Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Minoritet linguistik dhe jo etnik!

Minoritet linguistik dhe jo etnik!

Në një bisedë zyrtare me diplomatin amerikan në Tiranë, z. K.Zibentrit. Duke ndjekur emisionin e datës 16.01.2021 "Gjurmë shqiptare" të gazetarit të palodhur Marin Mema, gjurmues i të vërtetës mbi historinë reale të Dropullit, më rizgjoi  kujtimet për të risjellë pjesë nga një shkrim timin të arkivuar në memorie, mbi një çështje që ka shumë spekulime të rënda historike.

Më ngacmoj replika e Panajot Barkës apo Varkës si të duash ta kthesh se i njëjti kuptim del në shqip, si Gjini, Gjoni e Leka në emisionin e “papëlqyer” për Panajotin. Pseudo studiuesi Barka atakon jo vetëm studiuesit e licencuar e serioz të historisë Xhufi e Duka, por me përpjekje djallëzore kërkon të ankoroj barkën apo varkën në ato troje që ai pa pikë serioziteti dhe të vërtete historike, kërkon të mbushi mendjen vetes dhe të tjerëve me fakte të përmbysura mbrapsht. Replika e Barkës është vazhdim i spekulimeve të tij midis nesh.

Me këtë rast më erdhi ndërmend një bisedë me diplomatin amerikan në Tiranë, zotin K. Zibentrit me sa kujtoj më 1996. Në atë kohë unë isha diplomat në MPJ të Shqipërisë dhe mbuloja marrëdhëniet dypalëshe shqiptaro-greke. Me kërkesën e z. Zibentrit ai u prit në takim nga Drejtori i Marrëdhënieve Rajonale, ose siç e quhej ne në atë kohë Drejtoria e Parë, nga i ndjeri z.Eqerem Mete dhe unë. Bëj të ditur sot se çfarë u tha e u bisedua edhe me një nga përfaqësuesit zyrtar të Ambasadës amerikane në Tiranë në atë kohë, i cili ishte një shqip-folës i zellshëm dhe me një njohje të thellë të problemeve ballkanike në lidhje me temën e “autoktonise” të minoritetit grek në Shqipëri.

Ndër problemet e tjera rajonale që diskutuam, z. Zibentrit shtroi edhe disa çështje që kanë të bëjnë me minoritetin grek në Shqipëri dhe ku kërkoi nder te tjera disa sqarime. Ne i bëmë një rezyme të qëndrimit të shtetit shqiptar në lidhje me trajtimin e minoritetit grek të cilin e konsideronim si një pasuri me vlerë në këtë vsnd.

Fakt janë ekzistenca e këtij minoriteti që ka bashkëjetuar në paqe me shqiptarët dhe ruajtja e të gjitha traditave dhe vlerave të identitetit të tyre të pretenduar në dallim me ato çfarë kanë ndodhur dhe ndodhin në vendet fqinjë si Greqia p.sh. Historia nuk ka shënuar asnjë akses zyrtar apo individësh ndaj këtij minoriteti që të dëshmoj për keqtrajtim. Në se ata kanë vuajtur nën komunizëm kjo ka qenë e njëjtë me të tërë shqiptarët bile për hir të së vërtetës vihen re qartë shembuj të një mbivlerësimi në raport me mazhorancën. (fakt qe dhe Barka e përmend si përparësi kualifikimin dhe shkollimin e minoritareve te tij).

Por kohët e fundit vihen re gjithashtu tendenca që janë provokuar edhe në të kaluarën për të margjinalizuar statusin e tyre, siç është, bie fjala, përdorimi i kohëve të fundit i termit “minoritet etnik grek” apo presioni për heqjen e kufizimeve si “zonë minoritare” etj, duke kërkuar zgjerimin e hapësirës jo reale minoritare. Ai m`u drejtua mua se ç `mendim kishim ne në lidhje me “autoktoninë” e Minoritetit grek, mbasi tha ai, ju nuk i quani ata autoktonë, ndërkohë pyeti gjithashtu se, a mund te merren dëshmitë e gjurmëve të kulturës greke të qytetërimeve në Apolloni, Dyrrahum, Butrint etj. që vërtetojnë se ata si bartës të kësaj kulture kanë qenë këtu?!!

Z. Zibentrit, ju drejtova diplomatit karizmatik amerikan, më lejoni t`a formuloj përgjigjen ndaj pyetjes suaj në dy pika të rëndësishme: Së pari, prania dhe ekzistenca e këtij minoriteti aktual i cilësuar grek në Shqipëri nuk ka të bëjë aspak dhe nuk ka asnjë dëshmi historike që të dokumentoi tezën e kësaj lidhjeje.

Përkundrazi ky komunitet u pranua me nxitim nga qeveria e Lumturisë së tij Imzot F. Nolit në Lidhjen e Kombeve si minoritet i ashtuquajtur grek nën presionet greke, si kushtëzim për praninë e Shqipërisë në familjen e kombeve, pa u bërë një analizë të thellë historiko-shkencore se çfarë janë në të vërtetë këta njerëz greqisht folës,të cilët janë sjellë apo lejuar si bujqër nga bejlerët shqiptarë për të punuar tokat e këtyre të fundit.

Një e dhënë është pozicioni dhe terreni shkëmbor dhe i vështirë për t`u banuar, ku ky komunitet i ardhur shumë vonë në histori u lejua nga bejlerët përballë të Libohovës të ndërtonin vendbanimin e tyre të përhershëm në anën lindore të luginës së Dropullit. Këta njerëz qoftë nga fizionomia apo mbiemrat si dhe dialekti i tyre i të folurit japin më shumë dëshmi se ata janë më afër me vllahët se sa me grekët në origjinë si dhe shumë syresh të tyre janë suliot – çamër që sollën me vete gjuhën, sepse ishin njëkohësisht edhe greqishtfolës. Kaq e vërtetë është kjo sa ju lutemi shikoni mbiemrat Sulioti, Barka, Dule (që në çamërishten e folur shkurtimi i emrit Avdul thirret Dule), apo Andruco, Çami etj etj.

Të njëjtin fenomen e kemi me shqiptarë të Çamërisë së zonës së Paramthisë të cilët edhe sot flasin gjuhën greke si dhe shumica e çamëve. Mos vallë duhet t`i kategorizojmë nga e folura një ditë edhe këta si etnik grek?!!! Në vijim të sqarimit të autoktonisë e të qytetërimit antik grek dhe të gjurmëve të saj në territorin

Iliro- Epirot, dua t`ju tërheq vëmendjen -i them diplomatit amerikan, se duke u bazuar nga të dhënat që na kanë sjellë deri më sot autorët antik dhe baballarët e historisë greke, kur ata i referohen qyteteve qe ju përmendët i cilësojnë si qytete koloni greke, madje edhe Ambrakinë që është kufiri jugor i Çamërisë apo Epirit antik e etnik. Më thoni zotëri si mund të pranohet që brenda një territori etnik të ketë një koloni të asaj etnie, me një fjalë po të me lejoni të bëjë një paralelizëm, a mundet të quhet brenda territorit të sotëm të SHBA-së p.sh Los Angelos, Washington DC apo New Yorku- koloni e te pretendohen e të trajtohen sot si koloni amerikane nga jo amerikanët?!.

Kolonia ka vetëm një status dhe një emërtim e formuluar nga e gjithë bota (me përjashtim të grekëve) ato janë ngulmime dhe s`kanë të bëjnë me autoktoninë e vendit ku janë ngulur këto qytete e kultura koloni .

Së dyti, t`i kthehemi argumenteve tona se a është autokton ky minoritet që e quan veten “etnik” në trojet e shqiptarëve?. Të jesh autokton në një territor së paku duhet të plotësohen disa elemente të civilizimit njerëzor. Një nga më të rëndësishmit është krijimi i qyteteve si njësia më e lartë urbane apo Polisi siç i kanë quajtur grekët e lashtë.

Le të na thuhet zotëri se kush është sot qyteti i formuar nga ky minoritet grek në Shqipëri?. Do të thonë Gjirokastra apo Saranda?!!! Jo! Edhe sot e kësaj dite ato kanë qenë dhe janë qendra administrative ku minoriteti është pakicë dhe nuk u përket si vendbanim që e kanë krijuar ata, por familjet e dokumentuara të mazhorancës autoktone shqiptare, për të mos thënë se edhe këto dy qytete janë të vonta dhe s`kanë të bëjnë me vjetërsinë e Dyrrahumit apo Apollonisë.

Kjo do të thotë se ata janë të ardhur shumë vonë dhe nuk kanë pasur hapësirë kohore për të ndërtuar njësinë më të lartë urbane që është qyteti dhe jo vetëm fshatra ku ata rezultojnë. Të jesh autoktonë duhet të kesh dëshmi historike të prezencës të cilat materializohen në të gjitha aspektet e aktivitetit njerëzor, si figura udhëheqësish ushtarakë, figura të shquara mbresëlënëse në fusha të ndryshme të krijimtarisë njerëzore.

Le të na e dokumentoi kjo prani se ata i kanë këto dhe ne s`jua kemi njohur deri më sot. Po të ishte e vërtetë se kjo anë ju është mohuar nga historiografia zyrtare shqiptare, ju dhe ne do të dëgjonim nga përfaqësuesit e këtij minoriteti lingustik i cili do te bërtiste me të madhe se ju është fshehur historia. Kur në periudhën e vontë p.sh. atë osmane, kapedanet shqiptarë me çetat e tyre me Çerçiz e Bajo Topullin luftonin kundra osmanëve në zonën ku ata banojnë, ku ishin këta, që si grek pretendojnë se janë antiturq, të luftonin apo të kishin çetat e tyre duke dëshmuar prezencë në histori?

Ku janë figurat në pikturë, letërsi e në tërë lëmin njerëzore para 100, 200 apo 1000 vjetësh të mësuar dhe dëshmuar se ata janë prezentë atje ku ata banojnë? Tefteret osmane që janë konsideruar nga bota si dokumente kadastrale të sakta nuk i identifikojnë ata si banorë të Dropullit, por familje të tjera shqiptare kanë qenë prezentë në ngulmimet e tyre. Kjo dëshmon se ata janë kaq të vontë në kohë të ardhur dhe jo kompakt, sa nuk kanë mundur të krijonin këto shtresime me përjashtim te elitës së tyre komuniste apo njerëzit e nderuar nga radhët e tyre, si piktor shkrimtar që me gjithë respektin e madh që kemi për vlerat e tyre ata janë shumë të vonë që të marrim guxim qoftë dhe për dashamirësi të bëjmë një lidhje me antikitetin e gjurmëve të kulturës “greke„ në Shqipëri.

Në këtë takim me këtë rast i bëmë të ditur diplomatit amerikan në Tiranë se kjo është e vërteta historike dhe e bazuar në logjikën e fakteve historike dhe jo në fantazi si ato që duhen të arrihen nën emrin e të drejtave të njeriut të minoritetit grek.

Pavarësisht nga dëshmia shumë e vontë e kësaj prezence aktuale të quajtur greke, ne i konfirmuam në fund diplomatit të vendit mik z. Zibentrit se, ne e kemi pranuar tashmë botërisht si minoritet grek në Shqipëri dhe jemi të civilizuar që kemi kontribuar dhe kontribuojmë brenda mundësive tona për ruajtjen e trashëgimisë dhe të identitetit që në fund të fundit ata pranojnë. Është e drejta e tyre t`a quajnë në histori veten si të duan.

Diplomati i Ambasadës amerikane në Tirane, mbasi dëgjoi me vëmendje, nuk e fshehu habinë dhe vlerësoi logjikën e arsyetimit tonë duke pohuar se kishte studiuar mjaft edhe autorët anti-grek dhe nuk kishte pasur mundësinë të rezultonte në këto argumente bindëse, për të cilat ai falënderoi dhe tha se „më keni dhënë për herë të parë një rast dhe leksion me shumë vlerë arsyetimi e analize“- të cilën e pranoi....!!!

Kaq u tha e u bisedua me diplomatin amerikan. Dëshiroj miqësisht Barkës dhe ndonjë pjesëtari të tillë të minoritetit grek të jenë më të kthjelltë. Këto përpjekje pa asnjë arsyetim racional janë të pa nevojshme për ta, mbasi kështu si veprojnë nuk i shërbejnë miqësisë apo bashkekzistencës. Njollat apo pikat e ujit nuk mund të sfumojnë  një det apo oqean të tërë njerëzor deri në “koloninë greke“ të Ambrakisë.

*Petrit Kasemi Begati, ish-diplomat

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore