Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Në Stamboll, për jetën

Në Stamboll, për jetën

Stambolli është një qytet që jo më kot konsiderohet magjik. Një simbolikë e madhe që bashkon lindjen dhe perëndimin. Dhe që po me të cilin krenohet Lindja dhe Perëndimi. Vatër e dashurisë, vendi i betejave, streha e Bizantit me tempullin e tij, Sofinë e Shenjtë.  Vendi ku bashkohen vepra e arkitektëve dhe gjenive më të mëdha botërorë, ku kryqëzohen botët, sot është boshatisur.

Ora policore këtu fillon në tetë të mbrëmjes, në fundjavë ka karantinë totale për të gjithë shtetasit turk. Asnjë bar dhe restorant me kuzhinën tradicionale, por edhe me gatimet mahnitëse të detit, nuk hapet për asnjë orë dhe ditë të javës.

Tek ta gjen shumë nga ajo që ne hasim përditë. Njerëz të thjeshtë, që reflektojnë një stil të jetës që ngjan dukshëm larg Evropës. Standard nën mesatar, por një shtet që funksionon.

Vendi reflekton Lindjen, duke filluar nga zakonshmëria e mbajtjes së shamisë nga gratë myslimane në rrugë, e deri tek mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Por kjo ndërthuret me magjinë e antikitetit dhe jetën moderne.

Të shtatë kodrat përreth Stambollit kanë të ndërtuara  në majat e tyre xhami të mëdha. Turqinë, e Stambollin sidomos, e kanë vizituar në këtë kohë pandemie një pjesë e mirë e rajonit. Turizmi spitalor këtu është kthyer në industri dhe shpëtim për shumë jetë njerëzish.

Eksperienca jetë ndryshuese përjetuan shumë njerëz në botë, dhe pandemia na bëri të kuptojmë që vlera e jetës është më e rëndësishmja.

Të gjitha këto i mësoj në një spital të Stambollit, ku syri më ndesh shumë shqiptarë. Biznesmenë, mjekë, familjarë të tyre, njerëz të profesioneve të ndryshme, që i ka bashkuar një arsye e madhe. Problemet shëndetësore të tyre apo familjarëve.

Mësova gjithashtu se mjeku internist Prof. Dr Mehmet Tarik Akber, një njeri i fisshëm, që e përtej punës e ka parë profesionin si mision, ka qenë mjeku që është kujdesur për trajtimin e mjekëve tanë, Arjan Harxhit, Silva Balës, Besim Boçit etj. Protokollet thuhet që janë të njëjta me ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por rezultatet shpesh në Shqipëri nuk kanë qenë premtuese.

`Na është dashur të zhvendosemi sa më parë këtu, sepse u përballëm me vështirësi në mënyrën e trajtimit të virusit, mungesën e barnave të caktuar, mënyrën kontradiktorë të asaj se si mjekët na i interpretonin përshkrimin e barnave, por edhe vështirësinë e të siguruarit një shtrat spitali mbi të gjitha´ më thonë familjarë të tyre.

Këtu i thërrasin njëri-tjetrit "Abi", që do të thotë vëlla. Edhe pse duket ironike t'i thërrasësh vëlla turqve.

Por të gjendesh në Stamboll, në kohë pandemie, kur Evropa ka mbyllur kufijtë dhe është bërë edhe më hermetike, është normale.  Këtu industria spitalore po lulëzon dhe po zhvillon një tjetër turizëm, atë spitalor.

Pikërisht në  një vend që para disa vitesh është renditur I gjashti ndër destinacionet turistike më popullore në botë.

I zhurmshëm, i bukur, madhështor e misterioz, Stambolli edhe këtë herë na mirëpret. Në emër të jetës, misioni i mjekësve këtu, mban emrin jetë, përtej profesionit.

Siç shprehet Orhan Pamuk "...e kam kuptuar se më e mira ishte të jesh një urë midis dy brigjeve pa ju përkitur atyre", edhe këtu shqiptarët e gjendur bash si unë, të ardhur nga Evropa, e ndjejnë vetën qytetarë të botës përtej lindjes dhe perëndimit. Për jetën!

 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore