Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

4 gazetarë fitojnë çmimet e BE për gazetarinë investigative, në mes tyre Anila Hoxha e Esmeralda Keta

4 gazetarë fitojnë çmimet e BE për gazetarinë

Gazetarja Luljeta Progni e ABC News fitoi çmimin e parë të Bashkimit Evropian për gazetari investigative për vitin 2020, u zbulua në ceremoninë e dhënies së çmimeve në Tiranë të mërkurën. Progni fitoi çmimin për kronikën “Skllevërit e naftës” [Link] që vendos në qendër të saj historitë njerëzore të naftëtarëve shqiptarë që prej vitesh luftojnë për të drejtat e punës dhe statusin e tyre.

Juria ia akordoi çmimin Prognit me motivacionin: “Kronika është përgatitur me kujdesin e një gazetareje me përvojë dhe në një këndvështrim njerëzor që rrallë e gjen në median shqiptare, ndërsa sjell në vëmendje një fenomen nëpërmjet historive e rrëfimeve të vetë personazheve.”

Progni falënderoi stafin e emisionit dhe ia dedikoi fitoren të gjithë kolegëve gazetarë. “Është një nxitje për të ecur përpara në një mjedis jo shumë të lehtë,” tha Progni.

Gazetari Geri Emiri fitoi çmimin e dytë për një seri shkrimesh që raportojnë mbi pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019 që goditi Shqipërinë perëndimore, kryesisht Durrësin. Shkrimet trajtojnë çështjet e ndërhyrjeve të pakontrolluara nëpër ndërtesa, të cilat kushtuan jetë njerëzish, mbi dëmet në trashëgiminë kulturore nga tërmeti dhe procesi i rindërtimit si dhe mbi pasojat e tërmetit mbi jetët e qytetarëve të dëmtuar.

“Shkrimet janë drejtuar nga interesi publik dhe janë në vetvete një kërkim i mirëfilltë lidhur me shkaqet dhe pasojat e ndërhyrjeveve, pasuruar me burime, intervista dhe elemente investigative,” shkroi juria në motivimin e dhënies së çmimeve.

Gazetaret Anila Hoxha dhe Esmeralda Keta të Top Channel fituan çmimin e tretë për shkrimin: “Qeveria ‘manipuloi’ bilancin e ndihmave për shtresat në nevojë gjatë Covid 19”, një hulumtim që u krye mes kushteve të vështira të krijuara nga pandemia e koronavirusit dhe që trajtoi problemet e lidhura me mbështetjen ndaj familjeve të varfra dhe përgjigjen e administratës shtetërore lidhur me këtë. “Shkrimi vjen si rezultat i përpjekjeve shumë profesionale dhe bazuar në fakte të dy gazetareve për të hedhur dritë mbi fenomenin e abuzimit me ndihmat,” shkroi juria.

Hoxha tha se shpresonte që ky çmim të jetë inkurajim për të gjithë kolegët “për të investiguar dhe për të gjetur të vërtetën.” Keta shtoi se çmimet vijnë në një kohë kur “të thuash të vërtetën është bërë pothuajse e pamundur”.

Çmimet e Bashkimit Evropian për Gazetari Investigative jepen nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative. Një juri e pavarur, e përbërë këtë vit nga Albana Kasapi, gazetare e BBC, Idro Seferi, korrespondent i Deutsche Ëelle dhe televizionit publik zciveran në Beograd dhe Elira Çanga, gazetare dhe eksperte e zhvillimit të medias në Tiranë, përcaktuan fituesit këtë vit mes 19 aplikimeve të 22 gazetarëve.

Drejtoresha Rajonale e BIRN Marija Ristiç falënderoi kandidatët dhe fituesit: “Në emër të BIRN dhe të Delegacionit të BE-së, faleminderit që jeni trima dhe vijoni të hetoni abuzimet dhe korrupsionin dhe të mbani të fuqishmit përgjegjës pavarësisht të gjithë presioneve që janë të pranishme në të gjithë rajonin por veçanërisht këtu në Shqipëri, nga qeveritë apo oligarkët apo të tjerë” tha Ristiç.

Alexis Hupin, Drejtues i Seksionit Politik në Delegacionin e BE-së në Tiranë, theksoi se çmimet jepen “në mirënjohe për punën e mirë të bërë në gazetarinë investigative”. “Gazetaria investigative nuk duhet të merret si e mirëqenë gjithandej,” tha Hupin. “Për shembull, unë vi nga zona frëngjishfolëse e Belgjikës dhe mund të them se ne mund të mësojmë nga puna që bën BIRN këtu,” shtoi ai.

Kryetarja e jurisë Albana Kasapi vlerësoi kandidatët për çmime në tërësi. “Këtë vit u kënaqa me të vërtetë shumë pasi lexova shkrime shumë të mira,” tha Kasapi. Çmimet e Bashkimit Evropian për gazetarinë investigative jepen në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi për të fuqizuar dhe mbështetur gazetarinë e pavarur dhe gazetarët investigativë./BIRN

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore