Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Rrëfimi: Eksperienca ime me Covid-19! Jo vetëm Psikologji

Rrëfimi: Eksperienca ime me Covid-19! Jo vetëm Psikologji

Po, po shumë e vërtetë është. Për një periudhë 17 ditore (deri më 6 Shtator, takimi final me mjekun dhe testin serologjik) kam qenë i prekur nga një formë e lehtë virusi Covid-19! Një eksperiencë të cilën, sot me 10.10. 2020 (edhe si ditë e shëndetit mendor) po e bëj publike për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që është i interesuar të dijë lidhur me virusin dhe efektet e tij.

E bëj publike vetëm pas një muaji për arsye të evitimit të transmetimit jo të saktë të informacionit nga njëri te tjetri që në situata të tilla të vështira (kohë pandemie) lajmi është gati të lëshohet jo korrektësisht. Gjithashtu edhe për arsye të mos prekjes së ndokujt për shkakun tim nga fillimi e deri tashmë më se një muaj që kur i jam rikthyer veprimeve e funksionimit normalisht… Prandaj krahas familjarëve e kanë ditur këtë gjë vetëm një rreth i ngushtë shoqëror.

Marrja e virusit

Nuk di të them me saktësi se ku apo nga kush u infektova. Gjatë dy javëve të para të gushtit kam qenë në lëvizje me pushime me udhëtime, në punë… Parapëlqej hamendësimin se mundem ta kem marrë nga ndonjë asimptomatik ose nga ndonjë i infektuar i papërgjegjshëm që shëtit sherbes pa u merakosur për të tjerët! Mbrojtja dhe masat që përdorja nuk më shpëtuan plotësisht sa duhet!

Pikasja e prekjes nga virusi

Filluan shenjat sikur kisha ethe apo i ftohur pak nga ato ftohjet e zakonshme tipike pas një ritmi pushimesh në plazh e plot lëvizje. Mbasi ngrihesha në këmbë të ecja, në 4-5 hapat e parë bezdisesha nga disa shqetësime që ndjenja në pikën ku pjesa e poshtëgjurit e këmbës bashkohet me mbështetësen e këmbës. Më pas më erdhën si ethe, apo rrufë që më shfaqën dyshimin se kam ethe. Natën kur ethet u bënë evidente mata temperaturën kur vajta në shtëpi dhe e kisha 38.1. Kam pirë qetësues paracetamol dhe kaq. Që nga ajo natë nuk kam dalë nga shtëpia. Kam kontaktuar me mjeken e familjes (dyshonte në fakt mos kisha Covid-19) dhe mora menjëherë mjekim parandalues (jo antivirus). Mirëpo edhe të nesërmen e mjekimit temperatura në mbrëmje shkonte 37 e pak. Kapakun e sqarimit të gjendjes shëndetësore ia vuri humbja e nuhatjes në ditën e dytë të izolimit. Të nesërmen kam shkuar të bëj tamponin (për procedurë të shpejtë gjoja tek një spital privat) me dijeninë se jam i prekur, dhe po shkoj të marr konfirmim zyrtar për këtë gjë.

Trajtimi mjekësor

Atje më thanë si përgjigje se dyshohesh, për ne je i prekur, por duhet të presësh konfirmimin nga ISHP-ja. Do të njoftojmë ne më thanë pas 5 ditësh. Nuk më njoftuan aspak (pas 8 ditësh kam vajtur vetë të marr përgjgjien). Megjithatë bëfshin hajër!!!! Aty për aty kur më thanë kështu dyshova pritjen 5 ditore dhe menjëherë vajta te mjekja pneumologe sipas rekomandimit të mjekes së familjes. Skopia që bëra atje më nxori me mushkëritë e prekura në të dyja krahët, por fatmirësisht bëhej fjalë për një shkallë të lehtë prekjeje. Edhe analizat e gjakut apo PCR-ja treguan nivele të mira që dëshmonin se prekja ishte e lehtë. Menjëherë kam marrë mjekimin me kurën e kërkuar vetë, atë të fortën e me efekt të sigurt..

Gjashtë ditët e para gjilpëra e ilaçe dhe 8 ditë ilaçe dhe hollues gjaku… Mbas javës së parë kam bërë kontrollin e parë ku u vunë re nga skopia e radhës përmirësime të dukshme dhe në ditën e 16 mjeku më rekomandoi të ndjehesha i qetë se ja kisha hedhur, e konfirmuar kjo edhe nga analizat e gjakut dhe testi serologjik të nesërmen. Me tha të dilja dhe lëvizja me kujdes, por unë e bëra edhe një ditë pushin tjetër. Vetëm me datën 9 shtator mundem të them se kam lëvizur si zakonisht. Gjatë gjithë kësaj kohe kam qenë i izoluar e me përjashtim të pjesëtarit të familjes që përkujdesej me shërbim nën masa të rrepta mbrojtëse, pasi anëtarët e tjerë ishin zhvendosur diku tjetër.

Efektet në shëndetin fizik

Fatmirësisht forma e prekjes me Covid-19 ishte e lehtë! Shenjat më të dukshme ishin mungesa e nuhatjes, fyti sikur kisha bajame, dhe zëri që ishte ndryshe, sikur toni i tij dilte “si i shpuar” nga pafuqia. Në javën e dytë zëri nisi të kthehej normal, po ashtu edhe nuhatja, ndërsa fyti nuk shfaqte më problem. Ndërkohë kam pasur djersitje të shumta sidomos javën e parë, probleme me gjumin, ku nëse ditët e para nuk më zinte nga e prekura me virus, në ditët e tjera nga fakti se flija ndonjë orë gjatë ditës meqë qëndroja shtrirë. Me ushqyerjen kam qenë mirë, madje në javën e dytë kisha shumë oreks “sa doja të shqyeja edhe pjatën”. Kam qenë i shoqëruar nga luhatje të temperaturës nga 36.4 - 36.8, ndjesi të çuditshme trupore ku disa pjesë të trupit të ishin të ftohta e disa të nxehta, herë më dukej vetja se isha qefull, qiqër, e herë sikur isha ulur sipër një zjarri që më mbërthente për keq. Shfaqja e prekur e sistemit imun dukej edhe me pafuqinë teksa ndjehesha i sforcuar me hiçgjë veprime apo lëvizje fizike.

Efektet në shëndetin psikologjik

Përfshirja ime psikologjike nga prekja e virusit ka nisur ditën kur po kthehesha në shtëpi nga përgjigja verbale e marrë si pozitiv me virus. Gjatë kthimit ecja i distancuar ku s’kishte njerëz, mbaja syze dielli të vëna dhe po qaja… nga marazi se përse më ndodhi apo se hej bela edhe këtë kam mangët dhe mendime edhe më të këqija…. Konstatova se po mbaja syze dielli kur dielli kishte perënduar dhe i dhashë vetes forcë duke i thënë ndal lëshimit të vetes nga stresi post traumatik (lajmi se jam prekur). Ndale ankesën se ç’të gjeti se tashmë e ke, është prezent, duhet të rrish ta përballësh se ndryshe me ‘uf e buf’ nuk largohet ajo por ikën ti… E kështu menjëherë lajmërova në telefon familjen të largohej nga shtëpia dhe telefonova disa shokë e miq me të cilët kisha qëndruar më se fundmi në Shkodër e Tiranë, si dhe mora vëllanë për marrjen e masave të fillimit të kurës mjekësore. Ndoqa kurën mjekësore me përpikëri të madhe……

Tre ditët e para kam pasur shenja ankthi se trembesha të lëshoja veten në gjumë…. Me shkonte mendja ne precipitimin edhe më tej të veprimit të virusit… më pas efekti i gjilpërave më qetësoi… bërja e gjilpërave më bënte trim mezi i prisja, përjetim i çuditshëm të gjesh shpëtim, siguri dhe vazhdimësi ekzistence falë përdorimit të akupunkturës. Në ditët e para ato të alarmit kam shfaqur gjithashtu edhe fiksime për të matur temperaturën tesh e parë dhe maninë për të përshpejtuar shërimin…

Edhe rezistenca sikur alarmi i gjendjes nuk kaloi lehtë. S’kisha fiksime për temperaturën, por mos ia kam ngjitur kujt. Ishte e vështirë që të pranoje qëndrimin shtrirë me përkujdesje ndërkohë që konstatoje që s’kishe gjë, jam mirë madje çudi që të jem i sëmurë nën këto ndjesi kaq pozitive…

Mirëpo rimarrja plotësisht e vetes nënkuptonte edhe rikthimin e energjive të humbura nga përballja me virusin dhe sfida me kurën. Rifitimi i veprimtarisë të sistemit imun ishte një proces shumë i ngadaltë e aq zvarritës saqë nëse nuk gjeje durim e sa më shumë durim (sidomos nga njerëz të përkushtuar e të durueshëm familjar) të dukej sikur mjekësia po tallej me ty dhe dermani të kishte të harruar.

Kujtoj këtu ndër të tjera bisedat telefonike të përnatshme me vëllanë e madh të cilat i kisha kthyer në “tabelë qitjeje” për të shfryrë dufin ndaj kësaj “shejtan” situate që po kaloja. Prandaj falë edhe familjarëve prita për të rimarrë veten plotësisht…

Rikthimi

Për një rikthim të ngaldaltë pa sforcime të mëdha, i vetëdijshëm që çfarë e sa kam kaluar dhe hequr dhe ajo që ka më rëndësi i ndryshëm nga më parë Pas një muaji rikthimi jam i lumtur që nuk është më, shpresoj të mos më vijë e të mos prekë askënd të paktën përreth meje, por prezenca e tij aq kohë e fuqi sa pati e ka lënë shenjën e tij…. Jam plotësisht i vetëdijshëm që më ka bërë ndryshe, të paktën në nivel kërkesash… Shpresoj shumë të mos lejoj që të paktën ndryshimi të mos jetë aq i madh sa të më ndalojë apo mos të më lejojë t’i rikthehem kënaqësive të jetës normale sikur më parë….

Çfarë ju ndihmon?

Mos e provoftë kush, por nëse prekeni ju ndihmon:

Ruajeni veten me përkujdesje të vazhdueshme.

Mos e ulni kurrë vigjilencën mbrojtëse.

Bëni patjetër skopi dhe analizë të përgjithshme gjaku

Hani supë dhe pini lëngje rregullisht (ujë, çaj, sidomos portokall të shtrydhur).

Pini vitamina C çdo ditë.

Lëreni veten të pushojë e të qetësohet.

Përgatituni për një rikuperim të ngadaltë, jo të menjëhershëm

Mësoni të fitoni durim.

Komunikoni me të tjerët, por jo shumë gjatë.

Mateni temperaturën dy herë në ditë ose kur nevojitet e jo çdo 5 minuta.

Ndiqni kurën dhe udhëzimet e mjekut plotësisht e rregullisht.

*Arben Hoti, pedagog në universitetin "Luigj Gurakuqi", Shkodër

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore