Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Në Fokus

102 minutat që ndryshuan botën / Si rrodhën ngjarjet terroriste të 11 shtatorit, nga Kullat Binjake, të avioni i rrëzuar në fushat e Pensilvanisë

102 minutat që ndryshuan botën / Si rrodhën ngjarjet terroriste

Ishte një mëngjes i shenjuar nga kaosi, guximi, gjëma dhe në fund fare humbje të mëdha! Kur avioni i udhëtarëve goditi Kullën Veriore në orën 08:46 minuta, ishte e paqartë se çfarë ndodhi në Manhatanin e Poshtëm. Por, ishte e qartë se njerëzit kishin nevojë për ndihmë.

Policë e zjarrfikës dhe qytetarë që u bënë dëshmitarë të momentin surreal në qiell, nxituan për te kompleksi i Qendrës Botërore të Tregtisë. Shtëllunga tymi të zi e të dendura kishin nisur të dilnin nga ndërtesa.

Ashensorët dolën jashtë funksionit. Zjarrfikësit ngjitën shkallët e godinës 110 katëshe për të zbuluar se çfarë po ndodhte në katet e sipërme të saj. Operatorët e sallës së policisë përpiqeshin të qetësonin qytetarët mes fluksit të pashembullt të telefonatave që pasuan.

Ishte e paimagjinueshme në ato momente që qiell-gërvishtësit simbol të Nju Jorkut do të shkërmoqeshin. Grupet e para të emergjencës sapo kishin mbërritur pranë katit të 80-të, ku godit avioni Kullën Veriore, kur një tjetër avion përplaset mes katit të 77 dhe katit të 85-të të Kullës Jugore. Ishte ora 09:03 minuta.

Në orën 09:37 minuta, një avion i tretë godit ndërtesën e Pentagonit në Uashington. Pak minuta më parë, katër persona rrëmbyen avionin e fluturimit 93 nga San Francisko për në Uashington. Objektivi i tyre besohet se ishte Shtëpia e Bardhë, ose Kongresi amerikan. Familjarë dhe të afërm të pasagjerëve që ndodheshin në këtë avion i kishin njoftuar se çfarë po ndodhte. Të vetëdijshëm se nëse nuk do të reagonin do t’i priste vdekja e sigurtë, pasagjerët u përleshën me pengmarrësit, që si kundërpërgjigje e përplasën avionin në në fushë të Pensilvanisë.

Kulla Jugore ra në orën 09:59 minuta. Veriorja në orën 10:28 minuta. Afërsisht 3 mijë njerëz vdiqën, mes tyre 3 shqiptarë. Sulmet terroriste të 11 shtatorit u kryen brenda 102 minutave.

Ato pasuan nisjen e luftës kundër terrorit, në tetor. Në përpjekje për të shkatërruar rrjetin terrorist të Al Kaedas dhe udhëheqësin e saj, Osama Bin Laden, që qëndronte pas sulmeve, SHBA dhe Britania e Madhe bombarduan Afganistanin, ku talebanët i kishin dhënë strehë kryeterroristit. Muajin e kaluar, talebanët rimorën kontrollin e vendit, mes keqmenaxhimit të tërheqjes dhe një sulmi kamikaz në aeroportin e Kabulit, që vrau 170 persona, përfshirë 13 ushtarë amerikanë.

Më shumë se 4 trilionë dollarë janë shpenzuar në dy luftërat në Afganistan dhe Iraq, që filloi në mars të 2003-t, deri në tërheqjen amerikane në dhjetor të 2011, në një luftë që vrau të paktën 433 mijë persona.

Mëngjesin e 11 shtatorit 2001, 19 persona hipën si pasagjerë në katër fluturime të ndryshme, që të gjitha fluturime me nisje brigjet lindore të SHBA dhe destinacion brigjet perëndimore. Pra, fluturime të gjata, që do të thoshte më shumë karburant në serbator. Ata ishin pjesë e një sulmi të koordinuar.

“Kishin planifikuar rrëmbimin e këtyre avionëve dhe përdorimin e tyre si raketa me mijëra litra karburant si lëndë shpërthyese. Në orën 08:00 të së martës, 11 shtator 2001, ata kaluan të gjitha barrierët e sigurisë, që sistemi i aviacionit civil zbatonte kundër pengmarrjes së avionëve”, thuhet në raportin hetimor të korrikut 2004 në lidhje me këtë ngjarje.

Në fluturimin 11 të American Airlines terroristët vranë me thikë dy stjuart, përdorën disa pepper spray kundër pasagjerëve dhe ekuipazhit, duke i shtyrë ata në fund të avionit. Paralajmëruan se kishin në bord edhe bomba.

Stjuardesa Betty Ong arriti që të telefonojë zyrat e kompanisë dhe t’i njoftonte se çfarë po ndodhte. “O Zot! Po fluturojmë shumë ulët”, tha ajo. Avioni ishte i pari që u përdor si raketë për të goditur Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë.

Fluturimi 175 i United Airlines ishte avioni i dytë që u mor peng. Taktika e përdorur ishte e njëjtë, sipas raportit hetimor. Pasagjerët telefonuan familjarët e miqtë për t’i njoftuar se çfarë po ndodhte. Njëri prej pasagjerëve gjatë telefonatës ka biseduar për një plan të tyre për të sulmuar kabinën e pilotëve dhe rimarrë në kontroll avionin. Plani nuk funksionoi dhe ky avion goditi Kullën Jugore.

Në kohën që pasagjerët e avionit të tretë të rrëmbyer, Fluturimi 77 i American Airlines, u telefonuan nga të afërmit për t’i njoftuar për sulmet terroriste te Kullat Binjake, terroristët e kishin zbatuar të njëjtjën skemë të pengmarrjes. Avioni u përplas në pjesën perëndimore të ndërtesës së Pentagonit.

“Askush nga administrata e aviacionit, apo e linjave ajrore nuk ishte përballur më përpara me rrëmbime të shumëfishta. Një plan i tillë nuk kishte ndodhur askund në botë në më shumë se 30 vite dhe asnjëherë në SHBA. Administratës së aviacionit i mungoi lidershipi për të paralajmëruar pengmarrjet e tjera në momentin që u mor peng avioni i parë”, thuhet në raportin hetimor.

Avioni i fundit që u mor peng ishte Fluturimi 93 i United Airlines, që u nis me vonesë. Ndryshe nga tre pengmarrjet e tjera, në këtë avion ishin katër terroristë, jo pesë. Njërit prej tyre, iu ndalua hyrja pas dyshimeve të oficerit të emigracionit në Aeroportin Orlanda International të Floridas në muajin gusht.

Për pengmarrjen e këtij avioni terroristëve iu deshën 46 minuta, ndryshe nga tre avionët e tjera, kur që u morën nën kontroll për 30 minuta. Edhe këtu skema ishte e njëjtë dhe mbyllej me kërcënimin e bombës nga terroristët. FBI tha më vonë se nuk gjeti gjurmë eksplozivësh në zonat ku u përplasën avionët.

Pasagjerët dhe ekuipazhi u detyruan të grumbulloheshin në fund të avionit. Folën në telefon me të afërmit dhe mësuan se çfarë po ndodhën. Një pasagjer tha gjatë telefonatave se kishin votuar nëse do të luftonin mbrapsht terroristët, apo jo.

Në 09:57 minuta nisi revolta e pasagjerëve dhe ekuipazhit. “Të gjithë po vrapojnë për në klasin e parë. Më duhet ta mbyll, mirupafshim!”, mbyllet telefonata e një pasagjereje.

Terroristët kryen manovra majtas e djathtas për të shmangur sulmin e pasagjerëve drejt kabinës së pilotëve. Por, pasagjerët ja dolën mbanë duke i detyruar terroristët që ta përplasnin avionin në një fushë në Shanksville të Pensilvanisë.

Në orën 10:28 minuta ra Kulla Veriore. Ajo që pasoi ishte kaos dhe përpjekja e dëshpërtuar e grupeve të shpëtimit dhe vullnetarëve për të nxjerrë nga rrënojat njerëzit e bllokuar. Këto ishin 102 minutat e sulmeve terroriste që ndryshuan përgjithmonë Amerikën dhe gjithë botën.

 

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore