Lidhje te rendesishme Rrjetet tona shoqërore Shqip merr pjesë në programe të ndryshme marketingu ku mund të përfitojë komisione për produktet e zgjedhura në artikujt e publikuar.

Koment

NË KOSOVË INSTALOHET KONFLIKTI ALLA TRANZICION

ALEKSANDËR ÇIPA

Aleksander CipaJava e fundit në Kosovë ka konfirmuar mbërritjen tronditëse të konfliktit të brendshëm politik. Në kërkim të largimit të ministrit serb nga qeveria, opozitarët të prirë jo zyrtarisht nga Albin Kurti, kanë ripërsëritur sulmin mbi godinën e qeverisë dhe kanë përshkallëzuar protestën deri në kacafytje dhe goditje me trupat e Policisë së Kosovës. Është një ngutje "spontane" për t?u kacafytur opozita me pozitën, por duke marrë në përdorim dhe vënë në komprometim, policinë dhe drejtësinë institucionale të vendit. Tipike shqiptare kjo sjellje dhe kësi insinuatash(!) Të tilla të shpeshpërsëritura përgjatë tranzicionit postkomunist në Shqipërinë e ish-presidentit dhe ish-kryeministrit Sali Berisha apo atë të ish-kryeministrave të së majtës Fatos Nano, Ilir Meta e Edi Rama. Shqiptarët në kacafytjen politike me njëri-tjetrin ripërsëritin historinë e agresivitetit dhe vetëgjakimit të tyre. Një kulturë që po shkëmbehet në realitetin e të dy shteteve, duke dëshmuar e ridëshmuar në çdo provë, pazotësinë për t?i dhënë maturi shtetit dhe sjelljes institucionale të klasës apo grupeve politike të tyre.

Rasti i përballjes me gurë e hunj të opozitarëve të organizuar nga Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, (përkatësisht tre udhëheqës të spektrit aktual opozitar dhe të udhëhequr nga tribuni i përhershëm Albin), do të shënohet si sipari i një marrëdhënieje dhe epoke të re ballafaqimesh politike mes palëve partiake të Kosovës.

Kjo është e trishtë, jo për sjelljen dhe për marrëdhënien implikuese që po improvizojnë në relacionet mes politikës dhe shtetit, por për atë që pashmangshmërisht do të pasojë në kohë të pacaktuar: tranzicionin.

Këtë sjellje dhe kësi përplasjesh promovoi në fillim të pluralizmit prijësja partiake e politike e Shqipërisë. E kemi fjalën për historinë e shënuar që në vitet 1992 deri më 21 janar të vitit 2011. Kësi skenarësh dhe tallazesh e shpunë dhe e sollën luftën politike të kësaj klase pa klas politik, në qëllim të dëbimit dhe marrjes së pushtetit nga duart e njëri-tjetrit. U goditën të gjitha strukturat themelore të trashëgimisë dhe të historisë shtetndërtuese, duke e trajtuar shtetin dhe gjithë arkitekturën 102-vjeçare të tij si "makinë ambulante" apo "tokë e xanun". Këtë kulturë e sollën dhe e shkëmbyen me pamëshirë nëpër episodet traumatike dhe katastrofike të tranzicionit, i cili e ka nxirë tashmë kalendarin e vetvetes me data apo procese si ato të qershorit të 1996-s apo gjëmëmadhin vit 1997-1998 dhe deri, episodet e 21 janarit të 2011-s. Me këtë bilanc turpi dhe gjëmësie, elita politike e Shqipërisë së tranzicionit vijon të mbetet në qeverisje dhe të pretendojë lojërat e shkëmbimeve sa në pozitë, aq edhe në opozitë, duke e bërë përfaqësimin politik në këtë vend një garniturë të ndenjur e të pangrënshme, një gjendje që kundërmon si ndërgjegje antishtet.

Klasa e re politike e Kosovës, këtë histori konflikti politik sapo nis ta bëjë realitet në vendin ku mosha e shtetit të pavarur nuk ka shkuar ende shtatë vjeç. Pse kjo reminishencë me sjelljen dhe bëmat e klasës politike të Shqipërisë së 24 vjetëve të fundit?!?

Natyrisht arsyeja apo shkaku opozitar është gjetur. Në tërësinë e vet është i natyrshëm dhe i mjaftueshëm për të qenë këmbëngulës dhe kaq kategorik. Në këtë reagim ka një lidhje edhe me dinjitetin shtetëror e me atë kombëtar dhe sidomos qytetar.

Vetëvendosja në jetën dhe historinë e shkurtër politike të saj, është rritur më shumë se koha. Kjo ka ngjarë, sepse është kapur fort pas kauzave të tilla dhe sidomos ka manifestuar mungesën e drojës dhe të kompleksit si lëvizje e forcë parapolitike. Në protestën gati rebeluese të ditëve të fundit, arsyeja është e lidhur me një interes dhe me një kauzë. Kauza është e çmueshme, kur i adresohet këmbënguljes për t?u dorëhequr nga kabineti i Kryeministrit Mustafa, ministri i pakicës serbe, që aq lehtësisht gjen kurajën të fyejë dhe lëndojë e hidhërojë me cinizëm nënat e dëshmorëve të Kosovës. Por po aq e vyer është kauza që mbron moslëshimin e pasurisë më të madhe tokësore dhe më të çmuar të Kosovës, e cila mbetet mistershëm e pazgjidhur. Fjala është për minierën e famshme të Trepçës.

Janë dy arsye të forta, me peshë specifike politike dhe ekonomike të lartë, sikundër edhe me kumt të fuqishëm.

Deklarata e ministrit për Kthim dhe Minoritete, A. Jabllanoviç, e cila edhe pse ka pasuar me ndjesë, ka lënduar befas dhe si asgjë tjetër këto kohë, opinionin e gjerë dhe nënat shqiptare që humbën bijtë dhe dëshmorët në luftën për çlirimin e Kosovës. Lëndimin e shkaktuar prej ministrit serb, krerët e opozitës, më së shumti udhëheqësi i dorëhequr i Vetëvendosjes që "ka zbritur në bazë", pra Albin Kurti, po e administron, si kapital politik. Këtu arsyeja lehtësisht zbulon interesin politik të Albinit dhe dy partnerëve të afërt të koalicionit rishtar opozitar, përkatësisht Haradinaj dhe Limaj.

Ata kanë gjetur shkakun dhe arsyen për të mbajtur kundërshtarët e tyre në pushtet Mustafa dhe Thaçi, në tension dhe paqëndrueshmëri qeverisëse. Mirëpo kjo strategji apo qoftë edhe rrugë politikëbërëse, shton bashkëjetesën me paqëndrueshmërinë e Kosovës, politizimin e shtetit "minoren", funksionimin e politizuar të institucioneve dhe mbi të gjitha, frymën dhe klimën e konfliktit politik me të gjitha pasojat.

Në këtë përgjegjësi përdorimi dhe deformimi të shtetit dhe institucioneve, dje ka rënë edhe qeveria e Kryeministrit Mustafa. Dhuna fizike e policisë mbi Albin Kurtin apo kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe deklaratat e krerëve të Policisë dhe Prokurorisë së Kosovës, janë as më shumë e as më pak, si sjellja e krerëve politikë në Tiranë, pra e ish-kryeministrit Sali Berisha apo Edi Rama, në Shqipërinë e 21 deri 25 janar të vitit 2011. Në Prishtinë natyrisht që ka një ndryshim fatlum: nuk u vranë njerëz dhe nuk u humbën jetë qytetarësh protestues. Por pasoja dhe kacafytja ishte dypalëshe, lëndime për dhjetëra qytetarë dhe disi më pak policë.

Kjo histori e re protestash në Kosovë ka shënuar instalimin e konfliktit politik alla-tranzicionist shqiptar. Pas kësaj, opozita e Albin Kurtit nuk ka për të qenë e shtruar apo në raport me dëgjueshmërinë në jetën parlamentare apo atë të komunikimit dhe dialogut politik. Kuvendi i Kosovës do të jetë paskëtaj, një foltore ku dhuna verbale dhe polemika konfliktuale nuk ka për të ndryshuar nga ajo që ka gjeneruar pozita dhe opozita përgjatë tranzicionit postkomunist në Shqipëri.

Riciklimi i këtij konflikti tipik shqiptar në një kohë dhe vend tjetër, me të tjerë protagonistë, por me të njëjtën përkatësi kombëtare, nuk është vetëm i trishtë, por më së shumti brengosës. Ajo që dikur kemi konstatuar se shkëmbimet dhe afinitetet deri në nënshkrime memorandumesh partiake mes udhëheqësve partiakë të Prishtinës dhe Tiranës, nuk janë gjë tjetër veçse baza e transferimit të alteregos së keqe te vetja tjetër e re. Këtë lloj konflikti dhe këtë metodë politikëbërjeje, krerët partiakë dhe politikë të Kosovës, e kanë markë të huazuar apo vetimituar nga politikanët e Shqipërisë së tranzicionit. Kontributi për instalime të këtilla konflikti, çimenton tranzicionin drobitës dhe rraskapitës në Kosovë.

Simptomat dhe shenjat e para alarmante janë dhënë: të rinjtë dhe qytetarët e Kosovës po emigrojnë nga vendi sikundër u arratisën në vitet ?80 dhe në vitet 1998-1999. E fajtori për këtë nuk është vendi e as qeverisësi i huaj, por gjendet vetëm ndër palë dhe i shpërndarë te të gjithë krerët që gjenden disa të humbur në zgjedhje e të dalë në shesh dhe disa të bashkuar pas zgjedhjesh e të qëndruar nëpër godina qeveritare.

Denonco

Keni informacion në interes të publikut? Dërgojeni në Shqip duke klikuar këtu.

Poll

Biznes

Ndiqni të gjitha lajmet e fundit
në rrjetet tona shoqërore