Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

11 Precedentët/ Krimet e tmerrshme nga të sëmurët mendorë, vrasje e prerje kokash të policëve e familjarëve

11 Precedentët/ Krimet e tmerrshme nga të sëmurët

Vrasja e Firdes Çekiçit në Pogradec nga djali i saj, me probleme të shëndetit mendor rikthen në vëmendje problemet me të cilat përballet polici në rastet e këtyre autorëve.

Përveç kësaj, kjo ngjarje riktheu në vëmendje një problematikë, që lidhet me të sëmurët mendorë dhe pamundësia e tyre për t’u kuruar. Por krimet nga dora e tyre janë ndër më të rëndat në historinë e Shqipërisë dhe shpesh ua kalojnë edhe ngjarjeve tejet dramatike siç ishin ato të vitit 1997.

Ky rast nuk është i vetmi që ngre alarmin se çfarë duhet të bëhet me personat me probleme mendore e si duhet të trajtohen, pasi janë kthyer në një rrezik të përhershëm për shoqërinë.

Duket se edhe zgjidhjet që i janë dhënë herë pas here gjatë viteve nuk kanë funksionuar duke parë këtu edhe statistikat e frikshme të këtyre vrasjeve në të paktën 10 vitet e fundit.

Sipas Ligjit Nr.44 për Shëndetin Mendor, ofrimi i kujdesit shëndetësor për personat me çrregullime të shëndetit mendor duhet bërë në një mjedis sa më pak shtrëngues, kryesisht në nivel komunitar, për të shmangur në maksimum zhvendosjet nga mjedisi familjar e për të lehtësuar integrimin dhe rehabilitimin social.

Megjithatë ka shumë persona të cilët në mungesë të shërbimit jashtë spitaleve lihen nga familjarët në këto spitale për një kohë të gjatë shpesh deri sa ndërrojnë jetë. Kjo bën që kapacitetet të mbushen dhe spitalet nuk kanë mundësi të shtrojnë individë të tjerë.

Përgjigjet e spitaleve tregojnë se kërkesat nuk kanë ardhur në rënie por përkundrazi në rritje. Ndërkaq shteti shqiptar nuk ka parashikuar se ku duhet të qëndrojnë personat me probleme të shëndetit mendor, kur ata arrijnë moshën e pensionit. Një pjesë e madhe e tyre futen në këto institucione në moshë të hershme dhe qëndrojnë aty deri në fund të jetës.

Një në çdo katër familje ka të paktën një anëtar me çrregullime mendore apo të sjelljes. Këto familje jo vetëm ofrojnë mbështetjen e tyre fizike dhe emocionale, por gjithashtu i nënshtrohen ndikimit negativ të stigmës  e diskriminimit.

Sipas të dhënave të Raportit Botëror të Shëndetit çrregullimet mendore dhe të sjelljes prekin mbi 25 për qind të të gjithë njerëzve gjatë jetëve të tyre. Ato janë universale, prekin njerëzit e të gjitha vendeve dhe shoqërive, individët e të gjitha moshave, gratë dhe burrat, të pasurit dhe të varfrit, nga zonat qytetare apo fshatare.

Ja disa nga rastet më të rënda të krimeve që janë kryer nga të sëmurët mendorë

Tetor 2007/ Në Dibër më 23 tetor 2007, 19-vjeçari, Shpëtim Ziza vret dhe përçudnon 10-vjeçarin nga Peshkopia, Bekim Cenga. Trupi pajetë i 10­vjeçarit Cenga u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës, 7 km larg Peshkopisë, 5 ditë pas zhdukjes më 23 tetor 2007. Një ngjarje që tronditi mbarë opinion publik.

Berat, 2011/ Në vitin 2011 në Berat një 10-vjeçar u vra, pasi u godit me sende të forta nga një sëmurë mendor. Ngjarja ndodhi në fshatin Donfros të Beratit dhe autori Hysen Senka rezultonte me kartelë mjekësore.

Durrës, 2013/ 8 prill 2013, një 51-vjeçar me probleme mendore vret nënën e tij, e vetmja që kujdesej për të. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi në fshatin Kullë të Durrësit pas një debati për motive të dobëta. Djali e goditi nënën e tij, me drutë që përdorte për ngrohje, derisa i ka shkaktuar vdekjen.

Vlorë 2013/ Në Dukat të Vlorës, në 14 gusht 2013 një bari, vret një person dhe plagos një tjetër. Xhezar Hysa, 45 vjeç nga Mollasi i Elbasani, u deklarua nga policia si person me probleme mendore, i cili kishte marrë trajtim në spital, por ishte lënë më pas i lirë. Vrau Shedat Vangjelin 62 vjeç, si dhe plagosi Bexhet Bodaj 59 vjeç.

Laç 2014/ Një i sëmurë mendor terrorizoi Laçin, duke vrarë dy vëllezër brenda në një lokal dhe pasi del jashtë qëllon sërish në mënyrë pakontrolluar duke plagosur dy kalimtarë të rastit. Viktimë mbetën vëllezërit Andrea Cara dhe Endri Cara. Altin Piroli, rezultonte sipas policisë së qarkut të Lezhës person me probleme mendore.

Lezhë 2015/ I sëmuri mendor vret efektivin e FNSH-së Simon Gjeta. Ruzhdi Aishta ekzekutoi efektivin e FNSH-së me detyrë komandant grupi, i cili së bashku me një grup forcash speciale kishte shkuar të kryente arrestimin e tij.

Tiranë 2015/ Një 46-vjeçar me të meta mendore, vrau me kazmë babanë e tij 82 vjeç, me të cilin banonte në një shtëpi private në Kinostudio. Policia e Tiranës arrestoi autorin e vrasjes, Simon Prifti, 46 vjeç. Babai i tij, Piro Prifti kishte denoncuar herë pas here dhunën e ushtruar nga i biri, por nisur nga gjendja e tij mendore, nuk ishte marrë ndonjë masë.

Durrës 2016/ Arben Kabashi, i sëmurë mendor, dhe i cili rezultoi me kartelë mjekësore në spitalin psikiatrik të Elbasanit pasi vuante nga skizofrenia, mori peng kushërirën e tij të mitur vetëm 11-vjeç duke kërcënuar se do ta vriste me thikë. Fatmirësisht në këtë rast policia mundi të ndërhyjë në kohë, duke neutralizuar 46-vjeçarin.

Gusht 2016/ Një i sëmurë mendor në Palasë të Vlorës vrau një 12-vjeçar. Autori Jorgo Zani, që tashmë nuk jeton më, pasi u vetëvra në burgun e Fushë Krujës rezulton se ka qenë i shtruar disa herë në psikiatrinë e Vlorës. 30-vjeçari në të gjithë procesin ka pohuar në atë kohë se e vrau fëmijën, se e kishte mërzitur. Mënyra e ekzekutimit të fëmijës ishte e tmerrshme me prerje koke me sëpatë.

Shtator 2019/ Ndonëse tentoi të arratisej, Arjan Shahaj u arrestuar 3 orë pas krimit nga policia. Shpejt u kuptua se autori ishte me probleme mendore dhe se ka qenë më parë i dënuar me 12 vite për vrasje. Ai qëlloi për vdekje babanë e tij 77-vjeçar me sëpatë.

Janar 2020/ Një person me probleme mendore qëlloi për vdekje me sëpatë shtetasin Dashnor Osmani, ngjarje e ndodhur në mes të pazarit të Korçës.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore