Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Vrasja e nënkomisarit nga 21-vjeçari! Dom Gjergj Meta: Të rinjtë janë thesar, nëse i braktisim kthehen në lëndë shpërthyese

Vrasja e nënkomisarit nga 21-vjeçari! Dom Gjergj Meta: Të

Rritja e kriminalitetit në vitet e fundit, sidomos ajo e trafikut të lëndëve narkotike, kultivimit të tyre, veçanërisht në zonat e thella të vendit, ka vënë në rrezik shumë ekuilibra socialë dhe ekonomikë.

Dy ndër kategoritë që po ndjejnë peshën e madhe të kësaj batërdie janë të rinjtë e familjeve të varfëra dhe me probleme si dhe policët e thjeshtë të terrenit. Ndërsa kategoritë më të paprekura janë kryet e trafikut e të kultivimit dhe mbrojtësit e tyre me pushtet.

Kam pasur raste të flas si me të rinjtë e po ashtu me policët. Janë të dyja kategori në thelb të varfëra që mbijetojnë me logjikën e ushtarit, pavarësisht se njëra palë në anën e antiligjit e tjetra në anën e ligjit. Por ajo çka i bashkon në mbrëmje është varfëria dhe mospasja e një perspektive të qëndrueshme dhe reale.

Ngjarja e ndodhur dje në Lezhë, e të tjera që i kemi parë e dëgjuar me bollëk, megjithëse në mes të një kaosi informativ të pashoq, e tregon më së miri këtë përplasje që ndodh në bazë, në basifondet e shoqërisë shqiptare e cila është aq e vogël sa njihemi të gjithë me njëri-tjetrin.

Mungesa e politikave të punësimit, sidomos për të rinjtë, në veçanti të zonave periferike; një sistem arsimor gjithnjë e më problematik, sidomos në këto vitet e fundit që po rëndohet me pandeminë; paqartësia e të ardhmes evropiane të vendit; mungesa e hapësirave dhe nismave për formimin dhe pro-ligjshmërinë nga shoqëria civile si edhe qershia mbi tortë e korrupsionit, janë vetëm disa nga shkaqet që shumë të rinj shkojnë drejt e në duart e krerëve të krimit ose braktisin vendin. E situata nuk po shkon drejt përmirësimit.

Nuk është e lehtë unë e di këtë. Aspak e lehtë. Ne jemi shqiptarë e në historinë tonë kemi shtresa e nënshtresa problematike të akumuluara me dhjetra e qindra vite. Të gdhendësh në granitin e këtyre shtresave rrezikon shumë, ose të mos bësh asgjë, ose ta shkërrmoqësh krejt. E për këtë arsye duhet art, durim, këmbëngulje në një shoqëri të frustruar e plot probleme, por ende plot me energji.

Të rinjtë e të rejat që kemi janë një thesar plot energji, por nëse i braktisim mund të kthehen në lëndë shpërthyese dhe dëmtojnë shoqërinë, përveçse veten e tyre. Ata meritojnë vëmendje. Po ashtu punonjësit tanë të policisë janë njerëz të jetës së përditshme si të gjithë ne, me një mision dhe një detyrë. Nuk është aspak e lehtë as për ta. Prandaj përveçse të kemi besim, duhet t’i mbështesim si shoqëri.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore