Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Rrëfimi rrëqethës i motrës së priftit që u pushkatua në 1959: Në hetuesi hyri Ali Xhunga dhe pasi mbylli derën me çelës, filloi nga ato punët…

Rrëfimi rrëqethës i motrës së priftit që u

Nga Marçel Hila
I zhdukur: Dom Ejëll Pjetri Kovaçi. Vuajtës: Dy motrat, Angje e Tone (Antonia), nga të cilat Angjelina Preka u dënua për agjitacion dhe propagandë, për pjesëmarrje në vrasje dhe akuza të tjera që ajo kurrë nuk i mori vesh. U dënua me burgim në Shkodër e Tiranë. Nuk u martua kurrë.

Dom Ejëll Pjetri Kovaçi (Engjëll Kovaçi), lindur më 1920 në katundin Hajmel të Shkodrës, i arrestuar dy herë, një herë me akuzën për agjitacion dhe propagandë, kur u dënua 5 vjet dhe kreu 3. Pasi u lirua, e caktuan Ipeshkëv në Kryezi.

U arrestua për herë të dytë më 14 gusht 1958, me akuzën se: në tetor-nëntor të vitit 1951, vrau bashkëpunëtorin e pushtetit Marka Gjergjin, në katundin Qelës të Pukës, brenda në dhomën e tij, tok me diversantin Zef Pjetër Marashi dhe që motra, Angjelina, ishte pjesëmarrëse direkt në vrasje; u akuzua edhe që e kishin larguar kufomën dhe e kishin fshehur faktin e vrasjes në qelë.

Priftin e kanë torturuar dhe e kanë detyruar të firmosë e të pranojë fajin. Por arsyeja e vërtetë ishte konflikti me pushtetin në fuqi, për shkak të mospajtimit të tij me politikën kundrejt Kishës Katolike dhe kundërshtimit prej tij që të firmoste një statut të Kishës, të hartuar sipas interesave të komunistëve. U dënua me vdekje dhe u pushkatua për një krim të pakryer. Sot ende i pagjetur.

Rrëfimi rrëqethës i motrës së priftit që u

Dëshmon Angjelina Preka, e motra: “Tash më kanë shterë lotët, më ka shterë jeta, të tana… Mandej le të bajnë çfarë të duan, të thonë ça të duan… Veç unë jam gjallë. Të tanë kanë dekë! Në fillim, kur vëllai u bë prift, e caktuan në Koman; Në Koman kemi ndejë tre vjet me të, njaty, ne, dy motrat, në Koman, vetëm, pa kurrkënd. Prej Komanit e caktuan në Qelëz.

Zonja Angjelina, çfarë ngjarjeje ndodhi në Qelëz? Vranë kryetarin e Këshillit apo dikë tjetër?

Po, ndodhi një vrasje! Ishin afër, këtu e këtu: Dera e qelës këtu, kisha më tej, dera e kishës aty. Oborri, kallaballëku, ja kështu…! Unë isha në kuzhinë. Motra ime atë ditë ishte në Shkodër. Im vëlla ka qenë në zyrën e vet. Zyra qe aty, pastaj ngjitur ishin shkallët për në kuzhinë. U bë një përleshje…!

Fshatarët, aty, me njëri-tjetrin, se njëri prej atyre i kishte vrarë babain. Nisi përleshja. Ishin dy vëllezër dhe të voglin e plagosin e ma sjellin në kuzhinë. Farefisi ma prunë. E vura në karrige, të shkretin. Unë kisha dëgjuar që të plagosurit nuk i jepet ujë, se, po t’i japësh, vdes. Unë isha në kuzhinë duke gatuar, vijnë e ma sjellin aty tërë farefisi i tij.

Rrëfimi rrëqethës i motrës së priftit që u

E plagosën me pushkë a me thikë?

Me pushkë! E u përlesh, vëllai i tij më i madh u përlesh me vrasësin. Krisën pushkët. Ishin tre veta me të plagosurin. “Ujë, ujë, ujë!” – bërtiste djali. Sa vjeç ishte, nuk e di, a ishte 15, a 16, a 18, nuk e di, se kam qenë fëmijë edhe vetë. Si përfundim, lypi ujë: “Më sill një gotë ujë”!

U thashë “jo!”, se e kisha dëgjuar këtë, që uji e mbyt, po se ku e kishte plagën…! Veç se e kishte në këmbë. Ai i shkreti lypte ujë, i shkretë mos qoftë… edhe vjen si përfundim njëri prej tyre, shkon merr gotën e ujit, e mbush, dhe shkuan i’a dhanë. Unë i bie gotës e i’a hedh në tokë. Këtë kam bërë. Ka rënë gota në tokë. Erdhën pastaj farefisi i këtij djalit dhe e morën! Kjo ka qenë që mbaj mend. Mbasandaj, fort mirë nuk e kujtoj, se u bënë sa vjet…! Mbaj mend që arrestuan villain, Dom Ejëllin. Është dënuar 5 vjet për agjitacion e propagandë. Bëri tre vjet.

Në cilin vit ka ndodhur plagosja?

Për Zotin, atë s’e mbaj mend! Si përfundim, vëllai bëri 3 vjet në burg. Edhe ne jemi çuar mandej me motrën, kemi marrë bagëtinë natën, e ça kemi pasë, dele e thi e lopë, se kishim edhe lopë që i milnim e banim të tana, e këto, thi e dele e lopë, natën i’a çuam një familjeje në Rrenc dhe ata i mbajtën. Si përfundim, ne erdhëm në Shkodër. Kemi ikur natën e kemi ardhur në Shkodër e s’kemi luajtur më, tre vjet. Kemi shkuar në takim me vëllain për tri vjet, se dy vjet i’a falën, tre vjet i bëri.

Te Kafja e Madhe e kemi pasë shtëpinë. Te sheshi ishin dy kafe, mes dy kafeve ka pasë një rrugicë e cila vazhdonte me një kthesë, që çonte te kulla e Markagjonëve. Tek ajo rrugicë e kemi pasë shtëpinë, pa hyrë në kthesë ka qenë dera jonë. Kalonin edhe njerëz nga Dega e Brendshme, i kam parë sa herë prej xhamit e, me thënë të drejtën, kam dyshuar.

Ëhë, si të Sigurimit visheshin. Te ne ishin 6 familje oficerësh. Ne kemi qenë poshtë, ata lart, një oborr, një portë. Kemi mbushur ujë me ta, kemi ndejë me gratë e tyne. Kur binte Buna, Drini e Kiri prej jashtë Shkodre dhe duhet të shkonim për të marrë bukën, bëheshim 6 gra e një oficer me vete, e me merak se mos po mbyteshim kund. Me marr’ bukën!

Po dua të them që s’kam dalë unë vetë një herë me kurrkënd. Kam pasë një shoqe prej murgeshave, lart, te rrugica…! Hyri komunizmi e na nxorën nga shtëpia. Kemi ndenjë një kohë të gjatë te Serreqët…! Një herë dolëm me motrën time edhe me atë shoqen time. Një djalë i ri, oficer, na ndiqte mbrapa. E re unë, e re ajo, e re edhe motra.

Me thënë të drejtën e shpirtit, s’dija gjë në botë. Ne atje të tria, edhe ky kalonte…! Një ditë prej ditësh, në hetuesi, na hyri brenda Ali Xhunga. E kishte çuar përgjegjësi i birucave. Hyri, mbylli derën, dhe filloi ato punët e veta…!

Ali Xhunga ju ka rrahur juve…?

Në ç’mënyrë? Të binte me shputa, me grushte?

Shputa, grushte, sa mundte! Me thënë të drejtën, s’munda të duroj e bërtita. Ky oficeri ishte duke kaluar, dëgjoi dhe erdhi i ra derës: “Ali, hape! Ali, hape”!

Ky nuk e hapi! Ai i dha shqelmin derës edhe…! “Çfarë bën, more Ali”? – i tha. “A po e di ti se çfarë ka bërë kjo”? “Po çfarë ka bërë, more…”? – i tha. – “Më thuaj, more, çfarë ka bërë? Tre vjet, tre vjet kam që e ndjek mbrapa, që kur del e deri sa kthehet në shtëpi. Më ka pasë mbrapa e s’ka bërë gjënë më të vogël, as çështje nderi, as të zihet me kënd, as kurrgjë”!

Ai s’bëri zë. Nga ajo ditë e mbrapa e gjer tash s’e kam parë më. Se nga e kanë çuar, e dinë ata. Ja, kështu ka qenë.

Rrëfimi rrëqethës i motrës së priftit që u

A më kallëzoni si ju kanë arrestuar?

Ah, si m’kanë arrestuar! Kam qenë në shtëpi. Kur vëllai ka dalë nga burgu, e kanë caktuar në Kryezi, por kishte të drejtën të shkonte edhe në Dardhë për meshë, se s’kishte prift në Dardhë.

Meshtar e caktuan. Këto datat e ditët nuk i di…! Po njëherë erdhi e na tha se do të shkonte në Dardhë. Ngaqë dëgjoja nga njerëzit dhe kishim frikën se po e fusin prapë brenda, i thashë: “Ti po shkon në Dardhë, kufirin e ke afër, ik në Jugosllavi, shpëtoje veten tënde! Ke bërë tre vjet, kushedi sa po të fusin!”

Dardha bie në kufi me Tropojën.

Po, dhe është afër Jugosllavisë. Edhe i thashë: “Shko”! “Si të shkoj, që ju të dyjave t’ju çojnë në internim? T’ju marr në qafë”?, na tha ai. “S’ka gajle, – i thashë, – shpëto për vete, shpëto prej tyre! Mbathja për veten tënde”! Edhe Tonia i tha po ashtu. “Jo, – tha, – burg ha e ju nuk ju marr në qafë”! Edhe mori veten në qafë për së mbari.

Kishim një qen të vogël. E kapi për pantallonash, e tërhiqte ta fuste brenda e s’e linte të dilte. I thashë: “Hajde, more, brenda! Mos e bëj qenin të lehë kot, se po t’i shkul pantallonat”! Erdhi brenda, e rrejtëm qenin dhe pastaj iku. Mbas tri-katër ditësh, e arrestuan vëllain. Erdhën nja tre burra…!

U arrestua për herë të dytë?

Cila ishte akuza për herën e dytë?

Po atë akuzë që kisha edhe unë.

Ju akuzuan për vrasjen në fshat? Ishte vrarë një kryetar i Këshillit të fshatit, apo tjetër?

Çfarë kryetari? As e njoh, as e di!

Në akuzën që ju kanë shkruar dhe është në dosje, thuhej se është vrarë në qelë, brenda në qelë dhe që e keni larguar, e keni tërhequr trupin dhe e keni fshehur diku. Thuhej edhe se ju vetë keni bashkëpunuar për ta fshehur kufomën.

Kjo është akuza që ju kanë bërë?!

Unë i rashë dorës, e i’u thye gota. Për këtë deshën edhe të më futnin në burg.

Për këtë ngjarje bëhet fjalë? Pse vdiq ky djali?

Po, për këtë ngjarje, për këtë djalë. Jo, jo, djali s’ka vdekur. Vëllai i tij, më pas, mbyti atë tjetrin që i’a plagosi vëllain.

E mandej e quajtën që këto punë kanë ndodhur në kishë?

Që kanë ndodhur në kishë dhe hëngrëm burgun…!

Ju keni jetuar të dyja motrat bashkë tërë kohën?

Atë minutë që ky ka dalë prej qelës, kam qenë vetëm unë. Por kjo motër mua më ka ndihmuar 18 vjet e gjysmë.

Më pas, këtë akuzën e turpshme kush e ka shpikur?

Ilmi Sahiti me Ali Xhungën, ata kanë qenë.

E pashë dosjen tuaj dhe është Ali Xhunga që bën pyetje gjatë gjithë kohës. A dëshironi ta lexoni apo jo?

Po t’jua lexoj unë, a dëshironi?

E di, more, se ata kanë qenë duke më incizuar, prokurori.

Hë, i’a kam harruar emrin, i pari i prokurorisë, më i madhi në atë kohë.

Në Shqipëri apo në Shkodër?

Arianit Çela! Arianit Çela ka qenë duke më incizuar, aty, gjatë gjyqit. E pashë se janë duke më incizuar, dhe i’a thashë.

Kur jua vunë këtë akuzën e turpshme, jua thanë?

Absolutisht, s’më kanë thënë gjë!

Pra, ju s’e dinit fare gjatë gjithë hetuesisë?

Gjatë hetuesisë unë s’kam ditur se çfarë janë duke thënë. Unë ballafaqim s’kam bërë me askënd, as me vëlla, as me njerëz të huaj.

Domethënë, vetëm kur ke dalë në gjyq e ke marrë vesh?

Kur kam dalë në gjyq, mandej thashë: “Ilmi Sahiti dhe Ali Xhunga e kanë bërë këtë punë”!

Ilmi Sahiti ishte gjallë në atë kohë?

Po, ka qenë gjallë, pas një viti që jam arrestuar unë.

Po, helmoi veten a e helmuan, nuk e di…!

Thuhet se e kanë helmuar Ilmi Sahitin. Në gazeta kanë shkruar se i ka rënë hemorragji cerebrale, megjithëse ishte 38 vjeç.

Po vëllai, çfarë tha kur e dëgjoi këtë akuzë?

Asnjë send, çfarë të thoshte? S’ishte në gjendje me folë.

38 vjeç ishte edhe vëllai juaj, krejt i ri.

Po, i ri, bile unë s’e kam ditur 38 vjeç, por 32-33. Po mund ta kem edhe gabim, se edhe mendja ka tretë, nuk është…!

Jo, Angjelinë, ndoshta gaboj unë! Do të shoh dokumentet që janë përgatitur për t’i çuar për procesin e beatifikimit në Vatikan.

Mbaj mend, kur kanë ardhur të më marrin mua, i kam thënë vëllait: “Pasha Zotin, se po të arrestojnë prapë. Kufiri aty është, mbathja, ik, meqë e ke Jugosllavinë afër”! “S’i kam bërë gjë kujt, moj, që të iki!”

A e dini cili ka qenë faji më i madh i vëllait tuaj?

Nuk ka firmosur statutin e Kishës, siç e donte regjimi, dhe këta që s’e kanë firmosur, kanë shkuar në pushkatim. Prit, se po të kallëzoj: Dom Ejëlli, Dom Dedë Malaj edhe Padër Konrad Gjolaj e Dom Tish Lista, që e kanë helmuar. Konradin e kanë futur në burg. Këta quheshin të fortët që s’kanë pranuar të firmosin statutin.

Me thënë të drejtën e shpirtit, jam shumë e lodhur e s’kam fjetur gjithë natën, se kam pasë dhimbje. Me të thënë të drejtën e shpirtit, shih si më dridhet trupi, edhe kështu që s’po mbaj mend. Veç mbaj mend këtë, kemi pasë një dardhë në oborr. Kishim një tavolinë, katër karrige e i kishim vënë aty tek oborri. Atë ditë që është arrestuar vëllai, kanë ardhur tre veta – tre oficerë – edhe ime motër u bëri kafe, u’a solli dhe u ulën aty, duke bërë muhabet. “Ku është urata”? “Ka shkuar në Dardhë për meshë”, – i tha, se ai shkonte edhe në Kryezi, edhe në Dardhë për meshë. Kur isha në burg, këta oficerët më thërrisnin: Vatikan! Edhe Ilmi Sahiti, kur dilte në burg të Shkodrës, më vinte në turi e i’a sillja kryet në njërën anë.

Më vinte afër, kështu, e më thoshte: “Vatikan” në sy të grave. Me urrejtje, po, me urrejtje, sa me më përpi! Në krye të vitit që jam dënuar unë, ai ka ikur nga jeta.

Njihet si person që ka bërë hatanë në Shkodër!

Po! Kam pasur gra prej Malësisë së Madhe, që i çonin fjalë për t’i liruar, se ua kishte premtuar. I shkruanin se nuk e kishin nxjerrë emrin e tij në gjyq. I kam parë me sytë e mi, po ai iku e shkoi, kurse ato e bënë dënimin, derisa u erdhi falja.

Me kë ishte takuar Ilmi Sahiti? Me “diversantë”?

Vetë ai, bashkë me malësorët e Dukagjinit. Ishin dy kunata, s’ua mbaj mend emrat, me thënë të drejtën, këto i shkruanin: “Edhe na ke premtuar që pranojeni që jeni takuar ju e mos më qitni mua, edhe kur vjen fundi…”!

I la në burg! Ndërkohë, ai vetë vdiq.

Kur erdhën të arrestonin vëllain, ne kishim një dhomë, ja, kaq: dy motrat, aty flinim; vëllai kishte dhomën e vet dhe zyrën në Kryezi. Erdhën një ditë më parë, pyetën për priftin dhe ikën, pastaj erdhën të nesërmen tre oficerë me një grua, një femër, dhe u futën fill e brenda në zyrën e vëllait. Ai ka pasë një tavolinë me çelës. U futën brenda në zyrën e vëllait: Je i arrestuar!

Çfarë i thanë atij, nuk e di. Kjo gruaja më mori, më futi në dhomë të gjumit, bëri kontrollin. Kur dola, pashë motrën time ulur në një karrige dhe një fëmijë të kushërirës sime, pa hyrë ende në klasë të parë. Shoh çantën e vëllait. “Hë, – i them asaj që kontrolloi, – çfarë gjete”? “Jo, – thotë, – nuk gjeta gjë”. Im vëlla ka pasë një sahat ari, që i’a kishin dhuruar, e ka pasë me zinxhir, po ai e mbante në xhep. E kam vënë re që zinxhiri kishte rënë jashtë dhe i thashë motrës sime: “Tone, merr djalin e kur të dal unë prej kësaj shtëpie, mos rri asnjë sekondë më, se Dom Ejëllin e kanë arrestuar”. “Ku e di ti”? – më tha. “Shih zinxhirin! A është zinxhiri i tij? Prandaj, kur të dal unë prej kësaj shtëpie, mos rri më”. Dhe ashtu ka bërë, iku e shkoi në Shkodër, te shtëpia.

Gjashtë veta që ishin, shto edhe ky vetë, bëheshin shtatë, në një birucë sa brima.

Nga ky moment, ju me vëllain nuk jeni parë më, vetëm në sallë të gjyqit?

Ju kanë dënuar në vitin 1959, ju kanë gjykuar në kinema “Republika”. Kur ju, Angjelinë, ju thirrën në fillim në hetuesi, ju akuzuan për bashkëpunim në vrasje, pra, për rastin e atij djalit të Qelës?

Domethënë, kjo është akuza: Bashkëpunëtore në vrasje! Edhe Dom Ejëlli, bashkëpunëtor në vrasje, mandej doli akuza tjetër, që ju s’e keni ditur fare, se nuk ju kanë thënë hiç gjatë hetuesisë?

Për atë akuzë, për të tëra akuzat që na kanë bërë, për nder e për erz’, për të tëra, unë hidhem në zjarr. Rrena, rrena…! Vetëm një oficer ka thënë të vërtetën. Në tre vjet që më ka ndjekë nga pas, arriti e i tha Ali Xhungës: “Asnjë majë gjilpëre tradhti nuk ka! Për tri vjet, unë do ta kisha kuptuar një fije”!

Ali Xhunga ka qenë një burrë i shkurtër…! Njihet për të këqijat që ka bërë në Shkodër. Gjyqet kryesore i ka pasur ai. Ka qenë edhe njëfarë Nesti Kopali, Zoi Themeli, edhe një Zoi Shkurti, kanë qenë oficerët e fillimit, që kanë bërë tmerre.

A e njihni Fritz Radovanin që ka shkruar një libër për Dom Ejëll Kovaçin? Fritzi jeton në Australi. A e keni librin e Fritzit?

Do të shkruajë edhe një libër tjetër për të gjithë këta që s’kanë firmosur statutin.

Ah, më kanë ardhur edhe gazetarë që donin të më botonin libër, por më kanë kërkuar lekë, një milion…! Tash më kanë shterë lotët, më ka shterë jeta, të tana, mandej le të bëjnë çfarë të duan, të thonë çfarë të duan…! Veç unë jam gjallë. Të tanë kanë dekë! Unë e kam lutë Zotin në burg. S’kam fjetë pa thënë “O Zot, ata mos ta gjejnë gjallë nanën”! edhe ma çoi Zoti, dy vjet para se të dilja. Më erdhi një person në burg e më tregoi se filani është dënuar, e më tha “kështu… kështu… ka dekë”. Atëherë thashë: Zot, më fal, po shyqyr që s’e gjeti!

Jo, jo, kam kërkuar boll. Erdhi një shok i vëllait, për prift ka qenë edhe ai, më i ri. Erdhi e na tha që kishte gjetur një nga ata që e pushkatuan, por ishte në spital. Ai kishte frikë me na kallëzue, se mos merrnim gjak, se s’jemi pa njerëz. Ka shkuar shoku i vëllait e i’u lut me be të Zotit. Erdhi e më mori mua e shkova te spitali, por e gjeta të vdekun. S’ka qenë e shkruar me ia gjetë eshtrat. Mandej, kush me e kërku? Unë e zonja jo, motra kaq vjet e paralizuar. Ku të shkoja unë, vetëm këtu, pa kurrkënd, veç me Zotin. Mua më ka ndihmuar i madhi Zot e kurrkush tjetër, me thënë të drejtën e shpirtit, veç Zoti, në burg, edhe këtu që kam dalë.

Unë? Jo! Motra u martua. Fëmijë s’ka pasë. Veç ka pasë një burrë zotni, për Zotin, Tefë Martini, do t’ia kesh dëgjuar zërin.

Kanë qenë në arrati edhe ata.

Në cilin vend e keni bërë burgun, në Burrel apo në Tiranë?

Në Tiranë, kam qenë në rrobaqepësinë e kohës, tek Artizanati, mandej u mbyll. E mbyllën si për burra, edhe për gra. Burrat se nga i kanë çuar, s’e di. Mbaj mend se për të shkuar te burgu i grave, ishte një oborr i madh. Burrat punonin, hiqnin dru. Kur unë zbrita prej makinës, ishin nja 10-15 oficerë duke pritur atje…!

Drejtori i këtij burgut të Artizanatit ka qenë një Sotir Vullkani, shok me Enver Hoxhën, që nga fillimet e Partisë Komuniste. Ka pasur dy djem. Njëri djalë mori bursë e shkoi me studime në Rusi, tjetri ishte këtu. Djali atje njohu një ruse dhe u martua me të, mirëpo kur u prishën punët me rusët, ky nuk e prishi martesën dhe as nuk u kthye prej Rusisë. Atëherë, Sotirin e dënuan, e hoqën prej punës dhe i fusin djalin tjetër në burg. Tregojnë se ky, Sotir Vullkani, kishte shpikur një torturë për të dënuarit. Si përfundim, djalin e tij, të dytin, që ia futën në burg, ia torturonin me torturën që kishte shpikur i ati. E ai bërtiste: “Baba, ç’më bëre me këtë shpikjen tënde, baba!” Duke e mbyllur, ju falënderoj, Angjelinë, që pranuat të jepni këtë intervistë për ne.

Ju falënderoj edhe unë ju z. Marçel, për të gjitha këto që po bëni për shtresën tonë të përndjekurve dhe burgosurve politik që vuajtëm tmerre në kohën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. /Memorie.al

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore