Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A është Edit Harxhi, njeriu i Berishës për kreun e PD-së?!

A është Edit Harxhi, njeriu i Berishës për kreun e

Në Partinë Demokratike ka nisur ndarja në dy fronte, në pro dhe kundër Sali Berishës. Shkak për këtë është bërë vendimi i shpallur nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha për ta përjashtuar nga grupi i PD-së, liderin historik të demokratëve, kjo derisa përplasja mes tij dhe SHBA-ve të zgjidhet.

Që prej shpalljes së këtij vendimi kanë dalë kundër përjashtimit të paktën deputetët Tritan Shehu, Edi Paloka dhe Flamur Noka, apo dhe ish-presidenti Bujar Nishani. Ndërsa kundër kanë qenë edhe përfaqësuesit e grupimit për PD-në, të cilët dukshëm po mbajnë linjën pro Berishës dhe kanë nisur sulmet në adresë të Bashës. Rreth Berishës po mblidhen më tepër kundërshtarët e Bashës, që u lanë jashtë strukturave të PD-së apo dhe kryesisë, por jo të gjithë.

Ish-kryeministri ka nisur një betejë që nënkupton takimet me bazën, një lëvizje për rrëzimin e Bashës. Pyetja që shtrohet, këtë lëvizje Berisha e ndërmerr për të marrë vetë drejtimin e PD-së apo për t’ia lënë ndonjë besniku?

Shumë pak e besojnë te një rikthim i mundshëm i Berishës në krye të PD-së, madje të tjerë kanë hedhur tezën se ai mund të propozojë një emër për t’ia marrë Bashës drejtimin e partisë dhe për të caktuar kryetarin e ri të PD-së. Kjo nënkupton një kryetar formal duke e pasur nën kontroll partinë më të madhe të opozitës. Nga kjo përplasje e fortë brenda radhëve të demokratëve, siç është edhe shprehja një i tretë mund të përfitojë, pasi rikthimi i Berishës në krye të PD-së është edhe linja e kuqe e SHBA-së.

Të shumta janë teoritë se cili mund të jetë emri i Berishës për kreun e PD-së. Qarkullojnë emra që mund të jetë brenda apo jashtë grupit parlamentar të PD-së. Bujar Nishani, Edi Paloka apo Edit Harxhi mund të shihen edhe si njerëzit e Berishës për t’i përdorur për shfronësimin e Bashës. Kohët e fundit kemi parë një afrim dhe aktivizim të Edit Harxhit me Berishën.

Ajo njihet si njeriu më pranë Berishës dhe prej ditësh ka nisur sulmet ndaj Bashës, duke përdorur të njëjtat teza. Së fundmi ajo u shfaq me Berishën edhe në ceremoninë e organizuara orët e vona për nder të Azem Hajdarit, së bashku me Lëvizjen e “Dhjetorit ‘90”. “I paharruar qoftë kujtimi i Udhëheqësit të Lëvizjes Studentore Shqiptare dhe Kryetarit të Parë të Partisë Demokratike Z. Azem Hajdari. Sfida të reja na presin. Ta bëjmë PD-në demokratike! Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Liria fiton! #tëringrejmëPD”, do të shkruante Harxhi në një postim në rrjetet sociale.

Pikërisht hashtagu të ringrejmë PD është edhe thirrja që Berisha ka ndërmarrë për të rrëzuar Bashën.

Vetë Harxhi e pyetur në emisionin “Breaking” në Top News pak ditë më parë nëse mendonte se Berisha mund të merrte drejtimin e PD-së, do të deklaronte se nuk e besonte dhe se kjo varej nga mosha biologjike e Berishës. Kjo mund të shihej edhe si një sinjal i rivales së Bashës për kreun e PD-së, për të tentuar sërish për t’ia marrë fronin e liderit të opozitës.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore