Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A po ndjek Meta programin politik që shpalli në 2017-n?

A po ndjek Meta programin politik që shpalli në 2017-n?

Gjuha e ashpër e Ilir Metës për çështjen e listave të hapura, në krahasim me sjelljen e liderit të opozitës Lulzim Basha, po komentohet në mënyra të ndryshme, por të gjitha konsistojnë në drejtimin që Presidenti do të ketë protagonizmin e tij tek “populli i opozitës”, por edhe po bëhet gati të “zbresë në fushë”.

Në fakt, ashpërsia e Ilir Metës është një lajtmotiv i Presidencës së tij që në vitin 2017. Një lajtmotiv, të cilin ai e ka shpallur si “program politik”, menjëherë sapo u zgjodh President dhe shpërtheu në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 4 viteve më parë.

Meta deklaroi atëherë se nuk do të jetë “noter” i qeverisë, se dekretet e tij do të ishin instrumente sulmi dhe jo një logjikë institucionale, që do të jetë njeriu që do ta kundërshtojë më fort Edi Ramën se të gjithë etj, etj.

E gjithë performanca e Presidentit pra, është një panoramë e një skenari, të cilin ai vetë, pas zgjedhjes në krye të shtetit e ka bërë publike. Natyrisht që kjo ashpërsi ka ardhur duke u përshtatur me aktualitetin politik, ku herë pas here ka negocuar e bërë kompromis me mazhorancën dhe vetë Edi Ramën.

Por për të parë e analizuar këtë konflikt, duhet ardhur në origjinën e tij, atëherë kur Meta shpalli programin e tij të “luftës pa kompromis ndaj Edi Ramës”. Ajo ashpërsi nisi mëngjesin e 18 majit 2017, kur Edi Rama dhe Lulzim Basha bënë marrëveshjen e famshme për të hyrë në zgjedhjet e 25 qershorit 2017.

Marrëveshje që Ilir Meta nuk e donte, pasi skenari i tij ishte krejt ndryshe, i përgatitur me kujdes kur ishte në aleancë me Edi Ramën, e opozita ishte në çadrën 4 mujore në bulevard. Ilir Meta, siç edhe e deklaroi hapur kur në postin e kreut të Kuvendit tha se ishte gati për të ikur nga qeveria për t'u futur në çadrën e PD-së.

Nga qeveria nuk iku, madje u bë edhe President, por menjëherë pas paktit Rama-Basha, shkoi e u takua demonstrativisht me Sali Berishën për të shpallur polin politik të përbashkët. 

Një pol politik që synon të rrëzojë Edi Ramën dhe jo ta mundë në zgjedhje. Pasi detyrën dhe mundësinë për ta mundur Edi Ramën në zgjedhje e ka Lulzim Basha, i cili si lider i opozitës ka të gjitha tagret për të bërë koalicionin, për të hartuar listat dhe natyrisht për të bërë marrëveshje me mazhorancën.

Këtu Ilir Meta nuk është pjesë, e kjo situatë natyrisht nuk i shkon përshtat një politikani, i cili ka qenë determinant në 30 vitet e fundit. Në vitin 2005, Meta ka qenë jetik për riardhjen e Sali Berishës në qeveri, duke i hequr PS-së vota në të gjitha zonat e mazhoritarit, që ishte fatale për Fatos Nanon.

Në vitin 2007, Ilir Meta ishte determinant për fitoren e Edi Ramës në zgjedhjet e para si kryetar i PS-së, pra zgjedhjet vendore të 18 shkurtit 2007. Pakti Rama-Berisha e bëri Ilir Metën “panevojshëm”, ndaj dhe ai luajti fort jo vetëm duke i dalë kundër ndryshimeve kushtetuese, por aleanca e tij me Sali Berishën në 2009 e ktheu fuqishëm në lojë si kingmaker.

Në 2013-n, edhe pse Edi Rama e kishte shpallur armik, po ashtu edhe Meta atë, lidhën marrëveshjen e bashkëqeverisjes që e fuqizoi edhe më shumë kryetarin e LSI-së. Por nga 2017-a, gjërat duket se kanë ndryshuar; dhe Ilir Meta kërkon t’i përshtatet këtij ndryshimi duke mbajtur pozicionin që ka pasur që kur e themeloi LSI-në.

Ndaj po e nxit PD-në që të mos bëjë marrëveshje me Edi Ramën për të përshtatur ndryshimet kushtetuese në Kodin Zgjedhor. Çështja e pozicionimit për listat e hapura, apo deklarata “nëse nuk i bëni, largohuni!” është më shumë një instrument politik i qëllimit që Meta ka për të realizuar, e qëllimi për të është rrëzimi i Edi Ramës nga pushteti.

Jo mundja në zgjedhje, kjo as i mjafton e as i garanton gjë Ilir Metës. Ndaj ka dekoruar për herë të satën Avni Rustemin. Ai është në kërkim të një “atentatori politik”....

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore