Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

7 viktimat e tërmetit te pallati i Konomëve, Prokuroria: 3 fajtorët vdiqën nuk i dënojmë dot

7 viktimat e tërmetit te pallati i Konomëve, Prokuroria: 3

Prokuroria e Durrësit ka shpallur katër fajtorë për shembjen e pallatit të Konomëve më 26 nëntorit të vitit të shkuar, por se nuk i dënon dot, pasi projektuesit dhe inxhinerët kanë ndërruar jetë,

“Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal për të shtatë viktimat. Mirëpo nga verifikimet e kryera e konkretisht nga certifikatat e vdekjes të administruara në dosjen hetimore, rezultoi se shtetasit Zylfi Xhelili, Shyqyri Krymbi dhe Selim Ushina kanë vdekur dhe si të tillë, bazuar në kërkesat e nenit 328/1/ë të Kodit të Procedurës Penale hetimet ndaj këtyre shtetasve nuk mund të vazhdojnë dhe duhet të pushohen”, thuhet në dosjen e siguruar nga Gazeta “Shqip”.

Në tragjedinë e 26 nëntorit, nga shembja e pallatit në Durrës kanë humbur jetën Eduart Reçi, Dolora Reçi, Kristi Reçi, Klaus Reçi, Rozeta Meçaj, Diena Karanxhaj dhe Esiela Karanxhaj.

Shkaqet e shembjes së godinës 6 kashtëse në Durrës, sipas prokurorisë janë: “Mosrespektimi i projektit konstruktiv gjatë zbatimit të objektit 5 kat, veçanërisht sasia e pamjaftueshme e armaturës së hekurit në kolonat e katit përdhe; Kati shtesë (me leje ndertimi) është projektuar për t’u ndërtuar mbi një strukturë që nuk ishte llogaritur për të përballuar ngarkesa shtesë vertikale, të cilat kanë sjellë rritjen e peshës/masës së saj dhe për rrjedhojë rritjen e forcave sizmike që kanë vepruar gjatë tërmetit të 26 Nëntor 2019”.

Pjesë nga konkluzionet e prokuorisë

Objekti i banimit gjashtëkatësh, pallati nr.1650, (Pallati i Konomëve), afër ish-“Kryqit të Kuq”, lagjia nr.18, Durrës, nga shembja e të cilit kanë humbur jetën shtetasit Eduart Reçi, Dolora Reçi, Kristi Reçi, Klaus Reçi, Rozeta Meçaj, Diena Karanxhaj dhe Esiela Karanxhaj.

Nga hetimet e zhvilluara rezuloi se ky objekt fillimisht është projektuar për pesë kate dhe është ndërtuar në periudhën viti 1993 - 1996, sipas lejes së ndërtimit me Nr. 4/10/93 Prot, (Vendim i KRRT Nr.11 datë 22.09.1993) për “Objektin 5 katësh”, lëshuar në emër të subjektit ndërtues Vasil Muka, me investior shtetasin Perikli Konomi. Leja e ndërtimit për këtë objekt, është miratuar godinë banimi e përbashkët me pesë kate, kati i parë garazh dhe dyqane. Mirëpo ky objekt për shkak të mosmarrëveshjeve midis investitorit dhe subjektit ndërtues, nuk është ndërtuar nga shtetasi Vasil Muka, por nga Ing. Zylfi Xhelili, i cili ka zbatuar të gjithë punimet e ndërtimit deri në katin e pestë. 

Më pas, në vitin 1996, shtetasi Perikli Konomi, i është drejtuar me një kërkesë Këshillit të Rrethit Durrës, për shtimin e një kati ndërtim mbi objektin ekzistues, kërkesë e cila është miratuar dhe është lëshuar Leje Ndërtimi Nr. 8/10/96 (Vendim i KRRT Nr.9 datë 27.09.1996), për objektin “Banesë 5 katëshe – shtesë kati i 6”, lëshuar në emër të subjektit ndërtues Selim Ushina. Pas përfundimit të ndërtimit, objekti rezulton i regjistruar pranë ASHK Durrës, me Nr. Pasurie 16/247, në ZK  8511, por për këtë pasuri për shkak të mungesës së disa akteve dhe të aktit të kolaudimit të objektit, është vendosur kufizim i pasurive, i cili me urdhrin Nr.5702 datë 21.11.2012, është lënë përsëri në fuqi për të njëjtin shkak, për pasuritë e shtetasit Perikli Konomi, ndërsa për shtetasit e tjerë që kanë blerë apartamente në këtë objekt kufizimi i pasurive është hequr.

Në interes të hetimit nga ana jonë janë marrë dhe janë administruar me procesverbal të rregullt, kopje të dokumenteve të gjendura pranë Arkivës së Këshillit të Rrethit Durrës dhe pranë ASHK Durrës, lidhur me këtë objekt si më poshtë:

Leja e ndërtimit e tipit Formular Nr.1 me Nr.Prot.4/10/93, pa vulë.; Planimetria e objektit, pa vulë; Kërkesë për shtesë kati; Leje ndërtimi, pa vulë, pa datë dhe Nr.prot; Vendimi Nr.9 datë 19 e 27.09.1996 i KRRT Durrës; Procesverbal i Urbanistikës Bashkia Durrës, për kontrollin e ushtruar në objektin e Perikli Konomi, nënshkruar nga Inxhinier Sabri Kalatsi; Kërkesë Këshillit të Rrethit Durrës, për shtimin e katit të gjashtë, Nr.1030 datë 26.08.1996; Projekt shtesë kati 6, autor Shyqyri Krymbi; Plan nivelimi; Kartela të pasurive të apartamenteve në këtë pallat; Vërtetim hipotekor Nr.7387 datë 03.01.1996, për pasurinë dyqan i katit përdhe Nr.16/247, ZK 8511; Urdhër regjistrimi me Nr.5702 datë 21.11.2012.

Në interes të hetimit të kësaj çështjeje penale, janë thirrur dhe pyetur banorët e këtij pallati, shtetasit Leonard Taçe, Violeta Dodaj, Ajet Meçja, Leonard Konomi, Edison Konomi, Perikli Konomi, etj,. Nga të dhënat e marra rezulton se investitor në ndërtimin e këtij pallati ka qenë shtetasi Perikli Konomi, i cili ka blerë truallin dhe më pas në këtë objekt ka marrë leje ndërtimi me ndërtues Vasil Muka, i cili ka kryer punime vetëm për hapjen e bazamentit të ndërtimit dhe ka ndërprerë punimet pasi nuk janë marrë vesh me investitorin në lidhje me pagesat.

Më pas ndërtimin e objektit e ka marrë përsipër dhe e ka kryer kompania e ndërtimit të shtetasit Zylfi Xhelili duke përfunduar punimet sipas lejes së ndërtimit. Më pas, për katin shtesë ka marrë leje me ndërtues shtetasin Selim Ushina.

Nga ana e shtetasit Ajet Meçja pretendohet se mbi katin e gjashtë është bërë shtesë në formë papafingo me dy apartamente ku banonin djemtë e Perikliut. Po kështu pretendohet se nga ana e Perikliut janë bërë punime edhe në ambientet e katit të parë duke hequr mure dhe zgjeruar lokalin dhe një pjesë të parkimit e ka bërë fabrikë akulli.

Nga ana e tyre shtetasit Perikli, Leonard dhe Edison Konomi deklarojnë ndër të tjera se në lidhje me papafingot e bëra, ato kanë qenë në projektin e miratuar me leje ndërtimi, ku është përcaktuar me çati të shfrytëzueshme. Ndërsa në lidhje me punimet e bëra në katin e parë ata deklarojnë se gjatë kohës që ka funksionuar si lokal “Ice Club”, nuk kanë bërë punime që cenojnë kostruksionin e objektit.

Më tej, në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe është administruar dokumentacion, të tilla si: Këqyrja e vendit të ngjarjes së bashku me tabelat fotografike përkatëse; Marrja e mostrave të hekurit dhe betonit në rrënojat e këtij objekti; Analizat laboratorike të cilësisë së hekurit dhe betonit; Informacion nga Instituti i Gjeoshkencave Energjisë, Ujit dhe Mjedisit lidhur me lëkundjet e tërmetit të datës 26.11.2019; Kryerja e një ekspertimi lidhur me Studimin Sizmiologjik të sheshit të ndërtimit; Kryerja e një ekspertimi lidhur me Studimi Gjeologjik të sheshit të ndërtimit; Kryerja e një ekspertimi Inxhinieriko Teknik lidhur me shkaqet e shembjes së objektit; Dokumentacioni tekniko-ligjor i objektit,etj.

Nga Akt Ekspertimi Teknik Korrik 2020, ka rezultuar ndër të tjera: Referuar projektit konstruktiv të pallatit nr.1650, afër “Kryqit të Kuq”, Lagjia nr. 18, Durrës, hartuar nga B.S.P. Durrës, rezulton që ky projekt është një ripunim i Tip 82/2.Pallati nr.1650, afër “Kryqit të Kuq”, është realizuar sipas një projekti për ndërtesë 5 kat me strukturë mbajtëse ramë beton arme monolite.

Pra, elementët beton arme janë të derdhur në vend. Marka e betonit referuar në projekt është M-200 (për themelet M-150). Duke konsideruar uljen e markës së betonit, është rritur ndjeshëm armimi i kolonave. Distancat midis kolona (nga aksi në aks) ndryshon nga projekti origjinal.

Sipas projektit të pallatit nr.1650, afër “Kryqit të Kuq”, themelet e strukturës janë të realizuar me plinta me dy shkallëzime, me dimensione në plan 250x250cm dhe 140x140cm, me lartësi 55cm (PL-1) për kolonat perimetrale të pozicionuara në veri dhe në jug, më tëj 280x280cm dhe 160x160cm, me lartësi 55cm (PL-2) për kolonat e mesit, 280x315cm dhe 160x195cm (PL-3),  280x305cm  dhe 160x185cm, me lartësi 55cm (PL-3a) për kolonat ngjitur me objektin 5 katësh të ndodhur në fasadën perëndimore.

Plintat perimetral lidhen në kokë me tra beton arme me dimensione (bxh) 30x40cm. Plintat janë betonuar me beton M-150. Thellësia e vendosjes së plintit është -2.30m nga sipërfaqja e terrenit natyror. ….. Bazuar në Procesverbalin e Rikqyrjes së Vendit të Ngjarjes themeli tip plint beton arme nën kolonën të specifikuar në fig.15 dhe siç tregohet në fig.14, është me dy shkallëzime me dimensione përkatësisht 200x200x60cm dhe shkallëzimi i dytë 140x140x60cm. Pra, dimensionet e themeleve nuk janë zbatuar sipas atyre të përcaktuar në projektin e zbatimit.

Të gjitha kolonat janë të vendosura sipas akseve paralel, dhe janë me dimensione 30x40cm. Armimi i tyre varion në bazë të pozicionit ku janë vendosur. Nga matjet në terren të sasisë së armaturës dhe diametrave të shufrave, nga grupi i ekspertëve konstatohet ndryshim midis projektit dhe zbatimit të ndërtesës.

Në projektin e ripunuar mungon detaji i armimit të kolonave, por duke ju referuar fitilave të kolonave në katin përdhe në projekt dhe atyre të ndodhura në sheshin e ndërtimit (nga kqyrja e sheshit nga grupi i ekspertëve në datat 26.05.2020 dhe 14.07.2020), vihet re se në projekt fitilat e kolonave në plintin (PL-1) janë 10?20+2?16 dhe ato në plintat e tjerë 10?24+2?16, ndërsa në fakt fitilat e kolonave rezultojnë të gjitha 10?20+2?16.

Projekti i shtesës së katit të gjashtë me mbulesë me çati

Në objektin pallat nr.1650, afër “Kryqit të Kuq”, ndodhur në lagjen 18, Durrës, është bërë një shtesë kati, sipas Lejes së ndërtimit me Vendim KRRT. të Rrethit Durrës, Nr.9, datë 27.09.1996, për objektin “Banesë 1-katëshe, shtesë kati i gjashtë”, dhënë zbatuesit të punimeve Selim Ushina, me financues Perikli Konomi, nënshkruar nga Kryetari i Këshillit të Rrethit Z. Vasillaq Papaj. Për këte shtesë kati është hartuar projekti i zbatimit nga Ing. Shyqyri Krymbi, me liçencë nr. A-0096. Siç shikohet në shënimet e projektit të zbatimit, shtesa e katit të pestë (kati i gjashtë + çati) ngrihet mbi seksionin ekzistues.

Për këtë kat ruhet arkitektura e godinës si dhe punimet e rifiniturës. Mbulesa është me çati dekorative, me katër pjerrësi, mbuluar me tjegulla vendi. Lartësia e katit shtesë është e njëjtë me katet e mëposhtme, ndërsa çatia ka lartësinë (kulmi i çatisë) 2.54m. Referuar pamjeve të ortofotove, vihet re se catia nuk është zbatuar në të gjithë sipërfaqen e katit të gjashtë, duke zvogëluar sipërfaqen e mbulimit të saj përgjatë përimetrit të objektit. Ajo është mbështetur mbi mure perimetral të ndërtuara me tulla me vrima.

Struktura mbajtëse e shtesës

Shtesa e katit të gjashtë+çati është realizuar sipas një projekti për një strukturë mbajtëse ramë beton arme monolite. Janë ruajtur të njëjtat akse kolonash si në katet e mëposhtme (të ndërtesës 5 kate). Të gjitha kolonat janë me dimensione 30x40cm. Armimi i tyre varion në bazë të pozicionit ku janë vendosur. Në shënimet teknike të fletës së paraqitur në fig.27, e konkretisht në pikat 1 dhe 2 te saj vihet re se sipas projektuesit Ing. Shyqyri Krymbi, elementët mbajtës të ndërtesës 5 kate janë llogaritur duke marre në konsideratë ngarkesat e objektit për 6 kate. Por për këtë nuk gjendet asnjë shënim apo referencë në projektin e zbatimit të ndërtesës 5 kate të hartuar nga B.S.P. Durrës.

Soletat

Bazuar në projektin teknik të shtesës së katit (siç vihet re në fig.27), soletat janë të tipit të parapërgatitura me vrima. Në dokumentet e administruara në dosje, nuk gjendet projekti i detajuar i çatisë hartuar nga projektuesi (detaje të konstruksionit mbajtës të çatisë). Duke ju referuar pikës 2 të lartëcituar (marre nga shënimet e fig.27), planit të strukturave të katit tip (fig., tarracës së ndërtesës 5 kate dhe soletës në kuotën +18.32m (tarracës së katit shtesë), vihet re se ndryshon ngarkesa e normuar.

Pra, soleta e tarracës së ndërtesës 5 kate (e cila më pas ka shërbyer si dysheme për katin shtesë) është projektuar nga B.S.P. Durrës për një ngarkesë të normuar Pn=75kg/cm2 (që i përgjigjet ngarkesës për soleta çatie dhe nënçatie të pashfrytëzueshme) dhe jo për një ngarkesë Pn=150kg/cm2 (që i përgjigjet ngarkesës për soletë të shfrytëzueshme për banim), siç shënohet në projektin e shtesës hartuar nga Ing. Shyqyri Krymbi.

Raporti mbi Kushtet Gjeologo-Inxhinierike të sheshit të ndërtimit ku ka qenë ndërtuar pallati nr.1650, afër Kryqit të Kuq, konstatojmë se themelet e ndërtesës kanë qenë të mbështetura në një taban (formacion gjeologjik) me karakteristika fiziko mekanike mjaft të dobëta dhe me prezencë të lartë të ujërave të kripura dhe agresive karshi hekurit dhe betonit.

Sa më sipër, në këto raste për ndërtimin e ndërtesave shumëkatëshe është e domosdoshme marrja në konsideratë dhe realizimi i masave përmirësuese të posaçme me qëllim rritjen e aftësisë mbajtëse dhe shpërndarjen uniforme të ngarkesave në taban, por edhe në zgjedhjen e klasës së betonit i ndodhur në prani të ujërave agresive.

Grupi i ekspertëve, duke ju referuar këtyre provave laboratorike si dhe këqyrjes së mostrave të marra në objekt, shpreh mendimin se: Karakteristikat e betonit dhe të çelikut të përdorur për ndërtimin e strukturës beton arme të objektit “Pallati nr.1650, 6 kate afër Kryqit të Kuq”, lagjia 18, Durrës, plotësojnë kërkesat e specifikuara në projektin e zbatimit.

Armimi i kolonave të katit përdhe që rezulton sipas faktit (nga këqyrja në vend) tregon që nuk është respektuar armimi i kolonave dhënë sipas projektit të administruar në dosje për këtë objekt. Tabela e mësipërme evidenton faktin që, duke krahasuar armimin që rezulton nga modelimi strukturor për objektin 5 kat dhe 6 kat, armimi sipas faktit është konsiderueshëm me i vogël. Kjo diferencë e armaturës së hekurit në kollonat e objektit, ka ndikuar në uljen e aftësisë mbajtëse të strukturës te objektit 5 kat dhe akoma me tepër me shtesën e katit të gjashtë.

Pas përfundimit të punimeve të shtesës së katit të gjashtë, në zbatim të ligjit nr. 7693, datë 06.04.1993 “Për urbanistikën” i ndryshuar, nga Seksioni i Urbanistikës Durrës është mbajtur një Proces verbal, në datën 08.08.1999, mbi kontrollin e ushtruar në objektin Perikli Konomi shtesë kati me 6 (gjashtë) kate të pronarit Perikli Konomi, mbajtur nga Inxhiner Sabri Kalatsi, me anë të së cilës vërtetohet se objekti është ndërtuar si karabina, duke lejuar investitorin të kryejë veprimet e nevojshme ligjore për njohjen e tij. Referuar dokumenteve të administruara në dosjen hetimore rezulton se pronarët e truallit kanë ndjekur procedurat e përcaktuara në ligjin nr. 7693, datë 06.04.1993 “Për urbanistikën” i ndryshuar, për t´u pajisur me Leje Ndërtimi si për ndërtesen 5 kat, ashtu edhe për shtesën e katit të gjashtë me mbulesë çatie.

Në dosjen hetimore, gjenden disa dokumente tekniko-ligjore në zbatim të ligjit nr. 7693, datë 06.04.1993 “Për urbanistikën” i ndryshuar, për t´u pajisur me Leje Ndërtimi si për ndërtesën 5 kat, ashtu edhe për shtesën e katit të gjashtë me mbulesë çatie. Sa i përket procesit të zbatimit konstatohen mangësi në dokumentacion në përputhje me kërkeksat e ligjit Nr.7720, dt. 14.06.1993, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” ndryshuar dhe Kushtet Teknike të Zbatimit. Si konkluzion, Pallati nr.1650, 6 kat afër Kryqit të Kuq, lagjia 18, Durrës nuk është Zbatuar dhe Kolauduar në përputhje me kërkesat e kuadrit ligjor në fuqi në vendin tonë në kohën e kryerjes së ndërtimit.

Sa më sipër, mos respektimi i projektit konstruktiv gjatë zbatimit të objektit 5 kat dhe projektimi jo i saktë i katit shtesë, duke mos marre në konsideratë mangësitë e zbatimit të objektit 5 kat apo masa të nevojshme përforcimi, kanë qenë faktor deciziv në shembjen e objektit në veprimin sizmik të shkaktuar nga tërmeti i 26 Nëntor 2019.

Konkluzion  

Referuar argumenteve të mësipërme dhe rezultateve të analizës strukturore, rezulton që shkaqet kryesore që kanë sjellë shembjen e “Pallatit gjashtëkatësh afër Kryqit të Kuq, Lagjia 18, Durrës” kanë qenë:

Mosrespektimi i projektit konstruktiv gjatë zbatimit të objektit 5 kat, veçanërisht sasia e pamjaftueshme e armaturës së hekurit në kolonat e katit përdhe.

Kati shtesë (me leje ndertimi) është projektuar për t’u ndërtuar mbi një strukturë që nuk ishte llogaritur për të përballuar ngarkesa shtesë vertikale, të cilat kanë sjellë rritjen e peshës/masës së saj dhe për rrjedhojë rritjen e forcave sizmike që kanë vepruar gjatë tërmetit të 26 Nëntor 2019.

Nisur nga sa më sipër në lidhje me shkaqet e shembjes së pallatit 6 katësh afër “Kryqit të Kuq”, lagjia 18, Durrës, rezulton se pronarët e truallit kanë ndjekur procedurat e përcaktuara në ligjin nr. 7693, datë 06.04.1993 “Për urbanistikën” i ndryshuar, për t´u pajisur me Leje Ndërtimi si për ndërtesen 5 kat, ashtu edhe për shtesën e katit të gjashtë me mbulesë çatie.

Nga ana tjetër nga hetimi rezultoi e provuar se shembja e këtij objekti ka ardhur si shkak i veprimeve apo mosveprimeve të shtetasve të mëposhtëm:

Shtetasi Zylfi Xhelili, me detyrë inxhiner dhe hartues i planimetrisë së pesë kateve si dhe zbatues i ndërtimit të objektit 5 kate, i cili nuk ka respektuar projektin konstruktiv gjatë zbatimit të objektit 5 kat, veçanërisht nëpërmjet sasisë së pamjaftueshme të armaturës së hekurit në kolonat e katit përdhe.

Shtetasi Shyqyri Krymbi me detyrë inxhiner projektues gjatë hartimit të projektit të shtesës mbi katin e pestë (kati i gjashtë + çati) nuk ka llogaritur saktë për të përballuar ngarkesa shtesë vertikale, të cilat kanë sjellë rritjen e peshës/masës së saj dhe për rrjedhojë rritjen e forcave sizmike që kanë vepruar gjatë tërmetit të 26 Nëntor 2019 dhe

Shtetasi Selim Ushina, me detyrë inxhiner dhe ndërtuesi i objektit, që lidhet me katin shtesë të objektit dhe konkretisht katin e gjashtë + çati, ka ndërtuar pa marrë parasysh standardet dhe rregullat teknike në fushën e ndërtimit.

Siç shikohet edhe më lart, shtetasit Zylfi Xhelili, Shyqyri Krymbi dhe Selim Ushina me dashje direkte e kanë kryer projektimim dhe ndërtimin e objektit pesëkatësh, më pas edhe të katit shtesë + çatisë në kundërshtim me kushtet teknike të vendosura të Republikës së Shqipërisë (KPT dhe KTZ), për projektimin dhe zbatimin e punimeve në ndërtim. Këta shtetas duke besuar tek aftësitë e tyre në projektimin dhe ndërtimin e këtij objekti, si dhe duke besuar se objekti mund të jetë i qëndrueshëm nga pikëpamja teknike, kanë arritur të projektojnë dhe zbatojnë ndërtimin e një objekti, i cili me rënien e tërmetit të datës 26.11.2019, ka sjellë si pasojë vdekjen e shtatë personave, të cilët banonin aty. Ky termet sipas akteve ne fuqi ne R. Shqiperise ishte i pritshëm dhe i parashikueshëm në standardet e ndërtimit.

Pasojat kanë ardhur nga pakujdesia, pasi ata nuk i kanë parashikuar pasojat që mund të vinin, megjithëse sipas rrethanave në të cilat është kryer projektimi dhe ndërtimi ata duhet ti parashikonin ato. Për këtë arsye me veprimet e tyre ata kanë konsumuar elementët e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia”, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal për të shtatë viktimat. Mirëpo nga verifikimet e kryera e konkretisht nga certifikatat e vdekjes të administruara në dosjen hetimore, rezultoi se shtetasit Zylfi Xhelili, Shyqyri Krymbi dhe Selim Ushina kanë vdekur dhe si të tillë, bazuar në kërkesat e nenit 328/1/ë të Kodit të Procedurës Penale hetimet ndaj këtyre shtetasve nuk mund të vazhdojnë dhe duhet të pushohen.

Së fundi rezultoi se edhe shtetasi Sabri Kalatsi, inxhiner dhe Përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës në kundërshtim me ligjin ka nënshkruar Lejen e shfrytëzimit dt. 24.11.199 për objektin e mësipërm, pa pasur më parë të gjithë dokumentacionin tekniko-ligjor.  Me këto veprime të kryera ky shtetas ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, por  siç shihet edhe me lart, kjo vepër penale është kryer në vitin 1999 (përpara më shumë se dhjetë vitesh) dhe bazuar në kërkesat e nenit 66/c të Kodit Penal nuk mund të ushtrohet ndjekje penale për këtë vepër kur kanë kaluar më shumë se dhjetë vite nga kryerja e saj./ Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore