Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Ndryshe

67 vjet histori/ Kryesia e Kuvendit, si u tjetërsua godina dhe kush zyrtarë “strehohen”

67 vjet histori/ Kryesia e Kuvendit, si u tjetërsua godina dhe kush

Shumëkush që kalon në qendër të Tiranës dhe nuk është banor i saj, nuk ka lënë pa bërë një xhiro në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku pa asnjë mëdyshje është përballur me dy ndërtesat përballë njëra-tjetrës, Kryeministrinë dhe Kryesinë e Kuvendit.

Por, të gjithë e kanë kuriozitetin se kush e ka projektuar Kryesinë e Kuvendit dhe në ç’vit ka ndodhu kjo? Kryesia e Kuvendit është projektuar nga arkitekti Anton Lufi që në vitin 1953.

Planimetria ka formën e shkronjës “π”, me gjatësi 80 metra dhe me dy krahë me gjatësi 53 metra. Arkitektura e jashtme ka përmasa të harmonizuara mjaft mirë, me paraqitje të qetë, por monumentale, e zbukuruar me pilastra, kapitele dhe korniza të arkitekturës klasike. Hyrja kryesore është trajtuar me harqe, përpjekje kjo për të përdorur elemente të arkitekturës popullore.

Kjo ndërtesë katërkatëshe është me shumë zyra, salla të ndryshme, bibliotekë dhe me mjedise të nevojshme dhe të plotësuara me pjesët inxhinierike. Salla e mbledhjeve, e dekoruar me elemente klasike, ndodhet në katin e katërt të krahut jugor.

Pas mbylljes së veprimtarisë së Partisë së Punës së Shqipërisë në vitin 1991 në këtë ndërtesë u vendosën pjesërisht administrata e Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit dhe për një periudhë kohe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (sot Ministria e Kulturës).

Sot pjesën më të madhe të ambienteve e ka në përdorim Kuvendi i Shqipërisë, por ndodhen ende Gjykata Kushtetuese dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Më parë kanë qenë edhe zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Krejt ndryshe ka ndodhur me godinën e seancave plenare që ndryshe njihet si Parlamenti. Ndërtesa e Parlamentit që ndodhen në Rrugën e Elbasanit, është një projekt i vitit 1955 me autor arkitektin Skënder  Luarasi në bashkëpunim me arkitektin rus D. Vasilef.

Projekti u hartua në bazë të projektit të godinës ekzistuese, në mënyrë që dhomat e kësaj godine të shërbenin si lidhje me godinën e re, pra si zyra të administratës së Kuvendit Popullor. Salloni i kinemasë ekzistuese u shndërrua në sallë për seancat plenare me kapacitet 160 vende, ndërsa tek tribuna e presidiumit me 40 vende. Për diplomatët u parashikuan lozhat me 44 vende nga njëra anë e sallës, ndërsa nga ana tjetër 44 vende u caktuan për gazetarë, korrespodentë etj. Ballkoni përballë përmban 246 vende për audiencën.

Por, nga ai projekt e deri tani, shumë gjëra kanë ndryshuar edhe në këtë sallë. Sepse, vitet e fundit janë bërë ndryshime, jo vetëm në sistemet kompjuterike, por edhe në hapësirat e brendshme të sallës, ku ka pasur edhe një shtim të vendeve në lozha, pavarësisht se ato përdoren në raste të rralla, sikurse ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi nga Parlamenti, e ku në ato vende u ulën ambasadorë. 

©Copyright Gazeta Shqip

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore