Quantcast
Lidhje të rëndësishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Mendimi im

As kërriç, as viç!

As kërriç, as viç!

Prej më se dy javësh – që nga dita kur agresioni rus kundër Ukrainës po bën kërdinë në të mira materiale por sidomos në njerëz (deri edhe tek civilët e fëmijët e tyre krejt të pafajshëm), sepse kështu e ka vendosur një i çmendur gjakatar si Putini – në Shqipëri populli po tregon me vepra se nuk është dele: Përballë ngritjes së papërballueshme të çmimeve, shqiptarët po protestojnë më në fund masivisht nga veriu në jug, në kryeqytet e në qytetet kryesore, por edhe në qytete më të vogla. Shtrenjtimi i jetesës, pasojë e shtrenjtimit të hidrokarbureve në tregun ndërkombëtar për shkak të agresionit të lartpërmendur, por kryesisht rrjedhojë e paaftësisë së qeverisë Rama (apo e mungesës së saj të vullnetit?) për ta administruar seriozisht këtë krizë të frikshme, po shton numrin e fatkeqve në këtë funddimri të akullt nga të tëra këndvështrimet.

Mirëpo, çfarë nuk bën vaki në Republikën Mrekullisht Zvarranike të Shqipërisë! Para fare pak kohe, ministrja Balluku e Infrastrukturës dhe e Energjetikës dha një këshillë, rekomandim apo udhëzim (quajeni si të doni) lidhur me kursimin energjetik nga ana e bashkatdhetarëve të saj: E shqetësuar sa s’bëhej edhe për shëndetin e tyre, ajo nxori nga goja një fjali me të cilën bënë gargarë thuajse të gjitha rrjetet sociale: “Mos shkoni  të blini cigare me makinë!” pikërisht në momentin kur, brenda natës, çmimi i naftës u shtrenjtua tri herë!


Nëse analizojmë me gjakftohtësi e racionalisht këtë fjali, del se po të shkosh të blesh cigare në këmbë jo vetëm do të kursesh naftën e makinës sate, por do t’i zgjatësh jetën vetes, sepse do të luftosh edhe më të voglën prirje për obezitet, pra, nuk do të dhjamosesh (Ah, e parandiej që ministrja Balluku një ditë mund të ndërrojë vendin me ministren Manastirliu!). Veçse, në këtë pikë del një problem: Nëse një duhanpirës, i mësuar të zhvendoset me makinë, shkon e ble cigare duke ecur, kthimi në shtëpi mund t’i duket aq i gjatë saqë ai do të ndezë një cigare, në mos dy apo tri gjatë rrugës, kjo varet sa larg e ka ai shtëpinë nga duhantorja e tij e parapëlqyer, kështu që nga njëra anë ai do të kursejë naftën, por, nga ana tjetër, do të dëmtojë sadopak shëndetin e vet! Ah, ja që problemi nis e shtrohet me terma hamletianë: “To smoke or not to smoke, that is the question!” Me një fjalë, sipas dy proverbash fort aktualë, kësaj i thonë “Pesë me hiç, o shqiptar, ti je kërriç, por jo gomar!” ose, paksa ndryshe, “O shqiptar, pesë me hiç, kur s’je dele, ti je viç!”.

Nga ana tjetër, Miqtë e mi Françesk Armadhi, Namik Arvogli dhe Jorgaq Irsi, që të tre admirues të kryeministit tonë të përjetshëm në të gjitha pozat e pozicionet e tij, më pyetën, pa djallëzi sigurisht, përse ministrja Balluku zgjodhi pikërisht cigaret si pazar për t’u bërë në këmbë me qëllim patriotik kursimin e naftës. Oh, sidomos lexueset dhe në veçanti lexuesit  e mi të rregullt në këtë çast, po të më kishin përballë, do të më hidhnin duke nënqeshur një shikim fort domethënës, ngaqë e dinë tashmë se nuk ngurroj t’i referohem Frojdit në analizat e mia.

Pra, nën dritën e psikanalizës frojdiane, unë do të thosha se cigarje, ashtu si puroja, janë së pari sende që futen në gojë, mbahen me buzë ose me dhëmbë, së dyti janë sende që thithen, që kafshohen lehtas, sa për qejf, madje, kur bëhet fjalë për puro, nëse ti vendos ta ndezësh, duhet t’ia presësh njërin skaj me biçak, a thua se po e bën synet! Të gjitha këto veprime të çojnë detyrimisht tek Frojdi, ah, i poshtri, i mallkuari, rrugaçi madhështor, i cili e zbërtheu nënvetëdijen e njeriut, sidomos të mashkullit, por në veçanti edhe të femrës, për t’i treguar njerëzimit sa i vlen lëkura, po, po, lëkura, që e mbështjell njeriun si një prezervativ shpëtimtar. Sigurisht, për të mos ia ngrënë hakën, duhet pranuar ndershmërisht se, në mënyrë të pavetëdijshme, ministrja Balluku tregoi sidoqoftë finesën e saj kur zgjodhi cigaren si shembull, por nënvetëdija e ndonjë ministri apo ministreje tjetër, mbase edhe e vetë kryeministrit tonë të përjetshëm, mund të kishte zgjedhur një tjetër objekt falik, si, për shembull, trangullin, patëllxhanin apo karotën (disa persona këtë fjalën e fundit e shkruajnë me “rr” duke nxjerrë kështu më fuqishëm në pah erotizmin agresiv të tri germave të saj të para!).

Së fundi, shpresoj se këto pak radhë do të mjaftojnë shëndetshëm që ministret dhe ministrat aktualë të mendohen mirë para se t’u japin shqiptareve dhe shqiptarëve këshilla, rekomandime apo udhëzime me terma lehtësisht të interpretueshëm nën dritën e psikoanalizës frojdiane, sepse tanimë populli ynë nuk është as kërriç, as viç, siç po e dëshmojnë haptas protestat masive të këtyre ditëve të fundit!

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Aktualitet

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore