Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Ndjesa e LSI-së e adresuar gabim!

Ndjesa e LSI-së e adresuar gabim!

Vetëm pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve politike të 25 Prillit, Lëvizja Socialiste për Integrim del me një ndjesë publike për djegien e mandate të deputetit në vitin 2019, pas vendimit që mori Partia Demorkatike asokohe.

Në mënyrë të vazhdueshme të dy partitë opozitare kanë mbrojtur qëndrimin se djegia e mandateve ishte akti i duhur dhe i domosdoshëm për të nxjerrë në pah mënyrën sesi po qeveris Edi Rama dhe për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. Në fakt ky ishte qëllimi i proklamuar, sepse qëllimi real ishte shkaktimi i një krize institucionale që ishte menduar se do të ndodhte me bllokimin e Parlamentit i mbetur vetëm me një parti, praktikisht PS që qeveriste vendin. Por opozita nuk kishte llogaritur në skenarin e saj faktorin ndërkombëtar, që nuk e koncepton në mendësinë politike braktisjen e institucioneve dhe faktorin surprizë të zëvendësimit të mandateve të lëna me deputetët e radhës në listë të caktuar po nga vetë PD e LSI.

Individët e listës nuk e falën "shansin e artë" që iu erdhi për të përfituar statusin e deputetit dhe të tjera bonuse që vijnë nga ky status si paga e mirë e pensioni i mjaftueshëm dhe i garantuar etj dhe "rrëmbyen" vendet e lëna bosh nga emrat e deputetëve që dorëzonin mandatet me urdhër të Bashës e Kryemadhit.

Parlamenti vijoi punën, opozita mbeti rrugëve për dy vjet me radhë, për t'u rikthyer në zgjedhje po me Edi Ramën kryeministër. Kishte deklaruar se nuk do të hynte kurrë më në zgjedhje me Edi Ramën, sepse ai i vidhte votat ndaj dhe dogji mandatet, por opozitës iu desh ta "lëpijë atë që pështyu" dhe po hyn me Edi Ramën në zgjedhje. Përtej kësaj çdo kthesë edhe pse e vonuar është për t'u përshëndetur dhe ky qëndrim i LSI gjithashtu. Por ajo që nuk shkon në ndjesën e LSI është se i adresohet Presidentit të Republikës, i cili duhet thënë se në mënyrë përmanente ka qenë kundër djegies së mandateve.

Meta nuk ia kishte besën  Bashës dhe në 2019 ishte për linjën e qëndrimit në Parlament, por dyzimi dhe mosbesimi që do krijonte brenda opozitës qëndrimi ndryshe i LSI e shtyu Monika Kryemadhin të marrë vendimin për djegien e mandateve si shenjë besnikërie, se nuk ka dhe nuk do të ketë flirt politik me pushtetin dhe Edi Ramën.

Ngjarjet rrodhën dhe rezultoi se Meta kishte të drejtë. Opozita nuk ishte në Parlament, kur në fakt duhej të ishte qoftë edhe për të vetmen çështje bazike të interesit të saj, reformën zgjedhore për të vendosur veton politike nëse do të ishte e nevojshme ndaj një reforme që mazhormaca tanimë mund ta bënte sipas interesave të saj.

U desh një formulë ekstra politike, krijimi i një strukture jashtëinstitucionale (Këshilli Politk) që të gjendej një skema e pranueshme nga të gjitha palët në proces (mazhormacë, opozitë parlamentare dhe opozitë jashtëparlamentare PD+LSI) që të gatuhej kodi i ri zgjedhor me avaze të vjetra. Si përfundim realiteti ishte më kokëfortë, faktet gjithashtu dhe koha provoi se djegia e mandateve ishte një gafë e rëndë politike, aventurë e padobishme dhe me kosto të rënda politike për opozitën dhe jetën parlamentare.

Rama qeverisi lirshëm dy vitet e fundit të mandatit të tij i pashqetësuar dhe komod në vendimmarrje, ndërsa opozita I binte më kot përqark me xhiro bosh selisë së kryeministrisë. Ndërsa LSI ndoqi PD-në në braktisjen e Parlamenti, sot ajo është e para që braktis vendimin e gabuar të djegies së mandateve duke i adresuar një ndjesë Presidentit të Republikës. Në fakt ndjesa duhej t'i adresohej popullit, sidomos popullit opozitar i cili u la i papërfaësuar në Parlament. Mandatet e deputetit nuk janë mandate private, por janë mandate përfaqësimi të interesit publik.

Ndjesa adresuar presidentit, përtej gjestit dhe simbolikës që ka për të treguar pendimin, tregon se këto mandate konsiderohen si pronë politike private jo publike. Ky është hantikapi më i madh dhe në fakt edhe problemi themelor që ka sot politika në Shqipëri, sepse gjithçka e mendon, projekton dhe zbaton në interes të një grupimi politik jo në shërbim të interesit publik. Nuk është vonë për të kërkuar edhe një ndjesë tjetër. Populli po ju vëzhgon, 25 prilli është data kur ju gjykon! 

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore