Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A paralajmëroi Yuri Kim shkarkimin e Ilir Metës?

A paralajmëroi Yuri Kim shkarkimin e Ilir Metës?

Shpërndarjen e njoftimit të Gjykatës Kushtetuese, ku bëhej bilanci i punës së këtij institucioni që nga 1 janari i këtij viti, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim e shoqëroi me një paralajmërim për shtatë gjyqtarët e kësaj trupe.

“Çështje të rëndësishme janë duke ardhur...”, shkroi kryediplomatja amerikane në Tiranë.

Si ta kuptojmë këtë fjali? A foli Yuri Kim për dosjet që Gjykata Kushtetuese ka në kalendari për shqyrtim, e që kanë peshën e vet të rëndësisë në shumë çështje që janë ende të hapura, sidomos në konfliktin mes Presidentit Ilir Meta nga njëra anë dhe Qeverisë e mazhorancës socialiste në Kuvend nga ana tjetër? Apo foli për çështje që nuk kanë shkuar ende në këtë gjykatë, por që hipotetikisht mund të shkojnë në një të ardhme të afërt?

Çfarë mund të dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese së afërmi? E rëndësishme politikisht është vetëm njëra dhe ajo është kërkesa e Kuvendit për shkarkimin e Ilir Metës. Të gjitha sinjalet e dhëna deri më tani këtë sugjerojnë.

Ambasadorja e SHBA e përçoi këtë mesazh në ditën që Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur nga socialistët për shkarkimin e kreut të shtetit dëgjoi dy ekspertët konstitucionalistë. Komisioni është i bindur se Meta e ka shkelur Kushtetutën, ndaj kryepyetja që bënë anëtarët lidhej me klasifikimin e këtyre shkeljeve.

Ekspertëve iu kërkua që të përgjigjeshin nëse shkeljet ishin të rënda, ashtu siç kërkon Kushtetuta për të shkarkuar Presidentin, apo ishin të pamjaftueshme për të justifikuar një vendim kaq ekstrem?

Artan Spahiu dhe Erind Mërkuri nuk i dhanë Komisionit një përgjigje të prerë, por e ndihmuan përmes shembujve nga vende të tjera, vendimeve të Gjykatave Kushtetuese nëpër botë dhe mendimeve të Komisionit të Venecias.

Nga të gjitha këto arrihet lehtë në perceptimin se ekspertët ndanin mendimin se me deklaratat dhe veprimet para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, Presidenti e kishte shkelur Kushtetutën mjaftueshëm sa për të kërkuar shkarkimin e tij.

Komisioni Hetimor do të mblidhet sërish ditën e hënë, që është edhe afati i fundit që i ka lënë Ilir Metës për ta dëgjuar. Presidenti nuk pritet që ta shfrytëzojë këtë të drejtë, pasi edhe mbledhjen e së premtes, në kohën që Komisioni dëgjonte ekspertët hidhte valle në një aktivitet me pakicat kombëtare në Shqipëri.

Brenda javës së ardhshme Komisionit i duhet që të hartojë një raport përfundimtar dhe ta dorëzojë për miratim në Kuvend me kërkesën për shkarkim ose jo të Ilir Metës. Miratimi  për shkarkim do të duhet të merret para datës 9 korrik dhe kërkon të paktën 94 vota pro, që me përbërjen e Parlamentit aktual PS pritet që t’i sigurojë pa ndonjë vështirësi, nisur nga fakti që edhe vetë ngritja e këtij Komisioni u votua fillimisht vetëm me një votë kundër në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancë plenare me 97 vota pro.

Pas shkarkimit të mundshëm, raporti i Komisionit Hetimor me arsyetimet e vendimit dhe miratimin e Kuvendit i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit ka në dorë fjalën e fundit, fjalë që mund të thuhet edhe para konstituimit të Parlamentit të ri më 9 shtator, duke shmangur hipotetikisht një ngërç, që mund të lindë nga refuzimi i mundshëm i Ilir Metës për të mandatuar Edi Ramën për formimin e Qeverisë së re me akuzat se zgjedhjet e 25 prillit u manipuluan.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore