Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

A do të ketë një "martesë" të dytë politike Rama-Basha?

A do të ketë një "martesë" të dytë

Në kushtet e një përplasje të fortë brenda PD-së, kryedemokrati Lulzim Basha shpalli paketën e ndryshimeve kushtetuese, e cila për t'u miratuar në Parlament duhet patjetër dhe konsensusi i socialistëve.

Tri janë shtyllat e propozimit, një vetting në politikë, ndryshim i sistemit zgjedhor dhe ndarja e re administrative territoriale. Një nismë të cilën opozita po e ndërmerr pikërisht ku ka ngritur tezën e masakrës zgjedhore më 25 prill dhe po kërkon të hyjë në sistemin zgjedhor dhe në synimin e ndarjes së re të bashkive, duke rikthyer komunat apo bashkitë rurale.

Partia Socialiste nuk i ka refuzuar apriori propozimet e PD-së, duke kërkuar që më përpara të njihet me draftin e plotë.  Më këtë qëndrim të artikuluar nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, mazhoranca nuk ia mbylli derën opozitës, duke pranuar që të diskutojnë.

Nga ana tjetër edhe kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për median me ambasadorin e BE-së, Soreca lëshoi sinjalin se negocion, duke i vendosur "kushtin" se nuk flet në anglisht me kundërshtarët e tij politik.

"Nëse të tjerët kanë ide të kësaj natyre jemi të hapur ta diskutojmë. Në këtë vend, dialog mes qeverisë dhe opozitës në anglisht nuk do të bëhet më. Nuk kemi arsye të vendosim në pozitë partnerët tanë. Ne nuk kemi pse të flasim anglisht, por shqip, se ne kemi gjuhën tonë. Dialogje më anglisht mes shqiptarësh mund të ketë, por pa praninë time dhe të PS për aq kohë sa Shqipëria do të drejtojë vendin dhe unë do të jem në krye të saj”, tha Rama.

Përballë këtyre zhvillimeve, po aludohet për firmosjen e një pakti të madh PD-PS,  i cili mund të çojë edhe te ndonjë takim mes Ramës dhe Bashës. Pra po përflitet përsëritja e një 17 maji të dytë e vitit 2017. Por nëse do të ketë një takim Rama-Basha, pikëpyetjet mund të ngrihen nëse do të diskutojnë vetëm për ndryshimet kushtetuese, apo do të ketë një pakt që shkon përtej asaj që propozohen nga Partia Demokratike.

Vetë Basha në konferencën e sotme për shtyp nuk e mohoi një ballafaqim "sy më sy". "Pa diskutim që ne ulemi për të çuar përpara plotësimin e këtyre amendamenteve kushtetuese. Nuk shkojmë aty me qarkun e pushkës për të thënë firmosni tani. Nëse kanë diçka të vlefshme për të shtuar, le ta shtojnë, nëse kanë pyetje, le të pyesin. Ama këtë do ta zhvillojmë në sytë e gjithë shqiptarëve", tha kryedemokrati, duke shmangur përsëritjen e skemës "tet a tet" me Ramën në sallën e katit të katërt të Kryesisë së Kuvendit.

Do të shihet nëse ky pakt i ri PS-PD do të çojë drejt një bashkëqeverisje mes dy partive? Vetë Rama në diskutimet në Parlament e thumbuar jo pak Bashën, duke i kërkuar  që "të shkëputet nga Berisha dhe më pas të bëjnë një bashkëqeverisje", edhe pse rivali i tij politik e ka refuzuar, të paktën publikisht./ Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

 
Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore