Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Urani u hakmor ndaj të keqes, duke jetuar

Urani u hakmor ndaj të keqes, duke jetuar

Uranin e njoha në vitin 1988. Sapo ishte vendosur në Elbasan, pas 20 viteve burg dhe 5 viteve internim. Jetonte në një kasolle të vogël në fundin e oborrit të Didije Biçakut.

I fshehur pas Kinoklubit Metalurgu, larg syve të njerëzve, oborri ishte kthyer në një kopësht me lule nga Xhevdeti Jolldashi, pasionat lulesh: rreth 400 metra katrorë të hijeshuara me bar, lule me ngjyra të ndezura dhe një vijë uji që bënte një zhurmë të ëmbël. Ishte një oaz në mes të shkretëtirës gri të qytetit të pplakosur nga papunësia dhe mjerimi i viteve të fundit të komunizmit.

Në një cep, në fund të kopshtit, me leje të Didijes, Urani kishte ndërtuar “koliben” e tij, siç e quante ai—një kasolle jo më shumë se 3-4 metra katrorë, me mure prej dërrase, çati teneqeje dhe dysheme prej trualli të ngjeshur.

Atje e takova për herë të parë Uranin. Më la shumë mbresë, dhe u ktheva tek ai përsëri, e përsëri, e përsëri.

Urani ishe “armik” dhe ishin shumë të paktë ata që mund të guxonin të shkëmbenin dy fjalë me të, ndaj për mua kishe gjithë kohën e botës. Më tregonte me orë për martirët e pushkatuar e heronjtë e burgjeve komuniste, për patriotët e harruar, për ata që deshën Shqipërinë, por jo komunizmin.

Më së shumti më fliste për poezi, për sonetet e Dantes që i adhuronte, ndaj dhe shkroi vetëm sonete, si ai. Me një makinë shkrimi që u kisha marrë fshehur prindërve pa u rënë në sy, për muaj të tërë hodha në letër vargjet që Urani kishte krijuar në burg, duke i ngulitur në kujtesën e tij.

Hodhëm në letër për herë të parë Epopenë e Karkalecave—parodi ku tallej e përçmohej Enver Hoxha e komunistët si karikatura të qenies njerëzore. Aty hodhëm në letër dhjetra sonete e lirika të mekullueshme që Urani kish shkruar në burg për dashurinë, prindërit, atdheun, patriotët shqiptarë.

Ishte një realitet surreal, paradoksal: një kasolle ku flitej e shkruhej letërsi antikomuniste, nën hijen e rëndë të Kinoklubit Metalurgu ku interpretohej letërsia komuniste; një “burgaxhi” që ishte njeriu i vetëm i lirë në qytet; një njeri i vetmuar që jetonte në një kopësht të vërtetë lulesh, ndërkohë që shqiptarët po zbulonin se Shqipëria e tyre “kopsht me lule” ishte në të vërtetë një shkretëtirë.

E gjitha ngjante me një drejtësi poetike: Urani kishte triumfuar mbi të keqen dhe kishte gjetur kuptimin e jetës duke mbetur gjallë.

Nuk e harroj ngazëllimin e syve të tij kur tregonte se si e hodhën një herë në birucën e izolimit, në mes të dimrit, thuajse lakuriq e pa batanije, tek dergjej në çimenton e ftohtë e ndjente vdekjen pranë, e mbante veten gjallë duke i thënë se nuk do i jepte kapterit mizor kënaqësinë ta shihte të vdekur.

Urani e mposhti të keqen duke jetuar. Pas rënies së komunizmit, edhe pse i lirë, edhe pse i nderuar, edhe pse me mundësi, ai zgjodhi prapë të jetonte në “kolibe”—në një dhomë të vogël në mes të Tiranës—duke shkruar sonete e kujtime. Nuk urreu kurrë, nuk e njohi ndjenjën e hakmarjes. Ai u hakmor ndaj të keqes duke jetuar. Ne shpirtin e tij ruajti pati veç dashuri./Postim i marrë në Facebook

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Në Fokus

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore