Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Universiteti ka shansin historik të bëhet busulla për orientimin e publikut në cunamin e informacioni ku gënjeshtra serviret si e vërtetë

Universiteti ka shansin historik të bëhet busulla për orientimin

Në oqeanin e sotëm të informacionit ku lundrojmë të gjithë, është bërë shumë e vështirë të orientohesh drejt të vërtetës. Ndikimi i medias mbi publikun është i lidhur edhe me rolin e gazetareve dhe sidomos kur bëhet fjala për çështje të ndjeshme që duan një formim minimal në një fushë të caktuar.

Lajmi ose përçohet drejt publikut nëpërmjet “lajmëtarëve” ose gazetarëve. Problematika krijohet kur komuniteti për të njëjtën ngjarje “bombardohet” nga versione pa fund ose kur lajmi deformohet për shkak të mosdijes ose në mënyrë të qëllimshme.

Televizioni dhe portalet janë në konkurrencë ashtu si radio me televizionin dekada më parë, pak shpresa ka nëse do të ekzistojë lajmet/opinionet në TV pas pak dekadash, kur sot brezi i ri e ka abandonuar ekranin masivisht. Ky është problem i kanaleve televizive të cilët në Shqipëri për momentin kanë nivel të ulët besueshmërie tek brezi i ri.

Nga ana tjetër, portalet janë të shumta, në konkurrencë dhe nën presionin për të mbijetuar në shumë raste përcjellin “broçkulla” pa fund drejt opinionit publik. Do i referohem disa lajmeve të medias televizive për të ilustruar fenomenin por edhe për të nxitur kolegët, ekspertet ose ata qe konsumojnë këto lajme të reagojnë për të mbrojtur interesin publik.

Para disa ditësh dëgjohet në një TV se buka në Shqipëri është deri 70 herë më e shtrenjtë krahasuar me vendet e tjera të Europës ose të botës. Viktimë e këtij lajmi bëhen jo vetëm publiku, ata qe e marrin si të vërtetë lajmin që vjen nga ekrani i televizioneve, por edhe politikanët e nivelit më të lartë. Si ka mundësi që “lajmëtarët” janë kaq të dobët në aritmetikë kur 1 kg bukë në vendet e Europës tregtohet deri në disa euro për kg ose disa herë më shtrenjtë se në Shqipëri.

Në fakt është e kundërta. Buka ende është një nga produktet disa herë më të lira në Shqipëri ndërkohë që lënda e parë mielli është në bursë ashtu si nafta, gazi ose kafja. Gazetarët nuk përfillin punën e natës të qindra ose mijërave furrtarëve të cilët përcëllohen dhe paguhen me pagën minimale. Kjo është arsyeja e çmimit të lirë të bukës në Shqipëri.

Çfarë do të ndodh n.q.s këta njerëz të paguar keq do të emigrojnë dhe sektori i prodhimit të bukës do të e ketë të pamundur të gjejë punonjës në vitet që vijnë ashtu si në sektorin e bujqësisë dhe ndërtimit. Çfarë përgjegjësie ka gazetari ose kanali televiziv për mashtrimin e publikut.

Një lajm tjetër të befason kur një shoqatë në edicioni qendror të një TV jep lajmin se në Shqipëri produktet bujqësore janë të mbingarkuara disa herë më shumë me mbetje pesticidesh. Ky është kulmi. Të penalizosh produktin e vendit me dy mostra të marra në farmacitë bujqësore, nga një OJF; është e pafalshme për gazetarin, median dhe institucionet që nuk reagojnë.

Nëpërmjet dy mostrave të rastësishme të marra në terminalin e rrjetit të shpërndarjes, pretendohet se ato përfaqësojnë disa mijëra ton inpute që përdoren çdo vit në bujqësi. Si ka mundësi që lajmi i prodhuar në një garsionerë të Tiranës, serviret me kompetencë nga një lajmëtar që lexon pa referenca të besueshme dhe nuk kupton çfarë thotë.

Si ka mundësi që një lajm i tillë “përdhos” pa mëshirë ata mijëra fermerë që janë rreshkur për muaj me radhë për të nxjerrë në treg frutat dhe perimet e mrekullueshme të cilat ne i konsumojmë me çmimet më të ulëta në Europë, për shkak të bollëkut dhe djersës së këtyre njerëzve të mrekullueshëm.

Një falje publike nuk mjafton. Këtu duhet të ketë dhënie llogarie dhe përballje me ligjin. Pa folur për fushatën antivaksinim, teoritë konspirative të përcjella nga persona që nuk kanë lidhje me mjekësinë ose shkencat biologjike nëpërmjet televizioneve kombëtare. Te habit fakti se si këta njerëz gjejnë hapësirë pa fund në TV publike.

Lajmi është përcjellë nga një vend në tjetrin, nga një kohë në tjetrën që kur njeriu erdhi në këtë botë, por kur ai ndryshohet me ose pa dashje, nuk quhet më lajm por gënjeshtër dhe ata qe e ndryshojnë quhen mashtrues. Universiteti ka shansin historik të bëhet busulla për orientimin e publikut në këtë cunam informacioni pa ngjyrë e pa shije ku gënjeshtra serviret si e vërtetë./Gazeta Shqip

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore