Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Të udhëtosh mbi hekura/ Shkëlqimi dhe rënia e sistemit hekurudhor në Shqipëri

Të udhëtosh mbi hekura/ Shkëlqimi dhe rënia e sistemit

Shqipëria ka qenë një prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, që më shumë se kushdo përdorte trenat si mjet lëvizje ndërqytetëse. Madje, në vitet e diktaturës, ka pasur aq shumë aksione për ndërtime në hekurudha, sa kurrë në ndonjë vend tjetër po aq komunist sa vendi ynë.

Terminali kryesor i vendit është në Durrës. Hekurudhat që operojnë janë Durrees-Peqin, Shkozet-Tiranë, Peqin-Elbasan, Vorë-Laç, Rrogozhinë-Fier, Elbasan-Librazhd, Librazhd-Prrenjas, Fier-Ballsh, Prrenjas-Gur i Kuq, Laç-Lezhë, Lezhë-Shkodër, Shkodër-Han i Hotit, Rrogozhinë-Fier-Vlore dhe Milot-Rrëshen-Klos.

Infrastruktura e hekurudhës shtrihet drejt lindjes në Pogradec, jugut në Vlorë dhe veriut në Shkodër. Ka edhe një linjë në kryeqytetin Tiranë, e cila pak vite më parë u shkatërrua dhe destinacioni fundor mbeti në Vorë.

Shinat u shtrinë në vitet '80 në Mal të Zi nëpërmjet kufirit të Hanit të Hotit, për transport mallrash. Sot ende nuk ka asnjë lidhje hekurudhore ndërkombëtare për pasagjerë në Shqipëri. Trenat janë në gjendje fizike jo të mirë. Rrjeti i hekurudhës shqiptare është i ndërtuar në të njëjtin sistem si në Evropë, në gjurmë normale dhe ka një gjatësi prej 447 km.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Transportit tregojnë se hekurudha shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Me këto mjete, sipas të dhënave transportohen rreth 1,5- 2 milionë udhëtarë dhe rreth 400-500 mijë tonë mallra në vit.

Nuk ka një të dhëne zyrtare që të tregoje nëse ky numër është më i vogël krahasuar me disa vite më parë, por duke iu referuar deklarimeve të fatorinove, ka një rënie drastike të tyre. Për çdo vit, buxheti i shtetit, në formë subvencionesh, akordon rreth 4 milionë dollarë amerikanë për aktivitetin e operimit dhe 3 deri në 4 milionë dollarë amerikanë për investime kapitale. Megjithatë bilanci vjetor rezulton me humbje rreth 1 milionë dollarë.

Hekurudha shqiptare daton në 1947 me linjën Durrës-Peqin dhe dy vjet më vonë Shkozet-Tirana. Ndërsa në vitin 1950 Shqipëria përfitoi linjën Peqin-Elbasan-Krastë e Cërrik.

Në majin e 1963 u shtrua linja Vorë-Laç dhe 5 vjet më vonë, ajo Rrogozhinë-Fier. Ndërkohë me punë vullnetare dhe aksionistë nga të gjithë vendi në 1972 deri në 1974 përfundoi linja e hekurudhës Krastë-Librazhd dhe Librazhd-Prrenjas.

Më tej, autoritetet shtetërore të asaj kohe filluan në 1975 linjën e hekurt Fier-Ballsh, e ndikuar edhe nga zhvillimi ekonomik në këto zonë në atë kohë. Linjat e fundit në diktaturë ishin Prrenjas-Pogradec në 1979 dhe në 1981 Laç-Lezhë. Ndërsa në tetor të 1985, atëherë kur Shqipëria ishte në krizën më të madh ekonomike përfundoi linja Shkodër-Han i Hotit.

Hekurudhat në Shqipëri mendohej se do të kishin një të ardhme. Por, ndryshimet e sistemit politik u shoqëruan edhe me një ekonomi me koncepte krejt të tjera, duke bërë që shumë persona të sigurojnë transportin me mjete private.

Sot hekurudhat janë katandisur. Janë të paktë ata që udhëtojnë me tren dhe kjo më së shumti gjatë verës, kur qytetarë nga Tirana dhe Elbasani zgjedhin Durrësin si destinacion për pushime në fundjavë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore