Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Përse mënyra e ekzekutimit të gjobave, për mosmbajtje maske kundër COVID, është e paligjshme

Përse mënyra e ekzekutimit të gjobave, për mosmbajtje maske

Situata shumë serioze e përhapjes së COVID-19, në këtë periudhë të vitit, ka detyruar qeveritë e shumë shteteve të shtrëngojnë edhe masat që duhen respektuar për parandalimin e prekjeve të reja nga COVID 19. Një nga masat e marra dhe që, tashmë, është e gjithëpranuar është ajo e përdorimit me detyrim të barrierës mbrojtëse ose e thënë ndryshe e maskës e cila duket se ka rol parandalues në përhapjen e COVID 19.

Barrierë mbrojtëse mund të jetë e të konsiderohet çfarëdo mjeti që kryen të njëjtin funksion mbrojtës dhe mos përdorimi i detyruar i tyre në ambientet e përcaktuara autorizon Policinë Bashkiake dhe Policinë e Shtetit të vendosin gjobë ndaj kujtdo shkelësi.

Vendosja e gjobës nga autoritetet publike përcaktohet në Udhëzimin e Përbashkët nr. 4620 datë 14.10.2020 i cili është nxjerrë nga Ministrat e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Financave dhe Ekonomisë dhe ai i Infrastrukturës dhe Energjisë dokument i cili bazohet në Aktin Normativ nr. 3 datë 15.03.2020. Deri në këtë moment duket se gjithçka është e bazuar në ligj dhe në proporcion me situatën e krijuar si shkak i pandemisë.

Vendosja e gjobave vjen si nevojë për të detyruar këdo që cenon sigurinë e vetes dhe të të tjerëve ta përdorë atë në përputhje me rregullat që, si thamë më sipër, gjenden në çdo shtet të prekur nga COVID 19. Nga ana tjetër ngarkesa e sistemit shëndetësor do të mund të sjellë situata akoma më të rënda për gjithëseicilin prej nesh, prandaj respektimi i këtij rregulli minimal nuk besoj është fare problem. Personalisht e përdor dhe e respektoj këtë rregull.

Diku tjetër është thelbi i këtij shkrimi. Po në këtë Udhëzim të Përbashkët përcaktohet edhe mënyra se si do të ekzekutohet pagesa e gjobave duke i dhënë një afat 4 ditor autoritetit që ka lëshuar gjobën për ta dërguar te të dy shoqëritë FSHU dhe OSHEE të cilat kanë detyrimin për të regjistruar gjobën në faturën e energjisë elektrike të muajit respektiv duke e bërë në këtë mënyrë titull ekzekutiv sipas kuptimit që ka ky koncept në Kodin e Procedurës Civile dhe ligje të veçanta.

Praktikisht, të tre këta Ministra, kanë bërë një Udhëzim dhe nëpërmjet tij marrin kompetencat e ligjvënësit, që është Kuvendi i Shqipërisë, duke trajtuar këto gjoba si titull për tu ekzekutuar në mënyrë të përshpejtuar dhe që qëllimisht futen te fatura e energjisë elektrike për të mos i dhënë shumë shanse konsumatorit të mos paguajë apo të paguajë pjesërisht vetëm për konsumin e energjisë.

Në Ligjin nr. 43/2015 “për sektorin e energjisë elektrike” dhe në aktet e tjera të nxjerrë nga ERE, raporti midis OSHEE dhe konsumatorit konsiderohet si marrëdhënie kontraktore dhe si e tillë funksionon mbi një model TIP ku konsumatori paguan për faturën e konsumit të energjisë elektrike dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shtohen pagesa, gjoba, shtesa pa vullnetin e të dy palëve në atë kontratë. Për më tepër këto janë pagesa që duhet të ekzekutohen menjëherë dhe pa respektuar disa garanci që çdo qytetar i Republikës ka në raport me garancitë kushtetuese e ligjore për të ankimuar vendime administrative përpara se të konsiderohen të formës së prerë.

Edhe Ligji nr. 8662 “Për trajtimin si titull ekzekutiv të faturës së konsumit të energjisë elektrike” nuk njeh detyrime shtesë që mund të shtohen në faturën e energjisë elektrike e që nuk kanë lidhje me konsumin e energjisë elektrike, pra në asnjë rast nuk mundet që të konsiderohet titull ekzekutiv gjoba e vendosur për mos mbajtje të maskës mbrojtëse dhe të vijohet normalisht mbi këtë gabim duke ja faturuar si shtesë në faturën e OSHEE.

Si titull ekzekutiv konsiderohet fatura e konsumit të energjisë elektrike që vjen si pasojë e një konsumi real dhe në asnjë rast nuk mund të konsiderohet e tillë edhe çfarëdo shtese e imponuar nga Udhëzime abuzive dhe të pa bazuara në Kushtetute e Ligj që nuk bëjnë gjë tjetër veçse do të ngarkojnë OSHEE me një punë të kotë pasi, edhe në qoftë se do te regjistrohen në faturën e energjisë elektrike në emër të shkelësit, nuk do të mund të kalojnë filtrin e gjyqtarit që do të lëshojë Urdhrin e Ekzekutimit për ekzekutimin e detyrueshëm.

Përse e them këtë? Koncepti i titullit ekzekutiv nuk është risi dhe nuk mund të dalë rast pas rasti nga Udhëzime apo Vendime por kemi një parashikim ligjor të saktë në Kodin e Procedurës Civile që jep definicionin e titullit ekzekutiv i cili për tu konsideruar i ligjshëm duhet të parashikohet nga ligje të veçanta. Mosrespektimi i të paktën këtij kushti, pra të dhënies fuqi si titull ekzekutiv nëpërmjet një ligji, e bën regjistrimin e gjobës në regjistrat e OSHEE të pavlefshëm dhe në asnjë rast të ekzekutueshëm.

Për të mos u marrë fare me ndërhyrjen në raportin kontraktor furnizues/konsumator, që në vetvete nuk lejon ndryshim të kontratës pa vullnetin e palëve, absurdi vijon me intervista të funksionarëve të OSHEE të cilët deklarojnë se në rast mos pagese të detyrimit në total, pra konsum energjie dhe gjobës, do të ndërpresin furnizimin me energjie për shkelësin.

Në rast se do të ndodhë realisht kjo situatë kushdo që do të autorizojë ndërprerjen për mos pagesë vetëm të gjobës së vënë për mosmbajtje maske (pra jo për mos pagesë të konsumit të faturuar për energji elektrike) do të ketë kryer disa vepra penale e për të cilat do të jetë përgjegjës individualisht.

Nga e gjithë kjo nuk mund të mos vihet re një qetësi e madhe e shoqatave, organizatave, Avokatit të Popullit të cilët së bashku apo individualisht luajnë një rol të madh në informimin e publikut dhe në aktivizimin e tyre për kontestimin e këtyre mënyrave për vjeljen e gjobave të cilat penalizojnë si gjithmonë më të dobëtit dhe nuk respektojnë garancitë minimale kushtetuese e ligjore që janë shkruar e vendosur pikërisht për raste të tilla ndërhyrjesh të pushteteve te sfera e interesave personale të gjithkujt.

  

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore