Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Jo vetëm anëtare në OKB/ Ja marrëveshjet e Shqipërisë me organizatat ndërkombëtare gjatë diktaturës

Jo vetëm anëtare në OKB/ Ja marrëveshjet e

Në 14 dhjetorin e vitit 1955, Shqipëria është anëtarësuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke shënuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e vendit. Menjëherë pas anëtarësimit në të, Shqipëria mori pjesë në mënyrë aktive në punimet e organeve dhe agjencive të specializuara të OKB-së.

Organizata e Kombeve të Bashkuara është organizata më e madhe në botë, e cila ka për qëllim ruajtjen e sigurisë ndërkombëtare, zhvillimin ekonomik dhe barazinë sociale. Ajo u themelua pas Luftës së Dytë Botërore, në 24 tetor 1945 me iniciativën e shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore (SHBA, Kina, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe Franca), me qëllim kryesor forcimin e bashkëpunimit midis shteteve të botës, zhvillimin ekonomik dhe ruajtjen e paqes në botë.

Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Kombet e Bashkuara kanë luajtur një rol të madh në uljen e tensioneve në një botë të polarizuar. Pas rënies së Murit të Berlinit, OKB-ja ka mundur të ruajë autoritetin e vet, pavarësisht ndryshimeve të mëdha në rendin botëror. Vendet anëtare të OKB-së pajtohen me mendimin se bota e sotme moderne po bëhet gjithnjë e më të globalizuar dhe ka nevojë për një organizatë ndërkombëtare të aftë për të vepruar globalisht dhe në mënyrë efektive për zgjidhjen e konflikteve globale.

Sot OKB është e përfshirë në një sërë nismash dhe aktivitetesh të cilat adresojnë dhe synojnë të zgjidhin çështjet globale me rëndësi të madhe për të ardhmen e njerëzimit.

Pas OKB, Shqipëria anëtarësohet në UNESCO. Marrëdhëniet e Shqipërisë  me UNESCO-n janë afatgjata dhe produktive. Që prej anëtarësimit të Shqipërisë në vitin 1958, fryma e bashkëpunimit ka qenë frutdhënës dhe konstante në nivel global në të gjitha fushat e kompetencës së UNESCO-s. Megjithatë, duhet të theksohet se gjatë viteve 1958-1990 bashkëveprimi i Shqipërisë me UNESCO ka qenë mjaft modest dhe, ashtu si në aspektet e tjera të politikës së jashtme, i mbizotëruar nga një vizion mosbesimi të përgjithshëm ndaj multilateralizmit.

Mbas vitit 1990, me ndryshimin rrënjësor të regjimit, veprimtaria e Shqipërisë në UNESCO pësoi një transformim dhe që prej asaj kohe është karakterizuar nga një forcim i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndërmjet tyre si dhe ka luajtur një rol më aktiv në promovimin e interesit të Shqipërisë si dhe të rolit të UNESCO-s në arenën ndërkombëtare.

Shqipëria në OSBE

Por në cilat organizata të tjera Shqipëria është anëtare?! Shqipëria u bë pjesë e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) gjatë procesit të Këshillit Ministror të Berlinit, me datë 19-20 qershor 1991. Akti Përfundimtar i Helsinkit u nënshkrua në 16 shtator 1991 nga autoritetet shqiptare, i ndjekur nga nënshkrimi i Kartës së Parisit për një Evropë të Re më 17 Shtator 1991.

Ky moment shënoi një ndryshim thelbësor në rrjedhën e politikës së jashtme shqiptare, e cila do të lironte Shqipërinë nga izolimi ndërkombëtar dhe do ta afronte atë më pranë komunitetit Euro-Atlantik duke ndarë parimet dhe vlerat e lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Aderimi i Shqipërisë në OSBE u shoqërua me reforma të thella ligjore në lidhje me të drejtat e njeriut. Rrethanat që i mundësuan Shqipërisë hyrjen në OSBE, përfshinin lëvizjen demokratike të dhjetorit 1990, zgjedhjet e para pluraliste dhe miratimin e Paketës së Përkohshme Kushtetuese, më 29 prill 1991. Kjo Paketë përfshinte dispozita që pranonin pluralizmin politik dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

Shqipëria dhe Këshilli i Evropës

Shqipëria ka funksionuar si demokraci parlamentare pluraliste që nga zgjedhjet e pranverës së vitit 1991. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE) dërgoi për herë të parë vëzhgues në këto zgjedhje. Në vijim të konkluzioneve të misionit vëzhgues, si dhe të zhvillimeve të mëvonshme politike, parlamentit shqiptar ju dha statusi i “të ftuarit të veçantë” në Asamblenë Parlamentare të KiE, më 25 nëntor 1991.

Që nga prilli i vitit 1991 e deri në shtator të vitit 1993 u ndërtua kuadri ligjor për zhvillimin e demokracisë me anë të tetë ligjeve të një karakteri kushtetues. Këto ligje siguruan ndërtimin e një Republike parlamentare dhe hodhën themelet për ndarjen e pushteteve. Po kështu, ligjet përmbanin një listë me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, pas konsultimeve me ekspertë ndërkombëtarë.

Më 4 maj 1992, Shqipëria bëri kërkesë për të hyrë në KiE.  Duke filluar nga maji i vitit 1992, Komitetet e Asamblesë dhe Raportuesit e tyre zhvilluan disa vizita të njëpasnjëshme në vend. Në janar 1993 filloi zbatimi i një programi bashkëpunimi i organizuar nga Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës në fushat e të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës.

Për më tepër, ndihma ishte e orientuar edhe në hartimin e kodeve civile dhe penale, si dhe të kodeve të tyre përkatëse të procedurave. Në 23 mars 1995 u arrit një marrëveshje për një Komision të ri të përbashkët midis Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës, lidhur me një program tjetër të përbashkët për reformën në sistemin ligjor.

Shqipëria në UNIDO

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial (UNIDO) është themeluar në vitin 1966 dhe ka 173 shtete anëtare. UNIDO ka si qëllim mbështetjen e zhvillimit industrial për përmirësimin e cilësisë së jetës në vendet në zhvillim. Shqipëria është anëtare e UNIDO-s që prej 19 prillit 1988.

Shqipëria në UNODC

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) është Organizata që udhëheq luftën globale kundër drogave të paligjshme dhe krimit ndërkombëtar. Ajo është themeluar në vitin 1997 dhe vepron në të gjitha rajonet e botës me anë të një rrjeti të gjerë zyrash në terren. Ajo mbështetet në kontribute vullnetare, kryesisht nga qeveritë, në 90% të buxhetit të saj dhe ndihmon shtetet anëtare në luftën kundër drogave të paligjshme, krimit dhe terrorizmit.

Programi i punës së UNODC bazohet në këto shtylla: Projektet e bashkëpunimit teknik në terren për të rritur kapacitetet e shteteve anëtare për të luftuar drogat e paligjshme, krimin dhe terrorizmin, hulumtime dhe studime për të zgjeruar njohuritë rreth drogës dhe çështjeve të krimit, mbështetje normative për shtetet anëtare në ratifikimin dhe zbatimin e traktateve ndërkombëtare dhe zhvillimin e legjislacionit të brendshëm në fushën e drogave, krimit dhe terrorizmit.

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore