Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A po aplikon opozita shqiptare modelin malazez që mundi Gjukanoviçin: Ngjashmëritë dhe diferencat

A po aplikon opozita shqiptare modelin malazez që mundi

Me heqjen e koalicionit-tren nga Kushtetuta nga ana e PS-së me opozitën parlamentare, duket se PD dhe aleatët e saj po mendojnë një strategji të ndryshme, që duket se tashmë ka marrë më shumë spunto nga zhvillimet në Mal të Zi.

Një model që i dha mazhorancën parlamentare grupimeve opozitare të Malit të Zi, të cilët nuk arrinin prej 30 vitesh që të mundnin partinë e Milo Gjukanoviç. Po çfarë është ai model?

Në zgjedhjet e 30 gushtit u paraqitën përpara zgjedhësve në Mal të Zi tre koalicione opozitare që garuan veç në zgjedhje: “Për të Ardhmen e Malit të Zi” ishte një koalicion prej 11 partish filoserbe dhe filoruse, të lidhur ngushtësisht me Kishën Ortodokse Serbe. Partia kryesore ishte Fronti Demokratik, liderit e saj Andrea Mandiç dhe Milan Knezheviç u dënuan si pjesëtarë të puçit të dështuar të vitit 2016 të organizuar nga GRU-ja rus.

Eminenca gri e këtij koalicioni ishte biznesmeni Miodrag Davidoviç, i njohur me nofkën “Daka”, i cili ka qenë ministër i të ashtuquajturit “Rajon Serb Autonom i Hercegovinës” i themeluar në vitin 1991-1992 nga i dënuari për krime lufte Radovan Karaxhiç gjatë luftës në Bosnjë.

Marko Milaçiç, kreu i një partie të djathtë populiste, ishte gjithashtu si pjesëtar i koalicionit, i cili u bë i njohur me djegien e flamujve të NATO-s.

Koalicioni i dytë opozitar ishte “Paqja është kombi ynë”, përbëhet nga 4 parti që kanë pasur si bazë të ideologjisë së tyre pajtimin pas luftës në territorin e ish-jugosllavisë.

Ky koalicion u krijua nga Aleksia Beçiç, një drejtues i një partie të qendrës, së bashku me Partinë Socialiste të Popullit, që ishte një degë malazeze e Partisë Socialiste Serbe të Sllobodan Milosheviçit.

Një parti tjetër e këtij koalicioni është “Demos” e Miodrak Lekiçit, ish-ambasadorit të Sllobodan Milosheviçit në OKB gjatë luftës në Bosnjë, i cili është pedagog i së drejtës ndërkombëtare në Podgoricë.

I treti është koalicioni “E Bardha në të Zezë” që përmban 3 parti politike centriste, të majta e qytetare. Lider i saj është shqiptari Dritan Abazoviç kreu i partisë URA, ndërkaq themelues i këtij koalicioni është biznesmeni Zharko Rakçeviç, i cili ka qenë zv.kryeministër i Gjukanoviçit gjatë viteve 2001-2003.

URA u bë objekt polemikash pasi një anëtare e kryesisë: Tatjana Beçanoviç, mohoi gjatë një interviste ekzistencën e një gjenocidi në Srebrenicë.

Pra siç shikohet; pati tre koalicione të ndara që përfaqësojnë fryma e rryma shumë të ndryshme, që kishin brenda saj biznesmenë e politikanë, por me një qëllim të rrëzojnë Gjukanoviçin. Këta parti garuan të vetëm, me argumente fushate të ndarë sipas parcelave dhe arritën të mobilizonin të gjithë elektoratin që e urrente Gjukanoviçin, i çdo ngjyre që është dhe të sigurojë 41 vende në Parlament nga 81 që ka legjislativi malazez.

E analogjizuar në terrenin shqiptar: Opozita shqiptare ka disa rryma: është PD me aleatët e saj tradicionale që janë  PR, PDK, PAA, PBDNJ e tjerë parti të vogla. Të cilat po grumbullojnë rreth vetes elementë sa më shumë që urrejnë Edi Ramën.

Një rrymë tjetër është LSI, e cila mund të mbledhë rreth vetes një koalicion që nga PDS e Milos, të gjelbërit e Sazan Gurit, por edhe parti të tjera të vogla, që janë të mundshme të bashkohen në koalicion.

Koalicioni tjetër është Nisma Thurje së cilës i është bashkuar edhe Rudina Hajdari. E cila nuk shkoi te partia e Murrizit, pikërisht se kërkon vota opozitare, pra anti-Rama dhe jo thjesht vota kundër Bashës brenda së djathtës.

Nuk dihet se sa vota do të marrë ky koalicion në zgjedhje, pasi nuk ka ndonjë sondazh serioz të paktën publik për këto elementë politik, por edhe këtu duhet thënë se ka mjaft ndryshime me opozitën malazeze.

Kjo pasi 6 muaj më parë, koalicioni kryesor opozitar, ai proserb ka larguar liderët e saj dhe emëroi Zdrafko Krivokapiçin si kryetar, i cili është një profesor i mekanikës në Universitet, ndërsa koalicioni i dytë vendosi Aleksa Beçiçin, duke larguar Miodrak Lekiçin që ka qenë ambasador i Millosheviçit.

Pra ka bërë një oparacion imazhi dhe e rëndësishmja është se ky operacion është bërë për të sjellë njerëz të rinj duke larguar establishmentin e vjetër. Gjë që nuk e shikon në grupet opozitare ku përveç kryetarëve të partive të vjetra 30-vjeçare ka edhe ish-ministra të Nanos e të Berishës.

Madje pak ditë më parë u shpërnda një lajm se Ilir Meta mund të kthehej në qeveri si kryeministër e ministër i Brendshëm me një “paketë” bashkë me Sali Berishën apo Rexhep Meidanin-President të Republikës. Kjo qasje duket se bën më shumë diferencë në modelin e suksesshëm elektorat të opozitës së Malit të Zi.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore