Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

25 vite nga zhdukja/ Flet për Shqip i biri i Remzi Hoxhës: I kemi të gjithë faktet, nëse do SPAK, përgjegjës është Sali Berisha!

25 vite nga zhdukja/ Flet për Shqip i biri i Remzi Hoxhës: I kemi

25 vite nga zhdukja e Remzi Hoxhës, nga ajo ditë e kobshme e 21 tetorit 1995, familjarët e tij kanë vendosur të ndërtojnë varrin dhe memorialin e të dashurit të tyre pa eshtrat e tij. Të cilët shteti shqiptar nuk ja ka dhen mundësinë që t’i kenë. Edhe pse mundësia edhe filli për t’i gjetur janë aty. Janë bërë kaq shumë dokumentarë, shkrime, hetime, seanca gjyqësore deri edhe ndërkombëtare, por që ka qenë pikërisht kupola e shtetit shqiptar që ka ndihmuar të vërtetën.

I biri i Remzi Hoxhës, Ardiani, në një intervistë për “Shqip”, i përmend me emër të gjithë politikanët që nuk kanë bërë atë që duhet për të zbardhur të vërtetë, megjithëse kanë pasur mundësi. Por ardiani nuk ka dilemë për përgjegjësin: “është Sali Berisha”, thotë dhe bë të ditur se zotëron të gjitha faktet që mund të sjellin të vërtetën nëse hapet hetimi nga SPAK. Por ai natyrisht nuk ka shpresë dhe ndoshta ka arsye për një mallkim që i vjen nga shpirti: “Haram u qoftë gjaku i babait tim”, kjo është një turp për Shqipërinë pasi Remzi Hoxha luftoi pikërisht për vlerat e lirisë dhe flamurin...

I nderuar Ardi, ti tashmë je një emër i njohur i shoqërisë dhe i sipërmarrjes së Kosovës, një personazh që je bërë i njohur për novacionet e teknologjisë dhe shërbimet, arsimin etj, por ne në Shqipëri të njohim si djalin e Remzi Hoxhës, edhe për faktin se prej shumë vitesh e ke mbajtur ti betejën me “Murin që S’bzan” për një të drejtë të që gjithkujt i takon, që shumë shqiptarë prej 1999 e kërkojnë në Serbi e ti e kërkon në shtetin tënd në Shqipëri: një varr për babain tënd, të ndjerin Remzi Hoxhën. Më lejohet të pyes, a ju janë tharë lotët?

Është e vërtetë Ylli dhe sot bëhen 25 vjet që familja jonë përpiqet t'i gjejë eshtrat e babait tim. Dhembja është shumë e madhe dhe ketë dhembje e kuptojnë më së miri ata që kanë familjarë të zhdukur. Është shumë e dhimbshme kur na vdes ndonjë familjar, e sidomos në moshë të re, këtë mendoj se e kanë përjetuar shumë familje dhe mund ta kuptojnë, por kur ke një familjar të zhdukur, në moshë të re, dhe nuk e din as varrin ku e ka është shumëfish më e vështirë dhe nuk mund ta përshkruash.

25 vite nga zhdukja/ Flet për Shqip i biri i Remzi Hoxhës: I kemi

Plagën do e kemi gjithmonë për humbjen tonë, por shpirti do na flejë më rehat kur t'ia bëjmë varrin babait tim dhe kur t'i vijnë eshtrat. Ne kemi humbur një baba, burrë, vëlla dhe djalë, pra kemi humbur një familjarin tanë, por humbje edhe me e madhe është për kombin tonë ,sepse historia do e tregojë veprimtarinë e tij e cila iu ndal në gjysmë. E ka pritur të keqen edhe ai nga shteti serb, por që e keqja do i vijë nga Shqipëria mëmë, asnjëherë. Kjo është që gjithë familjes dhe bashkëveprimtarëve të babait tim na dhemb më së shumti. Ky është një turp që do e mbajë Shqipëria dhe gjithë klasa politike e institucionet e drejtësisë.

Serbia dihet botërisht që po fsheh eshtrat e personave të vrarë në luftën e Kosovës, por edhe Shqipëri po bën të njëjtën dhe kjo është shumë e dhimbshme dhe njëkohësisht për të ardhur keq.

Ju si familje do të flisni edhe në konferencën e shtypit për 25 vjetorin e masakrës më të rëndë që një shtet ka kryer prej vitit 1990 ndaj një shqiptari, por unë do doja të pyesja hapur. Keni kërkuar të dënohen fajtorët për dhunimin e babait tuaj, me kalimin e viteve kërkoni vetëm eshtrat. Mendoni se beteja për drejtësi i ka humbur çdo shpresë?

Sot bëhen një çerek shekulli që ne po kërkojmë drejtësi në Shqipëri. Na u deshën 17 vite që gjykata në Shqipëri të dënojë personat përgjegjës, por dhe duke amnistuar disa nga ta e njërin edhe duke e strehuar jashtë shtetit. Edhe 8 vite tjera kaluan dhe shihet se nuk ka vullnet politik ose institucional që të na i gjejnë eshtrat.

Jemi të zhgënjyer nga gjithë klasa politike, pa dallim, dhe nga gjitha institucionet e drejtësisë në Shqipëri, përfshirë edhe SPAK-un. Për t'ua hapur rrugën individëve që dinë se ku janë fshehur eshtrat e babait tim, për t'u treguar që nuk janë të rrezikuar nga ne, e kemi deklaruar publikisht që nuk kërkojmë as dënimin e tyre e as të marrim hak për gjakun e tij. Kërkojmë vetëm eshtrat e tij që t'ia bëjmë një varr. Nuk kemi më shpresë nga Shqipëria.

25 vite nga zhdukja/ Flet për Shqip i biri i Remzi Hoxhës: I kemi

Para pak kohësh, Sali Berisha, foli në RTK edhe për këtë rast. Ka folur edhe për Berat Buzhalën më parë, për Rrokumin, për Dukagjinin, dhe ka pasur thuajse gjithmonë nga një version pak më ndryshe. E di se ju prek në plagë, por ç’mund të thoni për këtë ndryshim të shpeshtë të versioneve?

Sali Berisha si politikan që është mundohet edhe rastin e babit tim ta kthejë në një kontekst politik dhe thotë që familja jonë përpiqet që ta dëmtojë atë politikisht dhe ta ndihmojmë Partinë Socialiste. E theksoj prapë se ne nuk na intereson as politika e Shqipërisë, as Partia Socialiste, as Partia Demokratike, as LSI, as asgjë.

Ne na ka interesuar dhe na intereson të gjejmë eshtrat e babait tim dhe kaq! Është e vërtetë që politikanë nga Partia Socialiste e kanë përdorur rastin e babit tim, si Erion Braçe, Gramoz Ruçi, Saimir Tahiri, e shumë tjerë, për të hedhur gurë mbi Sali Berishën dhe Partinë Demokratike, por ketë do e kishin bërë edhe Partia Demokratike po të kishin qenë dikush nga Partia Socialiste që kishte vrarë babanë tim.

Për familjen tonë të gjithë janë të njëjtë dhe nuk na intereson politika në Shqipëri. U bëfshin copë të gjithë. Përgjegjës për zhdukjen e babait tim është Sali Berisha, sepse njerëzit e tij e vranë. Edhe Millosheviçi nuk erdhi në Kosovë vet që t'i vriste njerëzit, ishin ushtria dhe shërbimet e tija që e bënë, por urdhrat i jepte ai.

Është e njëjta situatë. Përgjegjës pastaj janë edhe Fatos Nano, edhe Ilir Meta, edhe Edi Rama, por edhe gjitha institucionet e drejtësisë, duke përfshirë edhe SPAK-un. Ky është një turp për Shqipërinë dhe haram u qoftë gjaku i babait tim!

Në Shqipëri ka një njeri që sot pritet të gjykohet për një ngjarje tjetër të rëndë, vrasjen e deputetit Azem Hajdari, është ish-truproja e Sali Berishës, Izet Haxhia. Ai ka dhënë disa intervista ku mka folur edhe për rastin e zhdukjes së Remzi Hoxhës. A e keni ndjekur dhe a mendoni se përbën një element të ri për hetimet?

Unë nuk kam pasur rastin të takohem me Izet Haxhinë, por i kam përcjell disa nga intervistat e tija dhe ai dëshmon për ngjarje që lidhen me rastin e babait tim. Edhe ky është një dështim i institucioneve të drejtësisë, duke përfshirë dhe SPAK-un, që nuk hapin hetime bazuar në dëshmitë e tij. Njerëzit e implikuar në këtë rast jetojnë të lirë në Shqipëri dhe janë rrezik edhe për shumë qytetarë të Shqipërisë.

Në Shqipëri, drejtësia e vjetër po rrëzohet dhe sot kemi institucione të reja siç është SPAK, pra Prokuroria Speciale që heton zyrtarët e Lartë, BKH, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykata e Posaçme kundër krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që veprojnë në kuadër të reformës në Drejtësi. Ju keni bërë betejë shumë të gjatë dhe jeni dërrmuar me drejtësinë shqiptare. A do ta provoni edhe me institucionet e reja që të paraqisni fashikujt e dosjeve e fakteve që ju posedoni?

Duke qenë se ne kemi qenë palë e dëmtuar, në proceset gjyqësore na ka përfaqësuar prokuroria e shtetit. Rasti i babait tim është ndër rastet më të rënda të Shqipërisë dhe edhe SPAK-u e këto institucionet tjera nuk kanë bërë asnjë hap për të zbardhur rastin tonë. Mendoj se drejtësia në Shqipëri është e kontrolluar nga politika, "e kapur" siç themi ne, dhe përveç mungesës së vullnetit, njerëzit e punësuar aty kanë frikë të merren me rastin e babait tim.

Ne kemi adresë dhe mund të na kontaktojnë kur të duan, por nuk kam më shpresë se dikush do bëjë diçka në këtë aspekt. Ky turp do i mbetet Shqipërisë dhe do mbetet një borxh që Shqipëria do ja ketë Kosovës.

Ardi, një pyetje. Keni dijeni për emrat që para disa vitesh u hetuan, u burgosën por që më pas u liruan një nga një që nga Ilir Kumbaro në Angli,. Keni ju të dhëna se ekziston ndonjë dëshmitar që mund të ndihmojë në hapjen e procesit?

Po, patjetër. Është Avni Koldashi që ishte njëri nga 9 personat që morën babin tim fizikisht nga vendi i punës dhe ai e dëshmon ngjarjen ashtu siç ka qenë dhe siç na e kanë treguar punonjësit e babit tim që ishin dëshmitarë ditën e rrëmbimit. Ai po ashtu tregon se si dhe ku ia ka dorëzuar babain tim Arben Sefgjinit.

25 vite nga zhdukja/ Flet për Shqip i biri i Remzi Hoxhës: I kemi

Të njëjtën dëshmi e ka dhënë edhe në gjykatë edhe në një intervistë për Top Channel. Edhe ky nuk do dëshmonte, por ky e bëri që të shpëtonte kokën e tij dhe të mos e vrisnin edhe atë për të eliminuar provat. Është edhe Arben Sefgjini që jeton i lirë në Shqipëri. Po ashtu i implikuar tjetër është Budjon Meçe, por që ka vdekur në vitin 2018 dhe për implikimin e tij e njoftova edhe Edi Ramën edhe Saimir Tahirin në vitin 2016, por asnjëri nuk pati vullnet, përkundër premtimeve, që të vinin në lëvizje policinë dhe prokurorinë.

Pastaj është edhe Ilir Kumbaro i cili është në arrati dhe sa ishte para gjyqit në Londër mbrohej nga avokatët e Sali Berishës, që është edhe një tregues tjetër i implikimit të tyre si grup. Zinxhirin e këputën me kaq dhe nuk u fut Bashkim Gazidede në këto hetime e as Sali Berisha. Të gjitha këto janë në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda të Shqipërisë, AKTI NR. 2/3/8/26/79,  VENDIMI NR.77,  Datë 22.11.2012, si dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime tëRënda, NR. 3/83 i regjistrit themeltar, Nr. 19 i vendimit, Datë 10.12.2012 regjistrimi, Datë 18.03.2013.

25 vite nga zhdukja/ Flet për Shqip i biri i Remzi Hoxhës: I kemi

Ka pasur gjithë këto vite një interes nga njerëzit për të njohur sa më shumë të vërtetën,  por nga shteti shqiptar e strukturat e tij ju keni marrë vetëm përgjigje negative. A mund ta bësh sot pas 25 viteve një analizë apo një mendim që kush janë ata njerëz në Shqipëri që ju kanë ndihmuar më shumë?

Njerëzit që na kanë ndihmuar më shumë janë Xhevat Hana i ndjerë, që në fakt thoshte se unë vetëm po bëj punën time. Ishte Avokati i Popullit Ermir Dobjani. Janë edhe shumë emra që nuk mund t'i përmend me kërkesë të tyre, sepse mund t'u rrezikohet jeta e tyre apo familjeve të tyre. Më ka ndihmuar edhe Mentor Nazarko, por edhe shume e shume gazetarë të tjerë, që ndoshta edhe mund t'i harroj disa dhe për këtë u kërkoj ndjesë paraprakisht.

Janë Artan Hoxha, Muhamet Veliu, Anila Hoxha, Rudina Xhunga, Alban Dudushi, Dorjana Daka, Andi Malasi, Artur Qorraj, Entela Resuli, Erena Haska, Klodiana Lala, Leonard Bakillari, Mero Baze, dhe në fund por jo më pak i rëndësishëm, ju Ylli Pata. Janë këta gazetarë që kanë mbajtur presionin publik dhe shtëpitë e tyre mediale që kanë bërë që sado pak të vazhdojë procesi gjyqësor dhe të vërtetohet se kush ishin njerëzit e implikuar në këtë krim. U jemi mirënjohës gjatë gjithë jetës, faleminderit të gjithëve.

E keni nisur këtë betejë kur ishit fëmijë, e sot pas 25 vjetësh jeni një burrë, jetoni në Kosovën që Remzi Hoxha dha jetën për ta çliruar, në linjën e parë të luftëtarëve të rezistencës. Keni sakrifikuar kaq shumë përveç babait tuaj të ndjerë, edhe familjarët tuaj. A ja ka vlejtur dhe cili është mesazhi juaj për gjeneratat e reja që pak kanë dëgjuar për këtë rast kaq makabër e brutal....

Unë, vëllezërit dhe motrat e mija, xhaxhallarët, kushërinjtë, dhe bashkëveprimtarët e babait tim nuk jemi ndalur dhe kemi sakrifikuar shumë gjatë gjithë këtyre viteve së pari sepse do e bënim për atë si qenie njerëzore, por edhe më shumë për shkak se kush ishte dhe çfarë kishte bërë ai gjatë jetës së tij. E thash edhe më herët, është shumë humbje e madhe për familjen tonë, por humbje edhe më e madhe për popullin tonë, në Shqipëri e Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, Kosovë Lindore, Greqi e Turqi.

Duke u marrë me gjetjen e eshtrave të tija, nuk jemi marr asnjëherë me zbardhjen e veprimtarisë së tij, por shumë shpejt do i shpalosim veprat e tij në një dokumentar të bazuar në dokumentacione dhe do e kuptojmë se çfarë ka humbur kombi ynë. Unë e di që edhe babi im do bënte edhe më shumë po t'i kishte ndodhur e njëjta dikujt tjetër. Atij nuk i është dhembur jeta e tij, e edhe neve nuk na dhembet jeta për te. Kemi shumë thënie popullore që tregojnë se e vërteta herët a vonë do dali në shesh.

Thuhet që "edhe therrat (thumbat) do tregojnë se ku janë eshtrat", ose "e vërteta vonon, por nuk harron", e shumë e shumë të tjera. Andaj, mesazhi për gjeneratat e reja është ia vlen të sakrifikosh jetën për të zbardhur të vërtetën e ndonjë familjari. Po ashtu, të mos ndalemi së punuari e t'i bëjmë krenar gjithë familjen e edhe ata që nuk janë më në mesin tonë. Zoti do i dënojë ata që kryejnë krime, qoftë në këtë botë qoftë në botën tjetër.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore