Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

Ditari i panjohur i Enver Hoxhës për armiqtë dhe ngjarjet e '81

Ditari i panjohur i Enver Hoxhës për armiqtë dhe ngjarjet e

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-prill 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë. 

I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.

Por ndryshe nga ai qëndrim, regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare.

“Siç bëjnë të ditur agjencitë e lajmeve, në Prishtinë e në Podujevë, dje dhe sot, studentët, me të cilët janë bashkuar edhe punëtorë, shpërthyen në demonstrata dhe, përleshje të tjera, më të furishme se të parat. Situata është bërë shumë e nderë. Autoritetet jugosllave Prishtinën e kanë rrethuar me tanke. Në Kosovë kanë ardhur nga Beogradi forca të mëdha policie dhe të milicisë serbe. Është shpallur gjendja e shtetrrethimit, është ndaluar qarkullimi me grupe dhe filluan llogjet e lakenjve titistë, që nga Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Asllan Fazllija e të tjerë.

Ç’nuk thanë ata kundër demonstruesve, përdorën të gjitha fjalët që përmban fjalori titist, bënë akuzat më të ndyra: “Nacionalistë shqiptarë”, “irredentistë”, “informbyroistë”, “agjentë të imperializmit”, “ballistë” etj. Pas të sharave dhe akuzave kundër studentëve shqiptarë, hosanara për Titon, për titizmin, për vetadministrimin dhe për “fitoret e Kosovës”. Pas hosanarave për titizmin, premtime mashtruese “do të bëjmë këtë”, “do të bëjmë atë”, “ka vështirësi, po fajin e ka kriza botërore” etj. Më në fund arrestimet e shumta dhe kërcënime për raprezalje akoma më të mëdha. Është e qartë, kosovarët janë të shtypur, të mjeruar, janë gjakosur nga serbomëdhenjtë dhe nga titizmi”.

Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 3 prill të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës, e cila asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josof Broz Tito (4 maj 1980), që e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.

Ashtu siç dihet tashmë, gjë të cilat do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.

Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”! Po kështu, edhe pse në ngjarjet e pranverës së vitit 1981 e në vijim, Tirana zyrtare në dukje i përkrahu demonstratat e popullit të Kosovës dhe kërkesat e tyre “Kosova Republikë”, Enver Hoxha kurrsesi nuk do të donte që ajo gjë të bëhej realitet, pasi në një farë mënyre, do krijoheshin dy shtete shqiptare, ku Kosova do bëhej faktor dhe Shqipëria nën udhëheqjen e tij, do defaktorizohej në arenën ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, menjëherë pas atyre ngjarjeve, Tirana zyrtare intesifikoj përndjekjen dhe dhunën ndaj kosovarëve që ishin në Shqipëri, duke arrestuar dhe dënuar me burgime të gjata disa intelektualë kosovarë, si p.sh.: Selim Kelmendin, Estref Kelmendin, Shefqet Kelmendin, Naimk Lucin, etj., të cilët u arrestuan në vitin 1983, duke u akuzuar se “kishin tentuar t’i bënin atentat udhëheqësit kryesor, Enver Hoxhës, gjatë vizitës që ai kishte bërë në Muzeun “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë në vitin 1980”.

Dhe të gjitha këto, bëheshin për të ulur reputacionin e kosovarëve dhe Kosovës në sytë e shqiptarëve të atdheut amë. Gjithsesi këto mbeten objekt analizash që nuk janë objekt I këtij shkrimi, ku po publikojmë vetëm ditarin politik të Enver Hoxhës, që ai ka mbajtur në atë periudhë kohe, të cilin Memorie.al boton për herë të parë dhe të plotë, duke filluar nga numri i djeshëm.

Ditari politik i Enver Hoxhës për ngjarjet e demonstratave dhe protestave të popullit të Kosovës në pranverën e 1981-it

E SHTUNE

11 PRILL 1981

SHQIPTARI NUK E KA DURUAR KURRE ROBERINE

Armiqësia e serbëve është viseralet kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe, veçanërisht, kundër shqiptarëve që banojnë në tokat e veta në Jugosllavinë e ish-kralëve serbë, të kralit Tito dhe të shovinistëve të tjerë që sundojnë atje pas tij. Shqiptarët që banojnë në Jugosllavinë e krijuar nga traktatet antishqiptare të Londrës e të Versajës, kanë qenë dhe janë vazhdimisht të persekutuar, nuk kanë liri. Asnjëherë ata nuk kanë vetëvendosur për fatin e tyre, bile as edhe pas luftës Nacionalçlirimtare, pavarësisht se ç’pretendojnë titistët. Kufijtë e Jugosllavisë “së re” u vendosën në Bihaç, në mos gabohem, në mbledhjen e parë ose të dytë të AVNOJ-t dhe asnjë shqiptar nuk mori pjesë në këtë të ashtuquajtur mbledhje konstitucionale. Këta “kufij të rinj” ishin po ata të vjetrit, që i vendosi si deshi Klemansoi në Versajë.

Pra, “vetëvendosja” e popujve të Jugosllavisë është një gënjeshtër, pse pas çlirimit asnjë referendum nuk u bë, askush nuk u pyet. Çdo gjë ishte vendosur veçanërisht në dëm të interesave të shqiptarëve nga pseudomarksistët titistë, që nuk ishin veçse shovinistë dhe nacionalistë të tërbuar.

Bile Kosova u caktua një krahinë e thjeshtë e Serbisë dhe u quajt Kosmet. Vonë, me një amendament në kushtetutën e RSFJ, ajo u quajt “Krahinë Autonome e RS të Serbisë”. Tokat shqiptare dhe shqiptarët etnikë në Jugosllavi u bënë, me tërë kuptimin e fjalës, plaçkë tregu: një pjesë u quajt “Krahina Autonome e Kosovës”, një pjesë iu ngjit Maqedonisë, e cila ndryshe as nuk do të kishte kuptim të quhej «RS e Maqedonisë», ndaj së cilës bullgarët kanë pretendime, ku banojnë edhe turq dhe grekë të ashtuquajtur maqedonas të Egjeut dhe pjesa e tretë e tokave shqiptare iu bashkua Republikës të Malit të Zi, që pa shqiptarët nuk ka as 400 mijë veta. Kështu e ujdisën Federatën e tyre titistët jugosllavë.

Stane Dolanci në një intervistë që u dha gazetarëve të huaj dhe atyre jugosllavë në Beograd në lidhje me ngjarjet në Kosovë, dënoi, si një qen i tërbuar shovinist, shqiptarët e Kosovës, sulmoi kërkesat e drejta të kosovarëve që krahina e tyre të bëhet republikë duke thënë midis të tjerave se “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë”, pse një gjë e tillë nuk është në interesin e Serbisë, se, po të shpallet ajo republikë, “shkatërrohet Federata” etj. Nuk ka vërtetim më të mirë se ky për atë që Federata Jugosllave qëndron në këmbë mbi bazën e përdorimit si “monedhë tregu” të tokave shqiptare dhe të shqiptarëve. Me fjalë të tjera copëtimi i shqiptarëve mban “në këmbë” Federatën, kurse shpallja e Kosovës republikë “plagos Serbinë”, bën inekzistuese RS të Maqedonisë dhe varfëron Malin e Zi. Sipas Dolancit, pra, Serbia e ka pushtuar Kosovën.

Dolanci mendon se po të bëhet Kosova republikë, do të ngjallen dëshirat e kroatëve, me “kombësi myslimane” etj., për hegjemoni në Bosnjë dhe Hercegovinë. Prandaj, sipas tij, më mirë të këqijat le të vazhdojnë të bien mbi kurrizin e shqiptarëve. Dolanci gënjeu në këtë intervistë kur, për të fshehur të vërtetën, tha se në Kosovë u vranë 11 veta. Sipas të dhënave të tjera deri tani janë vrarë: në Prishtinë 150-200 veta, në Ferizaj 13, në Prizren 3 veta. Shumë të vrarë ka në Lipjan, Obiliq (nxënës shkolle të mesme), Podujevë etj.

Të plagosur ka boll, janë mbushur spitalet. Edhe burgjet po ashtu. Masakër, gjenocid i vërtetë ndaj shqiptarëve nga policia dhe ushtria serbe. Por kjo nuk do të kalojë lehtë, siç mendojnë armiqtë jugosllavë, vrasësit e vëllezërve tanë kosovarë. Këtë problem jetik ne do ta studiojmë thellë dhe do të nxjerrim edhe pasojat. Sido që ne nuk kemi gisht në këto demonstrata, ne do t’i mbrojmë vëllezërit tanë kosovarë deri në fund, në të drejtat e tyre dhe tonat të përbashkëta. Shqiptari nuk e duron robërinë, ai e di dhe e ka provuar se liria fitohet me gjak dhe me luftë. Lavdi studentëve, punëtorëve, rinisë dhe gjithë popullit shqiptar që jetojnë në trojet e veta në JugosIlavinë titiste, që i treguan grushtin e hekurt armikut. Le të dridhen titistët, “dy duart për një kokë” i kanë edhe shqiptarët. Ata kanë qenë shumë të durueshëm, shumë të sjellshëm. Ne derdhëm edhe gjakun tonë për çlirimin e popujve të Jugosllavisë, kurse këta të na vënë pushkën!? Jo. Ky është kulmi i armiqësisë, i egërsisë, i shovinizmit serbo-titist.

E PREMTE

17 PRILL 1981

ARSYET E VERTETA TE GJENDJES DHE TE NGJARJEVE TE KOHEVE TE FUNDIT NE JUGOSLLAVINE TITISTE

Stane Dolanci me kombësi sllovene, ku niveli i jetesës është nga më të lartët në Jugosllavi, në intervistën që u dha gazetarëve të huaj dhe atyre jugosllavë në Beograd në lidhje me ngjarjet në Kosovë, mund të themi se nuk e përmendi fare gjendjen e rëndë ekonomike të kësaj krahine. Ai jo vetëm duhej ta kishte përmendur këtë, por edhe duhej të kishte analizuar për ç’arsye Sllovenia, Kroacia dhe Serbia kanë një nivel aq të lartë, kurse Kosova aq të ulët.

A është toka e Sllovenisë, e Kroacisë ose e Serbisë më pjellore se ajo e Kosovës? Po nëntoka e Kosovës nuk është vallë më e pasur se çdo nëntokë tjetër e do republikë jugosllave? A nuk e di zoti Dolanci se çështjet ekonomike luajnë rolin vendimtar në ekzistencën e shteteve dhe të popujve? A nuk determinojnë këto çështje në politikën e mirë apo të keqe të brendshme dhe të jashtme të një vendi? Pse nuk u mor mundimi të shpjegoheshin këto probleme kapitale? Eshtë lehtë të shpjegohen këto çështje primordiale me sharje politike dhe ideologjike, se “shqiptarët u treguan kundërrevolucionarë, shovinistë, irredentistë”.

Këto të dytat nuk i shpjegojnë të parat, ndërsa të parat mund të shkaktojnë edhe të dytat. Si mundet në një vend si Jugosllavia, ku predikohet “barazia në të drejta politike dhe ekonomike”, “bashkim-vëllazërimi”, në realitet të ekzistojë diskriminimi dhe pabarazia në këto të drejta bazë? Si mundet që një republikë apo krahinë të trajtohet si “djali i nënës” dhe krahina tjetër si i “njerkës”, që të ketë një vëlla që ha me lugë të artë, kurse tjetri me një lugë të vogël prej druri? Kjo nuk tregon as “bashkim”, as “vëllazërim”. “Në të mira dhe në vështirësi të gjendemi të njëllojtë”. Kjo ishte dhe është parulla e revizionistëve jugosllavë. Por kështu nuk ngjet as në Jugosllavinë e Titos, dhe nuk ngjet as në atë pas Titos.

Kujt i bie faji për këtë gjendje reale? Artikullit të “Zërit të popullit”, që shprehu mendimin e vet si gjithë shtypi botëror, i cili dënoi udhëheqjen jugosllave për represionin barbar të ushtruar kundër shqiptarëve të Kosovës?! Shqipëria socialiste dhe gazeta “Zëri i popullit”, edhe më parë se të tjerët, kanë të drejtën të thonë fjalën e tyre për vrasjet dhe torturat e egra që u bënë nga UDB-ja dhe ushtria serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Dhe nuk është hera e parë që bëhet një gjë e tillë.

Historia nuk harrohet, ajo është e shkruar. ‘Scripta manent’. Klithmat, të gërthiturat, epitetet, fshehja e së vërtetës nga personalitete “të mëdha” të Federatës dhe të republikave, histerizmat e shtypit serb, kroat, slloven etj., që arrijnë deri në akuza të përbindshme, sipas të cilave “Shqipëria socialiste ka gisht në demonstratat e Kosovës”, se “Shqipëria socialiste u bashkua me reaksionin kroato-slloveno-shqiptar në emigracion”, se “Shqipëria bashkohet me ato shtete që duan shpartallimin e Federatës Jugosllave”. etj., etj., janë shpifje rrugaçësh. Sa të shumta dhe aq me zë të lartë të jenë këto britma, aq më mirë njerëzimi kupton se bëhen përpjekje të pashpresa që të mbulohet e vërteta. Verba volant. Asgjë s’do të mbetet nga këto, se asgjë nuk është e vërtetë. Zoti Dolanci, në intervistën në fjalë, tha se «në demonstratat në Kosovë u vranë 11 veta». Një shërbëtor i tij shqiptar nga udhëheqja e Kosovës tha nëntë. Me sa duket për këtë çështje ata nuk patën kohë të merreshin vesh dhe të binin dakord. Megjithatë, të gjithë gënjyen opinionin botëror dhe atë jugosllav.

Shtypi i huaj flet për qindra të vrarë, qindra të humbur, të plagosur e të arrestuar në Kosovë. Këto i di mirë vetëm populli i Kosovës, pse gjaku i tij u derdh — pse u derdh dhe kush e bëri këtë gjëmë. Ata, pra, nuk ishin as 9, as 11 veta, por me qindra të vrarë dhe, duke u thënë gazetarëve të huaj se kjo që ngjau ishte vepër e një grushti “shovinistësh”, u mendua se u dhanë arsyet dhe u lanë duart. Por e vërteta do të çajë muret e shtetrrethimit dhe të censurës jugosllave, që është vendosur në Kosovë dhe bota do të shohë ç’masakra masive u bënë atje nga ushtria dhe policia serbe, do të shohë mashtrimet që u bënë dhe do të njohë fytyrën e vërtetë të atij “socializmi vetadministrues” me fytyrë gjoja njerëzore dhe që “po i zgjidh problemet e jashtme botërore me aq mjeshtëri akrobatike dhe ato të brendshmet me aq drejtësi dhe tejpamësi shembullore — me tanke”. P

o i del kallaji kësaj gënjeshtre. Dolanci po ashtu tha se “i njohim cilët janë organizatorët. Ata janë në Shtutgart, në Bruksel dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ai tha, po ashtu, se gjoja në demonstratë ishte një numër i vogël të gënjyerish.

Kur zoti Dolanci i njihte organizatorët se ishin në Shtutgart e gjetkë nëpër Evropë, përse nuk i neutralizoi? Në rast se në demonstratë mori pjesë një numër i vogël njerëzish, atëherë pse u dërguan atje ushtria, milicia e Beogradit, tanket dhe avionët? Vallë për “një kokërr ulli prishet dasma”, ajo “dasmë”, për të cilën që tash nga të katër skutat e Jugosllavisë vërshojnë si lumi i Danubit, Savës dhe Dravës telegramet plot indinjatë e zemërim kundër “shovinistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, dhe plot himne ditirambike për “unitetin e kombeve dhe të kombësive të Jugosllavisë”? Kush e ndjell dhe e forcon armiqësinë në mes popujve të Jugosllavisë? Kjo fushatë e tërbuar që ka ngritur udhëheqja e Jugosllavisë, apo artikulli i natyrshëm, i drejtë dhe i matur i “Zërit të popullit”, që vetë Dolanci gjatë konferencës së tij të shtypit, kur një gazetar i huaj e pyeti: “A ka gisht Shqipëria”, u përgjigj: “jo” dhe shtoi se nga “Shqipëria nuk ka ardhur ndonjë protestë”. Kjo vërteton se “fajtori” priste një protestë. Por Qeveria Shqiptare nuk bëri protestë zyrtare.

A mos donte vallë udhëheqja jugosllave që shtypi shqiptar të heshtte për këtë tragjedi që ajo shkaktoi në Kosovë, kur gjithë shtypi botëror ka javë të tëra që po flet dhe dënon egërsinë e treguar? Jo, zotërinj udhëheqës jugosllavë. Jini realistë, ruani gjakftohtësinë! Ç’po bëni ju për demonstruesit dhe grevistët e “Solidarnostit” në Poloni, ku deri tash kundër tyre nuk është hedhur as edhe një pushkë nga qeveria polake? Ju po flisni, ju po shkruani. Ju paskeni vetëm të drejtë të flisni e të shkruani dhe, kur ne botuam një artikull të drejtë për problemin e madh të Kosovës, ju u hodhët përpjetë, por çfarë të hedhuri, saqë Radioja e Zagrebit arriti të kërcënojë dhe ekzistencën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë! Zagrebi harron se Shqipëria di të mbrohet edhe pa Zagrebin. Duhet ta dijë ai se Jugosllavia, qoftë dhe ajo e Titos, në asnjë kohë nuk e ka ndihmuar çlirimin e Shqipërisë. Kurse Ushtria Nacionalçlirimtare Shqiptare e ka ndihmuar me gjak të derdhur çlirimin e popujve të Jugosllavisë dhe ne prapë do ta bëjmë këtë vepër sublime kur të rrezikohet Jugosllavia! Ne s’i kemi fjalë këto, por vepra, kurse ju flisni dokrra dhe bëni kërcënime rrugaçësh!

A harruat ju, zotërinj udhëheqës jugosllavë, si luftuat në Konferencën e Parisit për Triesten, Pulën, Fiumen etj? Të drejtë kishit. Ne nuk ju quajtëm as “shovinistë, as irredentistë”. Por kur nuk ishit të tillë, pse nuk ju shkoi ndër mend që ekzistonte një popullatë shqiptare, e treta në Jugosllavi nga madhësia, e cila duhej të bashkohej me Shqipërinë, aleaten tuaj socialiste në Luftën Nacionalçlirimtare? Ju heshtët. Pse heshtët, kur na qenkeni kaq parimorë? Ju as statusin e krahinës autonome nuk ia dhatë Kosovës deri në vitin 1968. Pse presidenti Tito nuk e realizoi atë që më tha mua në bisedimet zyrtare që patëm në vitin 1946 se “Kosova dhe viset e tjera të banuara nga shqiptarët i përkasin Shqipërisë dhe do t’jua kthejmë, por jo tash, se reaksioni serbomadh nuk do ta pranonte një gjë të tillë”. Zoti Dolanci e shfaqi më hapur mendimin e tij “Kosova nuk do të bëhet kurrë republikë… pse këtë nuk e lejon Serbia”.

“Po të bëhet Kosova republikë në kuadrin e Federatës’, tha Dolanci, atëherë u shkatërrua Federata”. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që viset e Shqipërisë janë bërë plaçkë tregu dhe njëkohësisht janë “kyçi i murit” që mban Federatën në këmbë. I çuditshëm mendim! Këtë nuk e themi ne, e tha Dolanci.

“Republikën e Kosovës” brenda Federatës Jugosllave, nuk e kërkuam ne, e kërkoi populli i Kosovës. Rivendikime territoriale nga ana e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk janë bërë. Nuk mund të gjesh një kërkesë të tillë në asnjë dokument, por dokumente për të mbrojtur të drejtat e vëllezërve kosovarë dhe të shqiptarëve që banojnë në tokat e veta në republikat e tjera të Jugosllavisë, të drejta që ua njeh kushtetuta dhe që u janë shkelur dhe po u shkelen, do të gjesh boll, në të kaluarën dhe në të sotmen. Dhe varet nga politika e qeverisë jugosllave ndaj shqiptarëve nëse do të ketë ose jo në të ardhmen.

Jugosllavët kanë protestuar edhe për tabelat e dyqaneve, “përse nuk shkruhen në serbisht”, kur është fjala për ndonjë vend ku ekziston një minoritet i tyre! Këtë bëri tani së fundi, në mes të tjerave, zoti Gjuranoviç në Austri në lidhje me minoritetin e vogël slloven që ndodhet në Karinti. Ne nuk e akuzuam atë as si “kundërrevolucionar, as si irredentist, as si shovinist”. Si mundet populli shqiptar të mos interesohet jo për tabelat e dyqaneve në Kosovë, por për vetë gjuhën shqipe, për shkollat, liritë dhe të drejtat e tyre, si të mos interesohet ai për vrasjet në masë, për burgosjet e torturat që u bëhen shqiptarëve në Jugosllavi? /Memorie.al

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore