Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Zbardhet dokumenti sekret për masakrën e Libofshës/ Si u zbuluan autorët që vranë 5 pjesëtarë të familjes Pupa!

Zbardhet dokumenti sekret për masakrën e Libofshës/ Si u zbuluan

Më 29 maj të saktësisht 30 viteve të shkuara, pra më 29 maj 1992, Fierin dhe krejt vendin e tronditi një ngjarje kriminale e përmasave të pazakonta.

Një familje e tërë në fshatin Libofshë, të pesë anëtarët e saj, përfshirë një foshnjë disamuajsh, u gjetën të masakruar me sende të forta. Lajmi i transmetuar nga mediat drithëroi gjithë opinionin, duke injektuar pasiguri për jetën apo mosbesim në strukturat e shtetit, që paguheshin e përgjigjeshin për sigurinë. Impakti duket qe i së njëjtës peshë edhe për krerët e shtetit, që vinte i sapokonfiguruar pas fitores së zgjedhjeve nga Partia Demokratike më 22 mars 1992.

Gjatë ditëve në vazhdim opinioni nuk mësoi pothuaj asgjë për vijimin e kësaj ngjarjeje, pasi në ato kohëra, në vazhdën e eksperiencës së komunizmit, hetimi për ngjarjet kriminale mbahej larg mediave. Kështu që lajmi i dytë i madh, që drithëroi sërish opinionin, por që edhe që i shkoi për shtat shumëkujt, ishte varja e dy autorëve të masakrës në sheshin para turizmit, në qendër të Fierit, më 25 qershor 1992, më pak se një muaj pas masakrës.

Një veprim ndëshkues, që do të statistikohej i fundit në historinë moderne të Shqipërisë. Ndërsa ajo që mbeti pa u thënë, që mbeti e tillë për 30 vjet me radhë, ishte mënyra se si u zbuluan autorët e masakrës, provat që u grumbulluan kundër tyre dhe fakti nëse ata e pranuan apo jo krimin me gojën e tyre. Të gjitha këto, për herë të parë, i zbulon një dokument “sekret” i asaj kohë, që në fakt është një “përgjithësim” për ngjarjen, që u ka shkuar të gjitha degëve të Rendit Publik në rrethe.

Një dokumentin e zbardhur nga Gazeta Panorama.al, ku pas përshkrimit të ngjarjes, janë renditur edhe meritat e të metat e hetimit, me qëllim që materiali të lexohej nga uniformat blu në gjithë vendin për të shërbyer si përvojë në punën e tyre të mëtejme. Kështu, për herë të parë ky dokument zbardh veprimet e policisë për zbulimin e krimit, mënyrën se si u shkua te dy autorët, vëllezërit Ditbardh e Josif Çuko, punën e saktë dhe meritën e pakundërshtueshme të një eksperti kriminalistik nga Vlora si dhe zbardhjen e motivit të vrasjeve. Më poshtë përmbajtja e dokumentit që botohet për herë të parë.

DOKUMENTI I ZBARDHUR NGA GAZETA PANORAMA
Sekret Fier, më 16.06.1992

Përgjithësim Mbi zbulimin e autorëve të grabitjes me vrasjen e pesë personave të familjes Pupa në fshatin Libofshë të rrethit Fier. Më datën 29.05.1992, ora 06:45, në fshatin Libofshë të rrethit Fier, në banesën e tyre u gjetën të vrarë shtetasit Petrit, Zenepe, Agim, Rajmonda dhe Magdalena Pupa. Autorët e krimit kishin mundur të përkulin hekurat e dritares, hequr xhamin e superluçes dhe ishin futur në banesë. Mbasi kishin vrarë pesë personat e përmendur, kishin kontrolluar në gjithë banesën dhe kishin përvetësuar një valixhe, e cila u gjet e shqyer në periferi të fshatit.

Menjëherë u shkua në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të Kryetarit të Degës së Rendit u krijua grupi operativ i përbërë nga shefi i policisë kriminale S. Muço, shefi i policisë shkencore, eksperti kriminalist K. Andoni, shefi i seksionit për krimet në fshat, B. Abedini, inspektorët e policisë kriminale S. Dhamo e A. Shkurta, inspektorët e TO (Teknikës Operative) P. Ngresi dhe V. Tanuçi si dhe punëtori i policisë, që kishte shërbyer më parë në këtë zonë Ll. Stase. Menjëherë u hartua plani i masave, duke ngritur dy versione. Versioni i parë: vrasjet ishin kryer për hakmarrje. Ky version u ngrit duke studiuar personalitetin e viktimave, për faktin se Agim Pupa ishte fejuar e ndarë disa herë dhe pjesëtarët e familjeve të vajzave ishin shprehur për hakmarrje. Versioni i dytë: vrasjet ishin kryer për grabitje.

Për faktin se familja Pupa dihej që kishte lekë në shuma të konsiderueshme. Për verifikimin e dy versioneve paralelisht u ndanë detyra konkrete për çdo pjesëtar të grupit operativ, u koordinua puna me Degët e Ruajtjes së Rendit Lushnjë, Elbasan dhe Drejtorinë e Rendit Publik, Tiranë, për verifikimin e personave të dyshimtë në këtë vrasje. Të gjithë pjesëtarët e grupit operativ brenda datës 29.05.1991 sollën informacion me vlerë, ku u verifikuan të gjitha linjat që të çonin në krimin e vrasjes për hakmarrje. Duke parë si më të mundshëm një denoncim… u bë ndalimi i shtetasve E.Sh. e E.V. duke bërë edhe një sërë veprimesh me T.O. (Teknikë Operative, përgjime) për sqarimin e këtij versioni. Nga studimi i kandidatëve të dënuar në dhomat e izolimit u gjet i përshtatshëm njëri prej tyre, i cili vazhdoi përpunimin në dhomat e izolimit të E.Sh, ndërsa E.V. u fut në një dhomë me një të dënuar që kishte lidhje shoqërore dhe u përgjua pandërprerë me T.O.

Krahas punës intensive në rrugë hetimore e operative, nuk u hoqën vëmendja në asnjë moment nga verifikimet e tjera. Vetëm pas katër ditësh, eksperti kriminalist i Degës së Rendit Publik, Vlorë, Llazar Plaku, dha konkluzionin kategorik se gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, në xhamin e superluçes, janë lënë nga Ditbardh Çukos, nga fshati Libofshë. Menjëherë u organizua operacioni për kapjen e autorit, verifikimin e thirrjen e menjëhershme të të gjitha lidhjeve shoqërore e miqësore, daktiloskopimi i tyre dhe kontrolli i banesës së Ditbardh Çukos. Nga kryerja e këtyre veprimeve rezultoi se në banesën e tij u gjetën rroba me njolla gjaku dhe se përveç gjurmëve të tij, në xhamin e hequr kishte lënë shenjat e duarve edhe vëllai i Ditbardhit, Josif Çuko, 22 vjeç.

Mbi këtë bazë u ndaluan si autorë dhe për kontradikta në thënie Ditbardh Çuko, 24 vjeç, Josif Çuko 22 vjeç, motra e tyre si dhe G.K., shok i ngushtë i Ditbardhit. Nga puna intensive e hetuesisë së rrethit, që në momentin e ndalimit, autorët Ditbardh dhe Josif Çuko pranuan se kishin kryer vrasje për motivin e grabitjes dhe hakmarrjes, pasi Agim Pupa kishte dashur motrën e tyre dhe e kishte lënë atë. Hetimi u bë i shpejtë dhe i plotë, brenda katër ditëve çështja penale iu dërgua për gjykim Gjykatës së Rrethit, e cila i dënoi dy autorët me vdekje, varje në litar.

ANËT POZITIVE QË NDIKUAN
NË ZBULIMIN E AUTORËVE

1-Përkushtimi në punë i gjithë grupit operativ, duke mos njohur kufij kohorë në verifikimin e thithjen e çdo informacioni.
2-Koordinimi i mirë i punës me Degët e Rendit

Publik, që përmendëm më sipër nën drejtimin e drejtuesve më të mirë të Ministrisë së Rendit Publik.
3-Puna e lavdërueshme e shërbimit kriminalistik dhe veçanërisht e ekspertit kriminalist të Degës së Rendit Publik, Vlorë, Llazar Plaku.

4-Bashkërendimi i punës me hetuesin e rrethit, SHIK-un, në kryerjen e të gjitha veprimeve operative apo hetimore.
5-Kryerja e më se 18 kombinacioneve me T.O. dhe 6 për marrjen e shenjave të duarve, kryer me fantazi e intuitë operative nga inspektorët e policisë kriminale, bëri të mundur përjashtimin e një sërë personash të dyshuar dhe ngushtimin e rrethit të personave si autorë të mundshëm të krimit.
6-Ndërtimi me kujdes i operacionit për kapjen e autorëve si dhe bllokimi i menjëhershëm i të gjitha lidhjeve shoqërore të tyre në postën e policisë Libofshë, duke koordinuar punën me hetuesin dhe nëpërmjet veprimeve me T.O. u sqaruan pozitat e tyre.

DISA MANGËSI NË NDJEKJEN
E SHPEJTË TË AUTORËVE
Fillimisht u vërejt çoroditje për zbulimin e këtij krimi të pashembullt. Mbas kryerjes së krimit, detyrat qenë të njëanshme. Hetuesi i çështjes u mjaftua me këqyrjen e pyetjen e dy dëshmitarëve dhe u largua jashtë rrethit pa adresë. Po kështu u larguan edhe ekspertët kriminalistë dhe mjekoligjorë pa dhënë detyra orientuese e pa marrë përsipër detyra për zbulimin e krimit. U desh ndërhyrja e udhëheqjes së Degës së Rendit Publik dhe e Zv/kryetarit të hetuesisë së rrethit për riparimin e menjëhershëm të këtij defekti, çështja penale iu transferua një hetuesi tjetër, u dërgua në vend përsëri eksperti kriminalistik për marrjen e shenjave të duarve me kombinacion personave të dyshuar.

2-Eksperti kriminalist K. Andoni dha konkluzion të gabuar, duke përjashtuar të gjithë kontingjentet e daktiloskopuar të fshatit Libofshë e fshatrave përreth. Kjo bëri që informacionet e marra nga sektori operativ, që Ditbardh Çuko i dënuar më parë për vjedhje, është parë në afërsi të banesës së viktimave para se të ndodhë krimi dhe se mbas kryerjes së krimit është paraqitur mjaft i shqetësuar, aq sa dridhej, të mos çoheshin deri në fund që një ditë mbas kryerjes së krimit. U desh thirrja e ekspertit kriminalist të Degës së Rendit Publik Vlorë për shikimin edhe njëherë të shenjave të duarve të kontingjenteve vjedhës të fshatit Libofshë.
3-Verifikimet, ndonëse nuk munguan, duheshin bërë më të kujdesshme dhe më me përgjegjësi. Themi kështu se, ndonëse për çdo moment u shtrua detyrë verifikimi i personave të larguar nga Libofsha mbas kryerjes së krimit, kjo nuk u bë ashtu siç duhet. Kështu, u nxorën vetëm katër persona, të cilët njiheshin me personalitet të mirë, që janë larguar mbas kryerjes së krimit dhe nuk u nxor vëllai i të dyshuarit, Josif Çuko, që është larguar për në Greqi dhe meqenëse është kapur, ishte kthyer përsëri.
4-Ndonëse u bënë përpjekje për aktivizimin e forcës zbuluese të përjashtuar nga sektori operativ i policisë dhe tërheqja e kandidatëve të përshtatshëm për zbulimin e krimit, kjo detyrë nuk u çua deri në fund, duke përjashtuar vetëm 7-8 takime operative u anua zbulimi (?) vetëm me anën e vijës masave.
5-Koordinimi i punës me SHIK-un u la vetëm për ditën e katërt, kur duhej bërë që në momentin e konstatimit të krimit.
6-Mbajtja në kontroll e kontingjentit keqbërës duhet të ishte parë më mirë si nga sektori operativ i krimeve të hapura, ashtu edhe nga punëtori i policisë së zonës.
7-Dega e Rendit Publik Fier nuk kishte qen gjurmimi, u desh të merrej qeni i gjurmimit të Degës Rendit Publik Lushnjë dhe të pritej në vendin e ngjarjes deri sa ai të vihej në gjurmë. Nga thëniet e autorëve rezultoi se qeni e ndoqi mirë gjurmën e autorëve deri sa ata ishin futur në rezervuarin me ujë në periferi të fshatit. Për zbulimin e shpejtë të këtij krimi, Ministria e Rendit Publik shpërbleu pjesëtarët e grupit operativ dhe personat e tjerë që ndikuan në zbulim me shumën 35 000 lekë. Kryetari i Degës së Rendit Publik Major M. Zaloshnja (firma, vula)

Fjalët e fundit të autorëve para varjes
Në mes të natës, në mes të qytetit të Fierit, para se të ngjiteshin në karriget dhe të shkonin qafën në litar, dy autorët e masakrës së Libofshës, vëllezërit Ditbardh dhe Josif Çuko, kanë pasur mundësinë e fjalës së fundit, apo dëshirës së fundit.

Fiks si në ekzekutimet e kohës së komunizmit. Madje edhe procedura deri te procesverbali i mbajtur me këtë rast nuk dallon nga ata të pushkatimeve të bëra në kohën e komunizmit. Ndryshimi i vetëm është varrosja ekufomave në varrezat publike të Fierit. Dënimi me vdekje me litar i dy autorëve të masakrës së Libofshës u bë sipas një gjykimi të përshpejtuar dhe vendimi i gjykatës mban datën 11 qershor, pra më pak se dy javë pas ngjarjes. Ndërsa pak ditë më pas, më 23 qershor, Presidenti i Republikës nuk u fali jetën dy të dënuarve, duke i lënë rrugë ekzekutimit me vdekje me litar. Ja përmbajtja e këtij procesverbali.

PROCESVERBAL
Mbi ekzekutimin e vendimit me vdekje me litar të dënuarve Ditbardh Çuko e Josif Çuko.
I mbajtur sot më datën 25.06.1992 në orën 02:00, në sheshin e turizmit në qendër të qytetit Fier, në prani të skuadrës ekzekutimit, të prokurorit të rrethit K.N., mjekut ligjor B.S., dhe shefit të policisë së rrethit A.L.
Me vendimin e Presidentit të Republikës N.36 datë 23.6.1992 dhe vendimin e Gjykatës nr. 65 datë 11.6.1992 të dënuarit Ditbardh Çuko dhe Josif Çuko janë dënuar me vdekje, varje në litar. Në këto rrethana në zbatim të normave të rregullores Nr. 01-46 datë 30.3.198…
kapitulli 11, të dënuarit Ditbardh Çuko e Josif Çuko u çuan për ekzekutim.
Para se të ekzekutoheshin, nga ana e prokurorit të rrethit iu tha se Presidenti i Shqipërisë nuk e mori parasysh kërkesën për faljen e jetës dhe me vendimin nr. 36 datë 23.6.1992 lë në fuqi vendimin e Gjykatës Popullore.
Ata para ekzekutimit të vendimit deklaruan:
I dënuari Ditbardh Çuko: “Nuk kam gjë për të thënë”.
I dënuari Josif Çuko: “Nuk kam gjë për të thënë”.
Pas kësaj u bë menjëherë ekzekutimi i tyre. Të varurit në litar u kontrolluan nga ana e mjekut ligjor në prezencë të pjesëmarrësve të përmendur në procesverbal, i cili konfirmon vdekjen e të dënuarve në fjalë. Procesverbali, pasi u shkrua, u lexua nga pjesëmarrësit dhe nënshkruhet rregullisht me firmën e tyre. Prokurori i Rrethit, K.N. (firma) Shefi i Policisë së Rrethit A.L.
(firma) Mjeku Ligjor A.s. (firma) Poshtë, vula e Degës së Rendit Publik, Fier./panorama

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore