Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

Divat që këndojnë edhe në heshtje!

Divat që këndojnë edhe në heshtje!

Shiheni këtë kolazh fotosh. Janë 3 nga këngëtaret legjendare të muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela, Ema Qazimi dhe Liliana Kondakçi. Shihni çfarë ekspresioni transmetojnë qoftë edhe me një sekuencë, një buzëqeshje, një shikim që rrëmbente me vete në skena dhe ekrane televizori, miliona sy e veshë.

Ishin zërat ngjethës dhe potentë, të ëmbël e të kthjellët të këtyre mbretëreshave të skenës muzikore shqiptare që me profesionalizëm dhe një kualitet të lartë i dhanë artit shqiptar perla muzikore të papërsëritshme. Ato ishin kënga e mëngjesit, ishin ritmi i ditës dhe refrenet e natës. Ndërsa rrëmoja në Youtube për të gjetur një material muzikor mu shfaq kënga "Shqipëri o vendi im" kënduar nga Ema Qazimi.

Një ekzekutim mjeshtëror, që të lë pa frymë dhe të bën ta dëgjosh e ridëgjosh. Është nga ato interpretime që kupton se nuk është më vete kënga dhe më vete këngëtari, por ato janë një si të krijuar e përputhur me njëri tjetrin. Ema një këngëtare me një potencë të jashtëzakonshme skenike, që derdhte mbi çdo fjalë e notë ekspresionin e saj emocional, duke  i dhënë çdo kënge forcën e një himni.

Ç'të thuash më parë për Vaçen, të pushtetshmen e skenave të këngës që e shndërroi "Rrjedh në këngë e ligjërime" një himn jo zyrtar për Shqipërinë e shqiptarët kudo ndodhen. Vitale, impresionuese dhe me interpretime plot dramaficitet Vaçe Zela imponoi krijimit e palmaresit të artë të zërave të këngës së lehtë shqiptare, ku nuk mungon me ëmbëlsinë dhe elegancën me të cilën performonte edhe Liliana Kondakçi.

Me gjithë kufizimet dhe censurën e kohës këto personalitete të muzikës dhe këngës në veçanti, ditën të lundrojnë skenave duke thyer tabu dhe interpretuar jashtë kornizave që impononte statura artistike e sistemit. Ishin një plejadë e papërsëritshme artistësh që gdhendën zërat dhe emrat e tyre në mendjet e miliona shqiptarëve.

 Çdo kohë prodhon artistë të rinj, prodhon artistët e vet, por jo në çdo kohë mund të ketë mbretëresha si këto. Respekt për artin e vërtetë, mirënjohje për ikonat e muzikës dhe skenës shqiptare. Ato këndojnë edhe me heshtjen e tyre!

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore