Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Nuk realizuan dot atentatin ndaj shokut Enver në ‘Bllok’, donin të vrisnin ministrin Hazbiu! Sekretet e dosjes së 7 gazetarëve, ushtarakëve dhe artistëve disidentë

Nuk realizuan dot atentatin ndaj shokut Enver në ‘Bllok’, donin

Nga Dashnor Kaloçi

Publikohen dokumente arkivore nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një korrespodencë në mes Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Shuaip Panariti, me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe Kryeministrinë, lidhur me procesin gjyqësor të zhvilluar në nëntor-dhjetor të vitit 1963, ndaj të pandehurve: Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Robert Vullkani, Trifon Xhagjika, Thoma Rafaeli,  Franko Sara dhe Stavri Rafaeli, të gjithë kuadro të lartë të diplomuar në universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe vëndeve të tjera të Europës Lindore, si artistë, inxhinjerë, ushtarakë, gazetarë etj. 

I gjithtë aktiviteti i tyre “antiparti dhe armiqësor” sipas informacioneve të Gjykatës së Lartë, duke filluar nga: agjitacioni e propaganda, veprimtaria e spinuazhit me togerin sovjetik Valentin Zhenj gjatë takimeve të tyre në shtëpinë e Robert Vullkanit dhe plazhin e Durrësit, plani dhe tentativa e dështuar për të vrarë me atentat Enver Hoxhën në lokalin e Bllokut të udhëheqjes dhe më pas ministrin e Brendshëm, Kadri Hazbiu, te Materniteti i Tiranës ku ai shkonte shpesh me makinën që e ngiste vetë, e deri te tentative e arratisjes fillimisht nga lumi Buna dhe më pas nga Liqeni i Pogradecit, etj. Dosja e panjohur e grupit të komunistëve liberal ku katër prej tyre do të pushkatoheshin, publikohen për herë të parë nga Memorie.al.

Nuk realizuan dot atentatin ndaj shokut Enver në ‘Bllok’, donin

“Përpara Gjykatës, të gjykuarit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe kapiten, Trifon Xhagjika, pohuan se përveç veprimtarisë që kryenin duke u lidhur me Zbulimin e huaja, duke bërë përgatitjet me u arratis dhe duke bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, synonin që të kryenin edhe ndonjë vepër terrori, me qëllim që me anë të kësaj vepre të jepnin me kuptue botës së jashtëme se në Shqipëri ka njerëz që nuk pajtohen me vijën politike të ndjekur nga Partia e Punës së Shqipërisë dhe qeveria e R.P.SH.Për të realizuar këtë qëllim, nga zhvillimi i gjykimit, doli se kanë bërë këtë përgatitje: Në fillim kanë vënë në plan që ta kryenin veprën e terrorit ndaj udhëheqësit të partisë, shokut Enver Hoxha.

Nuk realizuan dot atentatin ndaj shokut Enver në ‘Bllok’, donin

Për këtë, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Trifon Xhagjika pohuan se kanë shkuar në afërsi të lokalit të Komitetit Qëndror për të parë orën e ardhjes dhe të daljes nga zyra të shokut Enver. Ata pohuan se e kishin parë shokun Enver se në cilën orë shkonte në zyrë dhe dilte nga zyra dhe nga ç’drejtim vjen në zyrë dhe del nga zyra, por e kishin gjetur të vështirë që të kryenin atentatin kundër jetës së tij, për shkak të mbrojtjes së mirë që i bëhej. Megjithkëtë, duke qenë konsekuent në veprimtarinë e tyre, këta të gjykuar arrijnë në konklluzion që të vrasin të tjerë udhëheqsa.

Kështu, të gjykuarit Fadil Kokomani, Vangjel Lezho e Trifon Xhagjika, pranuan para Gjykatës, kështu del edhe nga materiali i hetuesisë që të vrisnin shokun Kadri Hazbiun dhe disa punonjës të tjerë të Sigurimit të Shtetit”. Kështu thuhej në mes të tjerash në një raport-informacion të Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Shuaip Panariti, dërguar Komitetit Qëndror të PPSH-së, lidhur me procesin gjyqësor që ishte zhvilluar në fundin e nëntorit të vitit 1963, ndaj shtatë të pandehurve:

Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, Robert Vullkani, Trifon Xhagjika, Thoma Rafaeli,  Franko Sara, dhe Stavri Rafaeli, të gjithë kuadro të lartë të diplomuar në universitetet dhe akademitë ushtarake të Bashkimit Sovjetik dhe vëndeve të tjera të Europës Lindore. Po çfarë detyrash e funksionesh kishin dhe ushtronin në atë kohë shtatë të pandehurit, përse ishin arrestuar dhe akuzoheshin ata dhe çarë qëndrimi mbajtën në procesin gjyqësor?

Lidhur me këto dhe të tjera, na njohin dokumentet arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së) që publikohen për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhet një korespodencë në mes Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë me Komitetin Qëndror dhe Kryeministrinë, të cilat po I publikojmë të plota siç ndodhen në dosjen përkatëse, duke filluar nga ky numër.

Letra e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti, për Komitetin Qëndror

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË    Tiranë më 18. XI.1963

GJYKATA E LARTË

Nr. 96 Sekret

                           KOMITETIT QËNDROR TË P.P. SHQIPËRISË

                               (Drejtoria Org-Administrative)

Bashkangjitur me këtë shkresë ju dërgojmë një relacion mbi dosjen e të pandehurve Vangjel Lezho etj.

Lutemi të na njoftoni mendimin tuaj sa më parë.

                        Kryetari

                     Shuaip Panariti

   R E L A C I O N

Prokuroria e Përgjithëshme me shkresën Nr. 0523 datë 15.XI.1963, na ka dërguar për gjykim në shkallën e parë të pandehurit:

Nga shqyrtimi që i bëmë dosjes gjyqësore, rezulton se të pandehurit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Robert Vullkani, kanë pranuar se janë vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik, se kanë bërë takime me Valentin Zhenj, etj., të cilëve u kanë dhënë raporte informative, mbi punimin në organizatat bazë të partisë të letrave të Komitetit Qëndror të PPSH-së, se kanë dhënë informata me gojë si dhe gjithçka që ju kanë kërkuar, dhe se janë takuar njëherë me gjeneral Kuzmicki dhe me dy nënpunës të ambasadës sovjetike në Tiranë (pa i njohur se cilët janë), se kanë agjituar dhe propaganduar kundër pushtetit popullor si dhe kanë bërë përgatitje për t’u arratisur jashtë shtetit.

Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Trifon Xhagjika kanë pranuar se kanë zhvilluar bisedime për të kryer akte terroriste kundër Ministrisë së P. Brendëshme.

Të pandehurit Robert Vullkani dhe Trifon Xhagjika kanë pranuar se edhe kanë bërë veprime përgatitore për t’u arratisur jashtë shtetit, se kanë dëgjuar radio-stacionet e huaja si dhe kanë përgatitur e shpërndarë te shokët e tyre vjerash me përmbajtje reaksionare.

Të pandehurit Thoma Rafaeli, Franko Sara dhe Stavri Rafaeli, kanë pranuar se kanë kryer krimin e tradhëtisë ndaj Atdheut (duke tentuar të arratisen më datën 20 korrik 1963) dhe se kanë agjituar e propaganduar kundër pushtetit popullor.

Ne mendojmë se propozimi i bërë nga Prokurorija e Përgjithëshme dhe Ministrija e P. të Brendëshme për ta zhvilluar gjyqin me dyer të hapura, është i drejtë edhe për këto arsye.

Duke marrë parasysh veprimtarinë kriminale që kanë

Zhvilluar këta të pandehur, pranimi i fajësisë nga ana e tyre dhe dokumentet që ndodhen në dosje, ne mendojmë se gjyqi duhet të bëhet me dyer të hapura. Zhvillimi i këtij gjyqi me dyer të hapura do të ndihmojë në demaskimin e mëtejshëm të grupit tradhëtar të Hrushovit, do të forcojë dhe më shumë veprimtarinë revolucionare të popullit tonë, do të jetë një paralajmërim për njeriun e lëkundshëm, si dhe për ata që janë martuar me gra të huaja dhe që s’mbajnë qëndrim. Gjyqin mendojmë ta bëjmë në sallën e Gjykatës së qarkut të Tiranës, ku mund të marrin pjesë 100 deri 200 veta. Në qoftëse nga ana e juaj mendohet se pjesmarrja duhet të jetë më e madhe, lutemi të na njoftoni që të sigurojmë një lokal tjetër.

Prokuroria e Përgjithëshme na ka njoftuar se si prokuror, për të përfaqësuar akuzën në këtë çështje, ka caktuar major Isamedin Resnjën.

Caktimi i një referenti (prokuror dege) të përfaqësojë akuzën, para një Kolegji të Gjykatës së Lartë dhe sidomos të një çështje të rëndësishme, e cila do të zhvillohet me dyer të hapura para publikut, nuk na duket aspak e drejtë për këto arsye:

Së pari, nga ekseprienca 20 vjeçare e funksionimit të Gjykatës së Lartë, nuk ka ndodhur deri tani as dhe njëherë, që të ketë dalë për të përfaqësuar akuzën para Kolegjit të Gjykatës së Lartë një referent (ose prokuror dege).

Së dyti, çështja, në rastin konkret, ka rëndësi të posaçme, kurse përfaqësuesi i akuzës s’është sipas organikës prokuror kasacioni. Veç kësaj, ai s’ka as titull të njohur që të paraqitet në gjyqe si përfaqësues të akuzës. Për vetë autoritetin e Gjykatës së Lartë dhe të rëndësisë së çështjes, duhet të caktohet një prokuror kasacioni pranë Gjykatës së Lartë.

Gjyqi mendojmë që të zhvillohet pas festës, më 2 dhjetor të filloi. Në qoftë se nga ana juaj mendohet të filloj më parë dhe gjatë ditëve të fetës të ndërpritet, atëhere neve kemi mundësi t’a fillojmë me datën 25 nëntor dhe t’a vazhdojmë deri më 27 nëntor, pastaj ta ndërpresim dhe ta fillojmë përsëri më 30 nëntor.

Porosia e Rita Markos: Gjyqi të zhvillohet me dyer të mbyllura

SHKRESA Nr. 8941

Shënim mbi ndjekjen e çështjeve që dalin nga shkresat.

Lidhur me relacionin e Gjykatës së Lartë për të zhvilluar gjyqin e Vangjel Lezhos etj., u veprua si më poshtë:

Relacioni u pa nga sh. Rita dhe aprovoi të veprojmë si më poshtë.

Porositë e thëna i’u dhanë nga ne personalisht, Kryetarit të Gjykatës, shokut Shuaip Panariti, po në datën 15.XI.1963.

19.XI.1963                     (Llazi Stratobërdha)

Informacioni i Gjykatës së Lartë për Mehmet Shehun

                    INFORMACION KRYEMINISTRIT

 Nga Prokurorija e Përgjithëshme janë dërguar për t’u gjykuar nga ana e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, të pandehurit e poshtëshënuar:

Të pandehurit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Robert Vullkani, janë dërguar për gjykim me akuzën se në bashkëpunim njëri me tjetrin, janë vënë në shërbim të Zbulimit Sovjetik dhe i dhënë këtij Zbulimi informata të ndryshme, të pandehurit Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe kapiten Trifon Xhagjika, janë dërguar për gjykim dhe me akuzën se kanë bërë përgatitje për të kryer vepra terrori ndaj udhëheqësve të partisë dhe të shtetit tonë.

Të gjithë të gjykuarit, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, kapiten Trifon Xhagjika, Robert Vullkani, Franko Sara, major Thoma Rafel dhe Stavri Rafael, janë dërguar për gjykim për krimet, se në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë tentuar që të arratisen jashtë shtetit dhe kanë bërë agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor.

Në veçanti nga këta, Stavri Rafael dhe Fadil Kokomani, janë dërguar për gjykim dhe për armëmbajtje pa leje. Nga verifikimi i materialeve të hetuesisë në seancën gjyqësore dhe nga provat e marra nga gjykata, rezultoi se të gjykuarit e më sipërm, veprimtarinë armiqësore e kanë filluar që nga gjysma e vitit 1960.

Të gjithë të gjykuarit pohuan para gjykatës se janë vënë në opozitë me vijën politike të Partisë Punës Shqipërisë që nga koha e Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Të gjykuarit pranuan se vendimet e këtij Kongresi, i kanë përqafuar me zell dhe ndërgjegje të plotë, qoftë për shkak të përmbajtjes së tyre revizioniste, ashtu dhe pse synonin në drejtim të afrimit me shtetet kapitaliste. Pohuan para gjykatës se idetë e Kongresit të XX-të i kanë përhapur nëpërmes agjitacionit armiqësor që kanë bërë me njëri tjetrin ashtu edhe me persona të tjerë.

Në veçanti nga këta, i gjykuari Robert Vullkani pohoi se e ka filluar veprimtarinë armiqësore që nga viti 1953 kur ishte për studime në Bashkimin Sovjetik, duke shpjeguar se në fakultetin ku studionte, bëhej një punë e gjërë për infektimin e studentëve me idera revizioniste dhe edukimin e tyre me aspektin ç’thurse aventureske, që janë karakteristikë vetëm për shtetet perëndimore. I gjykuari shpjegoi se gjatë kohës që ishte për studime në Bashkimn Sovjetik, në ato raste që gazeta “Pravda” botonte ndonjë artikull kundër revizionistëve jugosllav, pedagogët ju thonin që të mos i besonin “Pravdës”, por secili të nxjerrë konkluzione për vete.

Që ky i gjykuar e ka filluar veprimtarinë armiqësore që nga viti 1953, doli nga letrat e shkruara prej tij, të cilat ja adresonte babait të tij, Sotir Vullkanit, që kishin si përmbajtje urrejtjen ndaj udhëheqjes së Pratisë dhe një varg shpifjesh armiqësore në drejtim të gjëndjes ekonomike dhe të punës gjithëanëshme që bën populli dhe rinia për ndërtimin e shoqërisë socialiste. Këto i janë kapur dhe i janë paraqitur gjykatës si prova të fajësisë së tij.

Këtij të gjykuari i janë kapur dhe artikuj, fjalime e broshura të shkruajtura nga revizionistët jugosllav (Tito, Kardelj, Pjade dhe Gjilas) të cilat i ka ruajtur për një kohë të gjatë, i ka studiuar vetë dhe u’a ka dhënë të tjerëve për studim. Këto materiale që përmbanin sulme dhe shpifje armiqësore kundër Partisë dhe Pushtetit tonë, si dhe kundër Partive Marksiste-Leniniste, janë kapur dhe janë paraqitur para gjykatës si prova të fajësisë së tij.

Nga zhvillimi i gjykimit ashtu edhe nga materiali i hetuesisë, doli se veprimataria e tyre ka marrë karakter më të organizuar dhe më të gjërë, në gjysmën e dytë të vitit 1960, pikërisht atëhere kur grupi revizionist i Hrushovit filloi të acarojë marrëdhëniet me Partinë tonë.

Të gjithë të gjykuarit pohuan se me t’u acarruar këto marrëdhënie dhe sidomos pas prishjes së tyre, për shkak se këto kishin përqafuar idetë revizioniste të Kongresit XX-të dhe se fajtor për prishjen e këtyre marrëdhënieve, interesi ju a donte që t’ia ngarkonin udhëheqjesë së Partisë t’onë, filluan një aktivitet më të gjërë armiqësor duke e shtrirë jo vetëm në rrethin e tyre, por dhe në persona të tjerë dhe duke arrirë që të kryejnë dhe krime të rënda, siç janë tradhëtia ndaj Atdheut me anë spiunazhi dhe arratisje në një shtet të huaj, ashtu dhe në drejtim të përgatitjeve për të kryer vepra terrori kundër udhëheqësavë të Partisë dhe shtetit tonë. /Memorie.al

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore