Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

Agjentët e infiltruar, si kthehen në trafikantë droge oficerët e policisë gjyqësore

Agjentët e infiltruar, si kthehen në trafikantë droge

Zbardhja e krimeve përmes veprimeve hetimore operative fut në lojë edhe agjentët e infiltruar, një taktikë e përdorur gjerësisht në Evropë. Një gjë e tillë ndodh edhe në Shqipëri dhe madje është ligjëruar pak më shumë se 10 vjet më parë, pas ndryshimeve që iu bë atëherë ligjit për oficerin e Policisë Gjyqësore.

Në arkivën e policisë së shtetit janë disa ngjarje të rënda kriminale, të cilat janë zbuluar vetëm nga infiltrimi i agjentëve të Policisë. Ata janë me emrat e koduar dhe sillen si trafikantë droge, apo prostitutash, si blerës malli, apo personazhe që veprojnë në një grup kriminal.

Bëhen të besueshëm me veprimet, sjelljet, veshjen e shumë të tilla. Dhe të gjitha faktet që grumbullohen prej tyre futen në dosjet e hetimit si prova që shërbejnë në hetimet e grupit, apo bandave të ndryshme kriminale. Arseni është një prej tyre. Atë shumë pak e njohin si agjent të infiltruar, kjo për shkak se rrjedhja e informacionit tek anëtarë të grupeve kriminale mund t’i kushtojë jetën.

Pak kohë më parë, Arseni zbuloi një rrjet trafiku të prostitucionit, që operonte në Tiranë përmes taksive. Ai u hoq si një klient. Mori një taksi dhe përfundoi në një dhomë hoteli me një vajzë që përkundrejt pagesës ushtronte aktivitetin e prostitucionit.

Toni dhe Denisi janë dy agjentë të tjerë, që zbuluan lojërat e fatit, edhe pse ato ishin mbyllur dhe për këtë u ndërmorën disa aksione policore. Toni dhe Denisi ishin “lojtarët” e fortë të basteve. Ata stimuluan blerjen e basteve online. Ata filmonin gjithçka, dhe më pas largoheshin drejt një tjetër pike. Por, këto skema që përdorin agjentët e infiltruar kanë zbardhur krime dhe shumë prej “viktimave” të tyre janë tashmë në hetim, apo process gjykimi.

Këta agjentë të autorizuar për veprimet e tyre edhe nga Prokuroria e Tiranës, duke u hequr si klientë depërtojnë brenda rrjetit kriminal. Në bazë të provave gjithashtu evidentohen dhe disa prej bisedave të gjetura në telefonat celular, të cilat sipas akuzës provojnë aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Legjislacioni shqiptar në nenin 294 pika B të ligjit për Oficerin e Policisë Gjyqësore shpjegon në detaje se çfarë misioni ka agjenti i infiltruar i Policisë. “Për qëllimet e zbulimit të krimeve të rënda, oficeri i policisë gjyqësore, me autorizimin e prokurorit, mund të futet në përbërjen e një grupi kriminal për të individualizuar pjesëtarët e grupit dhe për të mbledhur të dhënat e nevojshme për hetimin, duke fshehur bashkëpunimin me policinë ose detyrën e vet si punonjës policie” – thuhet në ligj, ndërsa në pikën 2 të këtij neni ka një kufizim.

Më konkretisht, punonjësi i policisë i infiltruar nuk duhet të provokojë një akt kriminal, i cili, pa ndërhyrjen e tij, nuk do të ishte kryer. Kur vërtetohet provokimi, rezultati nuk mund të përdoret.

Ndërkohë, autorizimi i prokurorit duhet të përcaktojë afatin e infiltrimit, që mund të zgjatet nga prokurori deri në gjashtë muaj dhe hapësirën e lejueshme për punonjësin e infiltruar, duke treguar, sipas rastit, veprimet e paligjshme që mund të kryejë ai, pa rrezikuar jetën e të tjerëve.

Agjenti i infiltruar, sipas legjislacionit tonë nuk përjashtohet nga mundësia për të dëshmuar në proceset penale, në lidhje me faktet për të cilat ai është në dijeni dhe në lidhje me provat e grumbulluara prej tij. Ajo çfarë nuk është përcaktuar në ligj, është statusi i tij procedural.  Por cili është statusi, që gëzon subjekti në fjalë, sipas legjislacionit tonë?

Duke iu referuar nenin 361\a, parashikohet pyejtja e “bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe e dëshmitarëve të mbrojtur”, në këtë nen nuk ekziston një dispozitë, e cila të përfshijë “agjentin e infiltruar” në këtë status.

Neni 294\b, pika 4, i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë. 127 Ligji për Gjykatën e Krimeve të Rënda, parashikon për gjykatën, kur e sheh me vend, të urdhërojë që dëshmia të jepet pa kontakt vizual me të pandehurin, pa i komunikuar të pandehurit identitetin e dëshmitarit, ose në raste të tjera parashikuar sipas legjislacionit për mbrojtjen e dëshmitarit.

Sipas Konventës së Palermos, ku Shqipëria është palë dhe është e zbatueshme për krimin ndërkombëtar e të organizuar, u kërkohet shteteve anëtare të përcaktojnë rregulla të qarta për të lejuar, që dëshmitë e dëshmitarëve të jepen në mënyrë të tillë që të mbrojnë sigurinë e dëshmitarit/viktimës, siç janë lejimi i dhënies së dëshmisë nëpërmjet lidhjes audiovizive apo mjeteve të tjera të përshtatshme.

Marrja e dëshmisë së një dëshmitari me identitet të fshehur bëhet në rastet e evitimit të hakmarrjes ndaj tij (dëshmitarin e mbrojtur) apo kur ky dëshmitar është ende i infiltruar në veprimtarinë kriminale. Sipas legjislacionit tonë kjo kategori dëshmitarësh parashikohet në ligjin “Për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë”.

Mbajtja e fshehtë e të dhënave rreth agjentëve të fshehtë, të cilët dëshmojnë në një proces penal, bën që ata të konsiderohen “dëshmitarë anonimë”, status i cili në shumë legjislacione të huaja njihet me ligj. Por pavarësisht kornizave ligjore brenda të cilave vepron Shqipëria, përdorimi i “dëshmitarëve anonimë” duhet të jetë i kufizuar thonë ekspertët, pasi kjo gjë mbart në vetvete rrezikun që i pandehuri të mos ketë mundësinë t'i kundërshtojë efektivisht deklaratat e një dëshmitari, duke cënuar të drejtën për një proces të rregullt.

Ndërkohë edhe Gjykata Evropiane ka gjykuar se dëshmitarët anonimë nuk janë provë e mjaftueshme për të bazuar dënimin dhe që kur përdoren dëshmitarë anonim, problemi që kjo gjë i shkakton mbrojtjes duhet kompensuar me anë të proçedurave që ndiqen nga autoritetet gjyqësore.

Modeli gjerman parashikon, mundësinë që në rastet e aktiviteteve nën koperturë të bëjë të mundur ndërhyrjen në debatin gjyqësor të një dëshmitari të ndërmjetësuar, i cili raporton aq sa i është referuar nga agjenti provokator.

Ndërsa modeli spanjoll lejon agjentin e infiltruar të marrë pjesë në proces me gjeneralitete të fshehta të përdorura gjatë aktivitetit të fshehtë. Është përballur me kritika zgjidhja gjermane për arsye të dukshme, të cilat nuk përputheshin me një rit akuzator dhe u panë si një burim problematikash të mëdha sa i përket vërtetësisë dhe saktësisë së dëshmisë rreth veprës.

Modeli më i praktikuar duket ai i përmendur në Kodin e Procedurës Penale të Iberisë, edhe pse nuk e zgjidh problematikën kryesore të këtij trajtimi, që ka të bëjë pikërisht me mbrojtjen e identitetit fizik të agjentit provokues.

Por, pika që ka më shumë diskutime lidhet me mbrojtjen e identitetit të agjentit të infiltruar. Në Shqipëri deri më tani ka një mbrojtje të tyre. Në një numër të caktuar shtetesh, gjykata mund të vendosë të aplikojë masa specifike gjatë dëgjimit të dëshmisë për të siguruar, që dëshmitarët të dëshmojnë pa ndjerë kërcënim dhe frikë për jetën e tyre.

Këto masa mund të aplikohen dhe në çështje të tjera të ndjeshme (mes të tjerash, trafikimi i personave, krimet seksuale, dëshmitë e të miturve dhe krimet brenda familjes).

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore