Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Alarmi i Europol për Shqipërinë, çfarë paralajmëroi prokurori italian i Antimafias

Alarmi i Europol për Shqipërinë, çfarë

Në muajin prill të këtij viti, kur Italia ishte nën kthetrat e koronavirusit e ku numri i viktimave dhe të të infektuarve ishte në bilanc tragjik, Prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho lëshoi deklaratën bombë, sipas së cilës ekzistonte rreziku që krimi të mund të shtjerë në dorë fondet e destinuara për sipërmarrjet italiane për të kaluar rrezikun e pandemisë.

“Është rreziku që mafiet, e në përgjithësi organizatat kriminale të përfitojnë nga kjo krizë. Si gjatë, e si më pas. Ka një rrezik që financimet e pasura të shtetit, nëse u jepen të gjithëve, pa diskriminim, pa kontroll, do të përfundojnë në duar të gabuara”, tha ai në atë kohë.

Madje, ky konstatim nuk mbeti vetëm brenda kufijve territorial të Italisë. Përkundrazi, oficeri shqiptar i kontaktit në Itali u informua në detaje dhe dorëzoi pranë autoriteteve shqiptare të gjitha dyshimet e mundshme.

Por sot, pas gati 5 muajve paralajmërimi i Prokurorit të Antimafias është bërë fakt. Sepse, vetë Europol thotë se “mafia ia ka vënë syrin parave të fondit të Emergjencës së Covid”, ndërsa lëshon apelin për të gjitha strukturat policore në Evropë se duhet të tregojnë vigjilencë për fondet që mbërrijnë në vendin e tyre.

Alarmin nuk e japin thjesht autoritetet policore, por e ka artikuluar vetë shefja ekzekutive e Europolit, Catherine de Bolle, sipas të cilës në nivel europian po regjistrohet “një rritje e infiltrimeve në ekonomi” nga ana e organizatave kriminale.

Ndërkohë, të pyetur rreth apelit fillimisht italian e tashmë dhe nga Europol, Policia shqiptare pranon se është në dijeni dhe se ka marrë informacionin e duhur.

Sipas Policisë shqiptare, fondi i dhënë rigjallëron ekonominë e vendeve që janë prekur nga pandemia, ndaj sipas tyre duhet ngritur një mur kundër infiltrimit të organizatave kriminale që po organizohen për të marrë në duart e tyre një pjesë të kësaj “torte”.

Ndërkohë, Policia ka nisur të lëvizë. Së pari me një urdhëresë për të mbajtur nën vëzhgim të rreptë të gjithë ata persona që kanë qenë apo janë pjesë e organizatave kriminale, ndonëse pa vendim dënimi nga drejtësia.

Së dyti është kërkuar që në zbatim të marrëveshjes mes palëve, Italia të japë informacion të plotë nëse në grupet mafioze italiane të përfshirë në këtë alarm të Europol ka apo jo shqiptarë të implikuar.

Dhe së treti, Europolit i është kërkuar që në bazë të marrëveshjes me Shqipërinë të vendosë në dispozicion të palës shqiptare të gjithë informacionin me dyshimet e saj.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore