Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

97 vjet më parë/ Si u firmos marrëveshja me Shqipërinë dhe pasojat e Konventës së Gjenevës

97 vjet më parë/ Si u firmos marrëveshja me Shqipërinë

Plot 97 vite më parë, Shqipëria nënshkroi marrëveshjen më të rëndësishme dhe që kishte të bënte me ndihmën e njerëzve në nevojë, kryesisht të atyre që ishin plagosur në beteja të ndryshme. Gjashtëmbëdhjetë shtete dhe mbretëri evropiane më 29 tetor të vitit 1863 formuan Kryqin e Kuq Ndërkombëtar. Deri në mes të shekullit të 19-të, nuk kishte asnjë sistem të organizuar për kujdesin e viktimave të luftës ose të plagosurve në fushë-betejë.

Në qershor 1859, biznesmeni zviceran Henry Dunant udhëtoi për në Itali, në atë kohë e pushtuar nga Franca. Kur mbërriti në qytetin Solferino, ai pa nga afër pasojat e një beteje franko-austriake, ku në një ditë të vetme, rreth 40 mijë ushtarë në të dy anët u vranë ose u plagosën dhe trupat ishin lënë në fushë pa asnjë kujdes a ndihmë.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar drejton dhe koordinon aktivitetet ndërkombëtare humanitare në konflikte të armatosura dhe situata të tjera dhune. Me iniciativën e vetë këtij organizmi shtetet miratuan Konventën origjinale të Gjenevës të vitit 1864. Që atëherë, është kërkuar vazhdimisht nga qeveritë që të përshtatin ligjin ndërkombëtar humanitar në ndryshimin e rrethanave, në veçanti për zhvillimet moderne në mjetet dhe metodat e luftës, në mënyrë që të sigurojë mbrojtje dhe ndihmë më efektive për viktimat e konfliktit.

Puna e Komiteti Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq bazohet në katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949, Protokollet e tyre shtesë, Statutet dhe rezolutat e Konferencave Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

Kryqi i Kuq ndërkombëtar është një organizatë e pavarur, neutrale që siguron mbrojtje dhe ndihmë humanitare për viktimat e konflikteve të armatosura dhe situatave të tjera të dhunës. Organizata ndërmerr veprime në përgjigje të urgjencave dhe në të njëjtën kohë promovon respektimin e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe zbatimin e tij. Gjithashtu përpiqet të parandalojë vuajtjet duke promovuar dhe forcuar ligjin humanitar dhe parimet universale humanitare. Mbi tre të katërtat e të gjitha shteteve aktualisht janë palë në të dy Protokollet shtesë të Konventave të vitit 1977, mes të cilave edhe Shqipëria. Protokolli i parë mbron viktimat e konflikteve të armatosura ndërkombëtare, Protokolli i dytë viktimat e konflikteve të armatosura jo-ndërkombëtare.

Në veçanti, këto traktate kanë kodifikuar rregullat që mbrojnë popullatën civile nga efektet e armiqësive. Protokolli i III shtesë i vitit 2005 lejon përdorimin e një embleme shtesë, Kristalit të Kuq, nga shoqëritë kombëtare.

Kryqi i Kuq Shqiptar është shoqata më e vjetër humanitare në Shqipëri. Ajo u krijua në 4 tetor 1921 dhe u njoh zyrtarisht nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në vitin 1923. Që prej këtij viti është anëtar i Federatës (atëherë Lidhjes) të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, duke qenë shoqata e 38-të e themeluar deri atëherë.

Në këtë mënyrë, Kryqi i Kuq Shqiptar është pjesë e Lëvizjes Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, e cila sot ka 187 shoqata në të gjithë botën.

Në zbatim të nenit 1 të ligjit nr. 7864 për Kryqin e Kuq Shqiptar, të miratuar nga Parlamenti shqiptar më 29 shtator 1994, Kryqi i Kuq Shqiptar është një shoqatë humanitare vullnetare që vepron në mënyrë të pavarur në bazë të parimeve themelore të Lëvizjes Humanitare Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe Konventave të Gjenevës të 12 gushtit 1949, të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 27 maj 1957 dhe Protokollet Shtesë të 10 qershorit 1977 – të ratifikuar nga Republika e Shqipërisë më 16 qershor 1993./ Gazeta Shqip

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore