Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Me Rëndësi

1 mijë euro ryshfet për kilogram dhe lidhje direkte me kartelet amerikano-latine, si e ekspozoi Top Story trafikun e kokainës nga Ekuadori në Shqipëri

1 mijë euro ryshfet për kilogram dhe lidhje direkte me kartelet

Linja e trafikut të drejtpërdrejt të kokainës nga Ekuadori për në Shqipëri është trajtuar gjerësisht në emisionin Top Story dhe në në disa investigime të Gazetës Shqip. Aksioni i kësaj të enjte i SPAK është një provë përforcuese e lidhjeve të ekspozuara në emisionet dhe artikujt për këtë temë.

Më poshtë, Gazeta Shqip risjell një përmbledhje të këtyre shkrimeve, që tregojnë fijet ndërkombëtare të trafikut të kokainës dhe se si grupet shqiptare ja kanë dalë mbanë të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me kartelet e drogës amerikano-latine.

Përqendrohemi tek organizimi i kartelit të parë shqiptar. Tipar dallues me organizatat e tjera shqiptare është markimi i kokainës me emrin “Kompania Bello”, siç veprojnë edhe kartelet amerikano-latine. Marka “Bello” e ka zanafillën në një bisedë të përgjuar në Mars të vitit 2016 mes Dritan Rexhepit dhe një personi nga Vlora të quajtur Jorin Llambro. Ky i fundit, i thotë se duhet të dalin në treg me emrin e tyre që të njihen më mirë. Në dakordësi, vendosin që pakot me kokainë të shtypen me inicialet C.B- kompania Bello.

“Puna e parë është krijimi i kontakteve, vajtja rezidentë e personave shqiptarë për kontrat direkt me blerësin dhe organzimin e trafikut” u shpreh Pëllumb Nako, Ish-drejtor i Policisë Kufitare

“Ata janë bërë aq të fortë, kanë grumbulluar aq shumë lekë, kanë vednosur aq lidhje sa e kanë kuptuar pse të mos jemi dorë e parë, dorë e parë do të thotë fitim maksimal, ose i dyfishuar, trefishuar, kur e merr nga aty te plantacioni sapo prodhuar e merr shumë lirë” u shpreh Ferdinand Dervishi, Gazetar.

“Kanë aftësitë financiare, lidhjet kontaktet, shtrirjet gjeografike, lidhjet me organizata, arritjen e menaxhimit marrdhënieve me organizatat e tjera ndërkombëtare që njiheshin se kishin domenin e trafikut si Ndragheta, pra, ky grup ka arritur ti menaxhoje më sukses të gjitha duke patur akses në portet në Evropë, Amerikën e Jugut etj” u shpreh Fabian Zhilla, Ekspert i sigurisë.

Në Ekuador, Dritan Rexhepi ishte njeriu kyç pranë furnitorëve të fuqishëm vendas. Lidhja e tij më e afërt ishte Cesar Emilio Montenegro Castillo. Ai njihet si eksponent i organizatës “Norte dell Valle”, degë e kartelit të trafikantit më të madh në histori, Escobar. Castillo kishte raporte në Meksikë me kartelin e Sinaloas, i drejtuar nga Joaquin Guzman, i njohur si El Chapo, një trafikant në nivelet e Escobarit i ekstraduar para pak vitesh në Shtetet e Bashkuara.

Bazuar në gjetjet e hetimeve, organizata me drejtues 40-vjeçarin shqiptar, dispononte sasi të konsiderueshme kokaine të blerë direkt nga grupet “Narcos” ekuadorianë dhe struktura kapilare e organizatës i ka ndihmuar në shpërndarjen e drogës në të gjithë Evropën”

“Kanë besim të punojnë me shqiptarët se shqiptari di ku e kap, nëse del nga radh merr paratë e xhiros apo del nga radha, dinë ku e kapin ku e kërcënojnë, ke familjen e tij në SHiqpëri, vëllain, djalin dhe dinë ku e shtrengojnë të tkhehet pas në atë aventurë që mund të ketë ndërmarrë” u shpreh Ferdinand Dervishi, Gazetar

Interesante ishte forma e bashkëpunimit dhe pagesës mes kartelit shqiptar dhe atyre ekuadoriane. Për çdo ngarkesë që shqiptarët blinin për të trafikuar në Evropë, asaj i shtohej një sasi e barabartë e cila transportohej dhe shpërndahej për llogari të ekuadorianëve.

Hetimi i realizuar duke përdorur metoda innovative investigimi zbuloi se karteli i fuqishëm i drogës organizonte trafikimin e ngarkesave disa kuintalëshe duke ndjekur rregullin 50 me 50. Pra, gjysma e mallit ishte në pronësi të organizatës shqiptare dhe gjysma në pronësi të atyre amrikano-latine

“Shqiptarët paguajnë duke shitur dhe kokainën e grupit kriminal kolumbian” u shpreh Fabian Zhilla, Ekspert i sigurisë

“Aktivitete nivele tilla kërkojnë vec pagesës dhe mbësdhtetjen e duhur nga organet administrative, se të marrësh përsipër të sjellësh një sasi të madhe në port, nevojitet garanci dhe gjëra të tilla janë të njohura”u shpreh Pëllumb Nako, Ish-drejtor i Policisë Kufitare

Influenca e trafikantëve në disa porte kyç në Evropë theksohet edhe nga materialet e prokurorisë së Firences.

Është parë se si grupet shqiptare kontrollojnë drogën nga hyrja te dalja nga porti, veçanërisht në Belgjikë, dhe nga ana tjetër është vërjetur se ky rrjet shpërndarjeje furnizon drejtëpërdrejtë grupe të ndryshme mafioze, organizatat puljeze, organizatat kalabreze

Në bisedat e përgjuara mes Dritan Rexhepit dhe furnitorëve ekuadorianë, del qartë korruptimi i doganierëve. Për çdo kilogramë kokainë, paguhej 1 mijë dollarë që garantonte sigurinë e mallit. Pra, nëse ngarkesa e mallit ishte 600 kilogramë, fatura e korrupsionit shkonte në 600 mijë dollar për doganierët në Guayaquil.

Transporti realizohej përmes anijeve tregtare nga Amerika latine në Evropë falë aftësisë së trafikantëve për të garantuar ‘dalje të sigurta’ të ngarkesave në portet e Evropës veriore duke u mbështetur në fuqinë e madhe të organizatës në korruptimin e zyrtarëve.


Amerika Latine është kthyer në një El Dorado për grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor. Një vëmendje e veçantë i kushtohet Ekuadorit dhe Kolumbisë. Në periudhën 2008–2020, Amerika Latine u kthye në një zonë problematike në lidhje me daljen në skenë të grupeve kriminale nga Ballkani. Ka disa arsye pse ndodhi kjo.

Së pari, prodhimi i kokainës është rritur dhe kërkesa mbetet e lartë anembanë botës, veçanërisht në tregjet e pasura evropiane, dhe në Australi.

Së dyti, pati një çrregullim të ekuilibrave në furnizimin me kokainë në Kolumbi pas marrëveshjes së paqes në vitin 2016 me grupin rebel FARC (që kontrollonte territore të gjera ku kultivohej bima e kokës), dhe kjo krijoi mundësi për kriminelët nga Ballkani perëndimor që të krijonin lidhje me furnitorë të rinj.

Së treti, trafikimi i drogës paraqet një rrezik relativisht të ulët në Amerikën Latine, si pasojë e korrupsionit të shfrenuar, hapësirave që lejon ligji, trazirave dhe paqëndrueshmërisë në disa shtete (si Venezuela), si dhe zyrtarë porti që bashkëpunojnë me trafikantët në të dy krahët e zinxhirit të trafikut.

Si rezultat, disa kriminelë mendjemprehtë nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Serbia udhëtuan drejt vendeve prodhuese të kokainës për t’u përfshirë në furnizimin dhe shpërndarjen e drogës.

Informacionet e para (të paktën nga materialet e bëra publike) në lidhje me bashkëpunimin midis mafias në Evropën lindore dhe karteleve kolumbiane doli në vitin 2001. Atë vit u arrestuan tre shqiptarë në kuadër të operacionit Rrugëtimi (Journey), që zgjati dy vjet, dhe u zhvillua nga DEA në bashkëpunim me vende të tjera për të goditur trafikimin me rrugë detare nga Kolumbia.

Në periudhën 2008-2020, Amerika Latine u bë zonë problematike në lidhje me aktivitetin e grupeve kriminale nga Ballkani, kryesisht si pasojë e rritjes së kërkesës për kokainë.

Pse Amerika Latine është vend kaq tërheqës?

Duke qenë se është burimi i një prej drogave më fitimprurëse, kokainës është e natyrshme që Amerika Latine duket tërheqëse për grupet kriminale nga Ballkani. Kolumbia është prodhuesja më e madhe në botë e gjetheve të kokainës dhe eksportuesja kryesore e kokainës, e ndjekur nga Peruja dhe Bolivia. Sidoqoftë, kjo nuk është ndonjë gjë e re.

Në krimin e organizuar, ashtu si dhe në tregun e pasurive të paluajtshme, vendndodhja është gjëja më kryesore. Ekuadori ndodhet midis Kolumbisë dhe Perusë, që prodhojnë rreth 90 për qind të kokainës në botë. Në periudhën 1996–2006, Ekuadori konsiderohej si demokracia më e paqëndrueshme në Amerikën Latine. Kjo pasqyrohet edhe nga fakti se ky vend pati tetë presidentë të ndryshëm brenda një dekade, dhe tre prej tyre u hoqën nga posti me vendim parlamenti dhe nga protesta masive.

Ka edhe faktorë të tjerë që e bëjnë Ekuadorin vend shumë tërheqës për grupet ndërkombëtare të krimit të organizuar, si kufij porozë, legjislacion i mangët, dhe procedura shumë të lehta për ndërrimin e identitetit dhe blerjen e dokumenteve false, si letërnjoftime dhe pasaporta.

Një tjetër faktor ishte edhe mbyllja në vitin 2009 e bazës ushtarake amerikane në qytetin bregdetar të Mantas. Për një dekadë me radhë, amerikanët kishin zhvilluar operacione antidrogë nga kjo bazë. Sipas ish-drejtorit të shërbimit informativ të ushtrisë ekuadoriane, mbyllja e bazës e bëri më të lehtë hyrjen e organizatave kriminale nga Ballkani, Lindja e Mesme, dhe Azia në Ekuador, dhe përdorimin e portit kryesor në Manta.

Gjatë kësaj periudhe, futja në kushtetutën e re të konceptit të shtetësisë universale (e amenduar në vitin 2008) i lejonte të huajt e çdo shtetësie që të vizitonte Ekuadorin deri në 90 ditë pa pasur nevojë për vizë turistike: kjo periudhë mund të zgjatej për 90 ditë të tjera, duke i lejuar vizitorët që të qëndronin në mënyrë ligjore në Ekuador për gjashtë muaj me radhë. Për ata që qëndronin ilegalisht në Ekuador, gjoba maksimale ishte 800 dollarë amerikanë. Të gjitha këto elemente e bënin Ekuadorin një vend shumë mikpritës për kriminelët “turistë” nga Ballkani (dhe zona të tjera).

Një element tjetër që e bën Ekuadorin vend shumë tërheqës për krimin e organizuar është dollari amerikan. Në vitin 2000, pas një krize financiare, Ekuadori vendosi të ndërrojë monedhën e vendit me dollarin amerikan. Si pasojë e kësaj reforme, Ekuadori ka monedhë të fortë, por ka nivel të ulët të përdorimit të sistemit bankar nga publiku i gjerë. Për shembull, në vitin 2018, 48.1 për qind e ekuadorianëve nuk përdorte ndonjë shërbim financiar, sipas një studimi të bankës qendrore të Ekuadorit.

Me fjalë të tjera, një sasi e madhe parash ngelet jashtë sistemit bankar zyrtar, dhe kjo e bën më të vështirë që të evidentohen shkëmbimet financiare dhe rrjedha e fondeve, dhe lehtëson pastrimin e parave të pista (për shembull, nëpërmjet biznesit të ndërtimit dhe pronave të paluajtshme).

Për më tepër, Ekuadori nuk ka ligje për konfiskimin e pasurive të trafikantëve të drogës. Si rezultat, ashtu si thotë edhe një burim nga policia, “kriminelët bëjnë dy-tre vjet burg, dhe pastaj dalin jashtë e shijojnë paratë e tyre”.

Ndërsa grupet e huaja kriminale filluan të hynin në Ekuador, shteti kishte pak mundësi që t’i identifikonte dhe të parandalonte aktivitetet e tyre. Sipas një oficeri madhor të shërbimit informativ të Ekuadorit, vëmendja kryesore e qeverisë së Rafael Correa (2007–2017) ishin mbledhja e informatave ndaj kundërshtarëve politikë, dhe jo kriminelëve.

Gjithashtu, ky vend u përqendrua më shumë tek bashkëpunimi me SHBA në luftën kundër krimit të organizuar (me një marrëveshjeje të rinovuar në vitin 2019), dhe jo tek bashkëpunimi i gjerë ndërkombëtar, asistenca ligjore reciproke, dhe shkëmbimi i të dhënave informative. Këtë problem nuk e ka vetëm Ekuadori. Për shembull, Kolumbia nuk ka marrëveshje ekstradimi me asnjë nga gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor.

Forcat e ruajtjes së rendit i kanë duart e lidhura, edhe ngaqë Ekuadori është një nga të paktët vende në botë që nuk mban një bazë të dhënash me shenjat e gishtave dhe fotografitë e vizitorëve. Kjo e bën shumë të vështirë gjurmimin e pasaportave, sidomos kur kriminelët përdorin më shumë se një emër të rremë.

Dritan Rexhepi ishte arrestuar nga ekuadorianët me identitetin Lulëzim Murataj. Ai kishte mundur të merrte një pasaportë të rregullt me emrin e një bashkëfshatari të tij nga Velça e Vlorës. Pasaporta kishte foton dhe shenjat e gishtërinjve të Rexhepit.

Në procedimin penal në Ekuador, ai është regjistruar fillimisht me emrin Lulëzim Murataj.Kjo zbulohet në këtë dokument të siguruar nga Top Story. Bëhet fjalë për një proces në gjykatë ku Rexhepi kërkon rrëzimin e kërkesës së ekstradimit në Itali, teksa kishte shprehur dëshirën të ekstradohej në atdhe.

“Ata e kanë kuptuar që tani i kanë të gjitha mundësitë, njerëzit burimet, lidhjet, të vendosin person afër Kolumbisë për ta blerë dorë e parë me qëllim të thjeshtë fare që fitimi të dyshohet, trefishohet. Për mos ta blerë në Antverp, apo Holandë ku blihet me cmim pakice. Kjo është arsyeja pse vendosen afër Kolumbisë shqiptarët” u shpreh Ferdinand Dervishi, Gazetar

“Ne sot kemi anëtarë të grupeve shqiptare që janë të panjohur për agjensitë këtu që po krijojnë biznese, kanë lidhur lidhje, kryejnë disa funskione. Që nga garantuesi, ndërmjetësuesit..” u shpreh Fabian Zhilla, Ekspert i sigurisë

Dritan Rexhepi u dënua me 13 vite burg nga drejtësia ekuadoriane. Ai po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Latacunga. Por, kjo nuk e pengoi të themelonte dhe drejtonte kartelin e parë shqiptar të quajtur “Kompania Bello”. Sipas prokurorisë italiane, ai ngriti infrastrukturën dhe urdhëronte me telefon nga qelia.

“Besoj se ka lidhje me besueshmërinë, me besueshmërinë dhe fakti duke lëvizur sasi të mëdha, duke lëvizur sasi më të mëdha se të tjerët e duke krijuar besueshmëri ai ka ardhur në këtë nivel” u shpreh Ferdinand Dervishi, gazetar.

Për disa vite nuk u dëgjua më për Rexhepin. Ai kishte kaluar oqeanin dhe ishte vendosur në Ekuador ku lidhet me kartelet më të fuqishme vendase, duke ngritur një linjë të sigurt trafiku kokaine drejt Evropës.

Në materialet e Prokurorisë së Firences të siguruara nga Top Story, theksohet se shqiptarët bashkëpunojnë në nivele barazie si me kartelet amerikano-latine ashtu edhe me mafian italiane.

“Në studimet e mia, nuk mund të vë shenjën e barazimit mes Cosa Nostrës apo Ndraghetas apo grupeve shqiptare, pika të përbashkëta kanë shumë, por nuk janë e njëjta gjë”, u shpreh Pëllumb Nako, Ish-drejtor i Policisë Kufitare.

Interpol, deklaroi arrestimin e Dritan Rexhepit në Gusht të vitit 2014, në një operacion që bëri mjaft bujë aso kohe. Në fakt, ai ishte arrestuar një muaj më herët nga policia e Ekuadorit së bashku me 10 persona të tjerë në kuadër të aksionit policor të koduar “Ballkan”.

Gjatë operacionit u sekuestruan 277 kilogramë kokainë në një kontejner në portin e Guayaquil. Sipas autoriteteve atje, krerët e grupit ishin shqiptarët.

Komunikata ekuadoriane: Shqiptarët dyshohet se ishin financuesit dhe përgjegjësit e mallit, ndërsa ekuadorianët ishin furnizuesit, si dhe punëtorët e paketimit dhe fshehjes nëpër kontejnerë.

“Po ti shikosh janë të njëjta gjëra të studimit që kam lexuar unë lidhur me Ndraghetan, duke i dhënë asaj si Ndraghetas një pamje organizate ndërkombëtare, ku kishte përfaqësueiset e vet, që janë kapur pikërisht aty ku janë kapur këta shqiptarët”, u shpreh Pëllumb Nako, Ish-drejtor i Policisë Kufitare.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore