Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

TikTok-u është simptoma, problemi është sistemi

TikTok-u është simptoma, problemi është sistemi

Denar Biba - U desh publikimi i disa videove personale të një gjyqtareje në një rrjet social, që të gjitha rrjetet e tjera, e bashkë me to, edhe portalet e televizionet të merrnin zjarr. U gjet ushqimi i tre ditëve të ardhshme për shpirtrat e uritur për viktima.

Gjyqtarët e Facebook-ut mprehën lapsat virtualë dhe u lëshuan duke ndarë me sho-shoqin gjithëkush manualin e tij mbi moralin dhe etikën në punë, njohuritë mbi Kodin Penal e atë Rrugor, si dhe një vendim të marre prej vitesh, për dënimin maksimal të viktimës në fjalë.

Kur them vendim i marrë prej vitesh, e kam në kuptim të shekujve, sepse në këtë pikë duket se nuk iu jemi larguar shumë stërgjyshërve, të cilat vërtet na lanë vendin më të varfër e të prapambetur në Europë por, kur vinte fjala për nder, pupupu, joo, aty nuk të falnin as për një shikim shtrembër; plumbin ballit.

E ja kështu edhe ne, nipërit e mbesat sot, merremi me piruetat artistike, ondet verdhacuke, veshjet dhe përveshjet e buzëve, rripin e vënë Guçi e rripin e pavënë dhe manovrat në makinën BMË, ndërkohë që këto janë thjesht simptomat e jo problemi. Sepse, siç ma tha me shpoti një miku im i mençur, “s’kemi pse çuditemi; nëse vendos për kuzhinjere bythën, normalisht që mut do hamë”!

Problemi pra, nuk është individual. Gjyqtarja në fjalë, më shumë gjasë edhe mund të largohet nga sistemi, por a do e përmirësojë kjo shërbimin që shqiptarët presin të marrin nga pushteti gjyqësor?

Sistemi deri më sot qartësisht ka dështuar që të bllokojë përmes filtrave të tij penetrimin e individëve si kjo gjyqtarja apo të tjera e të tjerë si kjo. Nuk është e mjaftueshme vetëm që studentët e Shkollës së Magjistraturës të kenë një performancë të mirë a shumë të mirë akademike, por duhet edhe të demonstrojnë karakter e personalitet, që të meritojnë titullin “gjyqtar”.

Akoma më tej, pas emërimit, kontrolli nga ana e institucioneve mbikëqyrëse të sistemit duhet të jetë skrupuloz dhe i pandërprerë. Kujtoj se, vetëm pak kohë më parë, një tjetër gjyqtare (për koincidencë adashe me këtë të sotmen), megjithëse jetonte në shtëpi me qira dhe nuk rezultoi me ndonjë pasuri të dyshimtë, sërish ia doli të vendoste rekord në lirimin e të dënuarve për krime nga më të bujshmit në vend.

Mungesa e personalitetit profesional konkurronte fort edhe në ate rast me mungesën e personalitetit personal. Ajo u shfaq në sy të të gjithë opinionit si një qënie e dobët, e nëpërkëmbur nga avokatët dhe krimi.

Akoma më herët, “gjyqtare me ora dore prej disa dhjetëra-mijëra dollarësh” u përfolën, ndërkohë kur shqetësimi i vërtetë duhet të ishin vendimet-pazar që mundësuan orët e shtrenjta…

Afërmendsh që individë të tillë veçse dëmtojnë imazhin e pushtetit gjyqësor të qytetarët, kur ky pushtet e ka kërkesë “sine qua non” besimin publik për të ekzistuar dhe për t’u përballur me pushtetet e tjera dhe pushtetin e krimit.

Ndaj pyetja që duhet të na shqetësoje të tërëve, nuk është marka e fustanit të gjyqtares, por si ia doli që një “peshë pupel” të shndërrohet në mbajtëse të peshores së drejtësisë.

Po e mbyll me një anekdotë që ilustron thelbin e idesë sime. Diku nga viti 2001 a 2002, gjatë një feste në ambasadën e Egjiptit në Tiranë, gjatë bisedave gjysëm formale, konsulli egjiptian rrefeu se babai, sikundër edhe gjyshi i tij kishin qenë ambasadore. Admirimit të bashkëbiseduesit shqiptar për këtë vijimësi familjare në shërbimin diplomatik, konsulli iu përgjigj me shumë seriozitet se “në Egjipt është vështirë për të mos thënë e pamundur që të bëhesh ambasador dhe gjyqtar i lartë, nese nuk ke një traditë familjare në këto profesione”. Sepse jo çdo njeri mund të bëhet gjyqtar, pavarësisht inteligjencës, apo librezës së notave si student i juridikut.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore