Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Kushtetuta e vitit 1976 i hoqi të drejtën e hetimit, kush e zëvendësoi Prokurorinë

Kushtetuta e vitit 1976 i hoqi të drejtën e hetimit, kush e

Prokuroria në Shqipëri e parë nga këndvështrimi historik është përfshirë në pushtetin gjyqësor ose ka funksionuar pranë tij. Ndër vite fizionomia e prokurorisë ka pësuar ndryshime në varësi të rrethanave dhe të kushteve politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit.

Pas shpalljes së shtetit të pavarur shqiptar nga Kuvendi i Vlorës, më 28 nëntor 1912, Qeveria e përkohshme mori vendimin "Për organizimin e ri të drejtësisë", më 10 maj 1913. Me këtë vendim filloi edhe etapa e organizimit të Drejtësisë dhe të Prokurorisë në shtetin e pavarur shqiptar.

Pas vendimit përfundimtar të Konferencës së Ambasadorëve në Londër dhe dorëzimit të kurorës së Shqipërisë Princ Vidit më 10 prill të vitit 1914 u shpall në Vlorë “Statuti Organik i Shqipërisë”. Në atë kohë parashikohej që prokurori dhe zëvendësi i tij e zhvillonin veprimtarinë publike në të gjithë sferën e juridiksionit të gjykatës, të organizuara në  këshillin e pleqve, gjykatësit paqtues, gjykatat e shkallës së parë dhe gjykatat e apelit.

Prokurorët, gjithashtu, kujdeseshin për zbatimin e vendimeve të gjykatës dhe mbikëqyrnin veprimtarinë e policisë gjyqësore. Ndërsa në Statutin e Zgjeruar të Lushnjës, të datës 14 dhjetor të plot 10 viteve pas shpalljes së Pavarësisë, i cili mund të thuhet se përfaqëson të parën kushtetutë të shtetit shqiptar, në Pjesën D "Pushteti Gjyqsues", përfshihet edhe prokuroria dhe garantohet pavarësia e gjykatës dhe e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre.

Në dekretligjin "Mbi cilësitë e gjyqtarëve dhe emërimet e tyre", të datës 13 gusht 1924, përcaktohen kriteret e emërimit të gjyqtarëve, të ndihmës gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Krahas kërkesave që ata duhet të kishin nënshtetësinë shqiptare, të flisnin lirshëm gjuhën amtare, të gëzonin të drejta morale e politike dhe të kishin mbaruar Fakultetin e Drejtësisë, vlen të theksohet kushti, që personat në fjalë duhej të kishin të paktën tre vjet praktikë në drejtësi dhe të zotëronin një gjuhë të huaj evropiane. Synimi i kësaj reforme ishte spastrimi i drejtësisë nga elementët e paaftë.

Në këtë periudhë u ndërmorën edhe masa ndaj fenomeneve të tilla negative si p.sh.: zgjatja e gjyqeve; transferimi i shpeshtë i gjyqtarëve; anësia e hapur e gjykatave; zemërimi dhe humbja e besimit të popullit tek drejtësia. Sigurimi i pavarësisë së vërtetë të gjykatave dhe respektimi i ligjshmërisë konsideroheshin prej qeverisë së Nolit si dy kushtet themelore për garantimin e rendit juridik.

Gjykatat udhëzoheshin të bënin gjykime të shpejta, të bazuara në ligj, në prova të pakontestueshme dhe në bindjen e brendshme të gjyqtarit, kurse komandave të xhandarmërisë u vihej detyrë të ekzekutonin me shpejtësi vendimet gjyqësore.

Pas përfundimit të Luftës së II Botore dhe vendosjes së pushtetit komunist, të vetëquajtur demokratik-popullor, në Shqipëri Kryesia e Këshillit Antifashist të Luftës Nacional-Çlirimtare nxori më 14 janar të vitit 1945 ligjin me numër 41 "Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatave Ushtarake".

Në këtë ligj krahas dispozitave penale materiale u parashikuar edhe organizimi i gjykatave ushtarake dhe i prokurorëve ushtarakë pranë Këshillit të Gjykatës së Naltë Ushtarake dhe pranë Këshillit Gjyqësor të Korpusit ose Krahinës së Korpusit.

Në Kushtetutën e vitit 1946 prokuroria trajtohet në kapitullin "Gjykatat dhe Prokuroria" duke u përcaktuar si organ i Kuvendit Popullor. Pavarësia e prokurorëve në ushtrimin e funksioneve sanksionohet në nenin 86 të saj, në të cilin parashikohet: "Të gjithë prokurorët publikë janë të pavarur kundrejt organeve lokale dhe varen vetëm prej Prokurorit të Përgjithshëm".

Ndërsa në Kushtetutën e vitit 1976 "Prokuroria" trajtohet në një kapitull të veçantë, pas Gjykatës dhe Hetuesisë dhe nuk bëhet përcaktimi i raporteve të saj me pushtetin gjyqësor apo pushtetin ekzekutiv. Me Kushtetutën e vitit 1976 prokurorisë iu hoq funksioni i ndjekjes penale, i cili iu ngarkua organit të hetuesisë.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore