një aleancë mazhoritare. Me 15 votat e Ali Ahmetit, kjo aleancë shkon në 59 deputetë, plus 2 të partisë maqedonase “E Majta” që është kundër Zaev, bëhen 61, pra sa është mazhoranca për të formuar qeverinë. Nëse ndodh ky variant, atëherë do të duhet që të pritet procesi i dështimit të formimit të qeverisë nga Zoran Zaev, i cili ka primatin e mandatarit, pasiqë koalicioni i tij ka 46 deputetë, pra 2 më shumë se VRMO.

Politikisht koalicioni mes së djathtës nacionaliste dhe BDI-së, nuk se përbën risi, pasi këta parti kanë qeverisur që nga viti 2008 deri në vitin 2016. Por thelbi është çështja e Marrëveshjes së Prespës, apo paktit Zaev-Tsipras që solli ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia e Veriut. VRMO-DPMNE nuk ka qenë pro madje në referendumin popullor, ajo shprehu qëndrimin kundër dhe arriti ta fitojë atë. Kurse BDI e cilëson Prespen si një “vijë të kuqe”.

Nëse bëhet ky kapërcim, natyrisht edhe me ndërmjetësimin ndërkombëtar, ky koalicion mund të jetë i mundur. Gjërat, duket të lëvizin me shpejtësi në rrugë informale, e nëse BDI do ta mbyllë shpejt këtë çështje do të duhet të ndajë shapin nga sheqeri se me kë duhet të bëjë qeverinë.

Megjithatë, zëra nga opinion puublik shqiptar në Maqedoninë e Veriut bëjnë të ditur se Ahmeti po i bën presion Zaevit që të kërkojë publikisht një koalicion me të si partia primare shqiptare e koalicionit, ndërkohë që kreu i LSDM-së publikisht bëri thirrje që BDI të qëndrojë në opozitë, duke nxitur rritjen e Aleancës Shqiptare të Zijadin Selës dhe partisë BESA.

Gjithsesi sinjali i parë që do të jepet është ai i takimit të të gjithë partive shqiptare, nëse arrijnë të unifikojnë qëndrimet. Kjo duhet të bëhet pas zyrtarizimit të rezultatit, proces ky që vjen kur të mbyllen të gjitha ankesat për problem në votimet e së mërkurës.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore