Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Harta e re gjyqësore me probleme të vjetra

Harta e re gjyqësore me probleme të vjetra

Në përfundim të vitit 2021 u prezantua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (ose “KLGJ”) projekt propozimi për hartën e re gjyqësore në Republikën e Shqipërisë nëpërmjet së cilës analizohej situata e 22 gjykatave të rrethit në shkallë të parë që janë aktualisht duke propozuar që ky numër të ulet në 12; të atyre të Apelit që sot janë 6 të cilat propozohet që të shkojë në një të vetme në rang kombëtar dhe atyre gjykatave administrative në shkallë të parë që sot janë 6 dhe të ulen në 2 në rang kombëtar.

Ky projekt propozim, i bazuar në një sërë elementësh që KLGJ me të drejtë merr parasysh dhe që janë probleme konkrete në shumë nga këto gjykata, është mbështetur edhe nga Ministria e Drejtësisë që do të thotë se shumë shpejt i hapet rruga përfundimisht aprovimeve nga institucionet kompetente dhe hyrjes në fuqi të shpërndarjes së hartës së re të gjykatave në vend.

Harta e re gjyqësore me probleme të vjetra

Av. Dr. Lulzim Alushaj

Në rang ndërkombëtar Republika e Shqipërisë ka ratifikuar shumë Marrëveshje shumëpalëshe të OKB – së, Këshillit të europës, KEDNJ (nenet 6 dhe 13 të saj mbi aksesin në drejtësi) që rregullojnë me supremacinë e tyre edhe aspekte që kanë të bëjnë me rëndësinë e një drejtësie afër qytetarit, me gjykata të pavarura dhe efiçente, me respektimin e parimeve për një akses efektiv në shërbimet gjyqësore dhe në dhënien e drejtësisë. Ndërkohë vendi po përgatitet për çeljen e negociatave për anëtarësim në B.E. ku te ai legjislacion, që vendi ynë po përpiqet të përafrojë, gjenden tashmë të shprehura qartazi parimet e përgjithsme të një shteti që garanton të drejtën e një gjyqësori të efektshëm. Në nenin 19 të Traktatit B.E. dhe në nenin 47 të Kartës të së drejtave themelore të B.E – së parashikohet detyrimi i shteteve anëtare që të “parashikojnë alternativa juridiksionale të mjaftueshme për të garantuar një mbrojtje juridiksionale efektive në fushat e parashikuara nga e drejta e B.E.” apo “garantimi i një procesi gjyqësor të shpejtë dhe të një ankimi efektiv”.

Në këtë kuptim nuk rezulton që KLGJ dhe Ministria e Drejtësisë të kenë bërë një studim krahasimor me këto parashikime, ku standarti të jetë ai i përafrimit të kësaj reforme me të qytetarëve dhe vendeve anëtare të B.E – së dhe jo me studime lokaliste që për nga cilësia dhe ngarkesa nuk mund të jenë kriteri matës ose i vetëm për të ndërmarrë një reformë të tillë kombëtare.

Si profesionist i lirë në fushën e Avokatisë nuk mund të mos vërej që kategoria e Avokatëve, si në rang Dhome Kombëtare ashtu edhe ato në rrethe, nuk rezulton të jenë zyrtarisht përfshirë dhe as të ketë shprehur mendim zyrtar në lidhje me këtë reformë por individualisht janë disa kolegë Avokatë që janë shprehur kundër saj. Arsyet e kundërshtimit kryesisht lidhen me elementë të garancive kushtetuese dhe proceduriale që nuk respektohen ose respektohen pjesërisht  dhe që sigurisht do të passjellin edhe pasoja që prekin qytetarët (por jo vetëm) e atyre rretheve të cilët do të preken nga kufizimet. Mund të renditen disa prej këtyre elementëve në mënyrë që të bëhet i kuptueshëm.

Aksesi në shërbime dhe në dhënien e drejtësisë

Në nenin 14 të Ligjit nr. 98/2016 parashikohet se “kompetencat tokësore të gjykatave caktohen duke synuar përmbushjen në mënyrë të ekuilibruar të garantimit të aksesit në drejtësi, nevojën për uljen e kostove dhe garantimin e përdorimit të burimeve publike dhe nevojën për rritjen e cilësisë së shërbimeve të ofruara”, thënë këtë ligjvënësi ka vendosur si prioritet në rastin e kompetencave tokësore të gjykatave “ekuilibrimin e garantimit të aksesit në drejtësi” që do të thotë edhe në shërbimet që lidhen me aksesin në drejtësi. Që një qytetari, të gjykatave që propozohen të mbyllen, të mund ti garantohet aksesi në drejtësi njësoj me qytetarë të tjerë duhet të vihet në kushte të barabarta edhe për sa i përket të drejtës për tu këshilluar nga profesionistë të fushës të së drejtës (që ne vetvete përfshin cilesinë e lartë të shërbimit, kohën e mjaftueshme dhe infrastrukturën e nevojshme për të përgatitur mbrojtjen), heqjen e kufizimeve të çdo lloji në lidhje me ushtrimin e kësaj të drejte, uljen e kohëzgjatjes së çështjeve, garantimin e aksesit duke mbajtur veçanërisht nën kujdes kategori që kane aftësi të kufizuara apo pamundësi financiare për t’ju drejtuar shërbimeve gjyqësore.

Garantimi i shërbimeve për personat me aftësi të kufizuar apo pamundësi financiare

Një tjetër aspekt që nuk rezulton të jetë marrë parasysh në projekt propozim ka të bëjë me garantimin efektiv të të drejtave kushtetuese e ligjore të atyre kategori qytetarësh që duhet të mbrohen posaçërisht nga shteti dhe që të mos diskriminohen sipas parashikimit të nenit 18 të Kushtetutës. Konkretisht personat me aftësi të kufizuar apo ata që ndodhen në pamundësi ekonomiko – financiare nuk konsiderohen fare në studim dhe si pasojë duke qenë edhe pjesa më vulnerabël e shoqërisë do të mbeten akoma edhe më të diskriminuar në krahasim me qytetarët e tjerë. Pasojë e mbylljes së një gjykate rrethi apo apeli qoftë do të largojë profesionistët dhe shërbimet e nevojshme (ekspertë, noter, përkthyes etj.) nga ai vend dhe detyrimisht kjo do të çojë edhe në mungesë të theksuar shërbimesh e detyrojë këtë kategori që ose të mos ndërmarrë asnjë veprim për të kërkuar respektimin e së drejtës apo mbrojtjen e interesit të ligjshëm ose ta ketë këtë veprim me kosto shtesë ndoshta edhe më të lartë se një qytetar normal për shkak te kufizimit fizik apo pamundësive të tjera në lëvizje.

Rriten shpenzimet e sistemit të burgjeve

Shpërndarja e sistemit penitenciar sot reflekton edhe afërsinë me gjykatat që veprojnë shumë afër tyre, pra me pak fjalë largësia e nje gjykate nga një IEVP (Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale) është e shkurtër dhe garantohet prania e personave në seanca gjyqësore në kohë të shkurtër por edhe me kosto të ulëta trasporti e sigurie. Me ndryshimet e propozuara do të vështirësohet edhe respektimi i afateve apo mbajtjes së seancave gjyqësore pasi kushtet e infrastrukturës së Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve jo gjithmonë lejojnë respektimin e detyrimeve ligjore që kanë sipas ligjit. Gjithashtu shpenzimet e përgjithshme do të kenë domosdoshmërisht rritje pasi prezenca e personave në faza të ndryshmë të hetimit /gjykimt është e garantuar në nivelin më të lartë, duke filluar që nga transporti, siguria, infrastruktura që lidhe me të. Një shëmbull mund të imagjinohet, nqs propozimi aprovohet, për një çështje në Apel Tiranë të vijë i dënuari nga IEVP Korçë.

Heqja e kontrollit mbi territorin probleme me çështjet e ngutshme

Prezenca fizike e një gjykate apo prokurorie në një qytet të caktuar nuk garanton vetëm aksesin në drejtësi apo më pak shpenzime për qytetarin por në radhë të parë dh ndoshta më kryesorja  kryen edhe një rol sigurie dhe parandalimi të problemeve të caktuara kriminale, familjare apo shoqërore. Parimi i ndarjes së pushteteve kërkon që të reflektohet ky parim në të gjithë shtrirjen gjeografike kombëtare duke mos lejuar pushtetin ekzekutiv (qoftë ai qëndror apo lokal) që të mos ti nënshtrohet kontrollit gjyqësor në rastet kur ka shkelje. Mbyllja e gjykatës dhe prokurorisë lë shteg dhe mund të stimulojë që pushteti ekzekutiv të mos ketë më kontroll apo të bëhet sa më i vështirë një kontroll i akteve të tij administrative apo qoftë edhe veprimeve në kundërshtim me ligjin. Probleme të tjera që do të mund të jenë pasojë e mbylljes së gjykatave mund të reflektohen në asetin shoqëror në ato qytete duke detyruar profesionistë apo qytetarë në emigrim të detyruar të brendshëm ose të jashtëm.

Në të njëjtën kohë nga mbyllja e gjykatave nuk ka propozime për ndryshimë në ligje të ndryshme kryesisht ato me karakter procedurial në fushën e të drejtës familjare, civile, penale dhe administraive. Kryesisht mbi çështje të ngutshme mund të merren shembuj nga dinamika që kanë të bëjnë dhe lidhen me dhunën në përgjithësi të cilat nuk lejojnë vonesa në raste të ngutshme (urdhër mbrojtje kryesisht), për këto kërkesa dhe çështje afatet janë shumë të shkurtra dhe me infrastrukturën rrugore apo faktorët e tjerë që kemi si shoqëri do të bëhet gati e pamundur që të garantohet aksesi i menjëhershëm dhe mbrojtja ndaj personave e dhunuar.

Gjithashtu në fushën e gjykimeve civile, tregtare dhe administrative do të krijohen probleme, në ato vende ku do të mbyllet gjykata, për sa i përket kërkesave dhe gjykimit të tyre mbi sigurimet e padisë apo kërkesa të tjera proceduriale që janë të ngutshme dhe me afate të shkurtra pasi do të rriten kostot dhe aksesi nuk do të garantohet në të njëjtën mënyrë në të gjithë territorin kombëtar.

Kostot shtesë për profesionet si Avokatët, përmbaruesit, noterët

Është afërmendsh që, në qoftë se do të aprovohet ky ndryshim, edhe shërbimet e profesioneve të tjera ligjore në këto qytete do të kufizohen apo edhe më keq do të mbyllen pasi nuk ka asnjë logjikë që të mbahet hapur një zyrë Avokatie, noterie apo përmbaruesi për sa kohë mungon Institucioni i gjykatës dhe prokurorisë. Për shërbimet e konsulencës ligjore dhe përfaqësime  në gjykim në rastin më të mirë këto shërbime do të bëhen më të shtrenjta për qytetarin dhe subjektet juridikë duke vështirësuar së tepërmi respektimin e parimeve që më sipër janë cituar.

Si mund të ndryshojë situata?

Në mbyllje të këtij shkrimi mund të ketë vend për propozime të cilat marrin shëmbuj nga praktikat më të mira europiane që nga njëra anë të ulin shpenzimet dhe nga ana tjetër të garantojnë respektimin e parimeve për një akses në shërbimet dhe në sistemin e drejtësisë. Në shumë vende europiane, kryesisht vendet e europës veriore (Danimarkë, Suedi, Norvegji, Gjermani, Belgjikë, Poloni, Itali) prej shumë dekadash sistemi i dhënies së drejtësisë parashikon dhe funksionon me një ndarje midis gjyqtarëve të toguar (në termin shqiptar magjistratëve) dhe gjyqtarëve që e ushtrojnë profesionin e gjyqtarit mbi baza vullnetare duke respektuar në futjen e tyre në sistem disa kritere të anës profesionale, moralit dhe etikës. Një ndryshim i tille, pra futja në sistemin e drejtësisë edhe te gjyqtarëve të tillë (si p.sh sistemi italian që parashikon Gjyqtarin e Paqes i cili nuk është magjistrat por Avokat/jurist me eksperiencë) që paguhen me tarifë fikse për seancë apo me honorare, mund të ishte zgjidhja e ngarkesës së gjykatave sot në të gjitha shkallët e para dhe kaosit që do të sjellë mbyllja e disa prej tyre. Për të kaluar në këtë sistem, sigurisht, duhet një studim i mirë dhe profesional me ndryshime të kodeve proceduriale civile e penale i përqëndruar në disa kompetenca të caktuara (kryesisht në fushën civile mbi gjykime në vlera të kufizuara dhe kundravajtje penale) për këta gjyqtarë por që në fund të ecet drejt sistemeve të çertifikuara dhe me eksperienca shumë vjeçare dhe jo thjesht me propozime “hapa dollapa” sa herë ka ndonjë ngërç si pasojë e reformave qeveritare në kurriz të qytetarit./Monitor

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore