Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Konfuzion, infarkte të trurit/ Si ndikon COVID-19 në çrregullimet neurologjike

Konfuzion, infarkte të trurit/ Si ndikon COVID-19 në

Për të trajtuar një sëmundje, në veçanti COVID-19, një sfidë e madhe është informimi mbi këtë sëmundje. Sa më tepër të njohim virusin COVID-19, aq më të sigurt do të jemi ne mjekët, vetë të sëmurët, si edhe familjarët e tyre në përballimin e sëmundjes dhe të ndërlikimeve që ajo jep.

Në një publikim të fundit të revistës amerikane “Neurology”, Dr. Frontera shpjegon se sa të shpeshta janë komplikacionet neurologjike nga COVID-19, të çfarë natyre janë ato dhe si duhet të përballemi me to.

Kjo na ndihmon ne mjekëve të kuptojmë se cilët të sëmurë me COVID-19 paraqesin komplikacione neurologjike dhe gravitetin e tyre, d.m.th., sa rëndë i paraqesin këto komplikacione dhe prognozën e tyre.

Në një studim të publikuar në këtë reviste u pa se 13 % e pacientëve me COVID-19 (bëhet fjalë për të sëmurë të hospitalizuar për shkak të COVID-19) paraqisnin çrregullime neurologjike që nuk i kishin pasur para se të sëmureshin nga Covid.

Këto çrregullime përfshinin:

Gjendje konfuzionale (54%) ku kemi një Encefalopati toxio-metabolike.

Aksidente Cerebro-Vaskulare Ishemike (infarkte të trurit) në 14% të të sëmurëve me COVID-19.

Kriza epileptike në 12% të rasteve dhe dëmtim të trurit nga pamjaftueshmëria e furnizimit me oksigjen (çrregullime hypoxike) në 11% të rasteve.

Nuk u pa asnjë rast me infeksion direkt të trurit (encefalite) ose të cipave të trurit (meningjit) ose të palcës se kurrizit (mielit). Në lëngun truro-shpinor të këtyre të sëmurëve nuk u gjetën shenja te virusit. Ndoshta, detersi respirator akut, ndoshta sepsisi, oksigjenimi deficitar, presioni i ulet i gjakut, dëmtimi akut i veshkave, mund të ketë çuar në këto komplikacione neurologjike.

Më tepër nga të sëmurët me COVID-19 që shfaqen çrregullime neurologjike, ishin subjektet e moshuara, diabetikët, meshkujt me tepër sesa femrat.

Për shumicën e pacientëve (54%), shenjat neurologjike u shfaqen 2 ditë pas fillimit të shenjave të COVID-19 (temperaturë e lartë, kollë, të përziera, të vjella, diarre). Në 43% të të sëmurëve, shenjat neurologjike u shfaqën menjëherë me shenjat e COVID-it dhe vetëm në 2% të të sëmurëve shenjat neurologjike paraprinë shenjat e COVID-it.

Simptomat neurologjike e komplikuan ecurinë e të sëmurëve me COVID.

Këta të sëmurë me COVID plus simptoma neurologjike qëndruan shumë më gjatë të shtruar në spital dhe vdekshmëria në ta ishte më e lartë në krahasim me të sëmurët me COVID, por pa simptoma neurologjike.

Të sëmurët me Encefalopati Toksiko-Metabolike paraqesin konfuzion, halucinacione, janë të axhituar, çrregullime të gjumit, çrregullime të të folurit. Duhet theksuar se këto simptoma janë kalimtare dhe nuk janë rezultat i dëmtimeve definitive (të përhershme) të trurit. Me trajtimin e sëmundjes baze, në këtë rast të COVID-19, edhe këto simptoma fillojnë të përmirësohen deri në zhdukjen plotësisht të tyre.

Për sa u përket krizave të epilepsisë, ato mund të shfaqen në të sëmurët me COVID19, të cilët nuk kanë shfaqur asnjëherë më parë kriza të tilla, ose, në të sëmurët me epilepsi, mund të shpeshtojnë frekuencën e tyre.

Këto kriza quhen edhe “kriza të provokuara”, sepse kanë shkak COVID-in dhe jo dëmtimin e trurit. Këto kriza trajtohen njëlloj si gjithë krizat e tjera të epilepsisë me të njëjtat medikamente. Me shërimin e të sëmurit nga COVID, këto kriza nuk shfaqen më dhe nuk është e nevojshme që të sëmurët të marrin mjekim për një kohë të gjatë.

Pra, siç e shohim përditë, COVID-19 është shumë infektues dhë shumë i dëmshëm. Ai prek të gjitha organet. Prek edhe sistemin nervor. Prekja e sistemit nervor e bën të sëmurin ta vuajë edhe më shumë sëmundjen. Ecuria është më e pasigurt dhe vdekshmëria më e madhe.

Rruga me e mirë për të evituar këto komplikacione është të evitohet infeksioni nga COVID, të mbahet sa më larg ky virus.

* Mjek neurolog në Shërbimin e Neurologjisë, QSUNT

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Zgjedhje 2021

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore